Presidenti kinez, në qendër të diplomacisë globale
Presidenti i Kinës Xi Jinping po shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga figurat qendrore të diplomacisë globale, pasi brenda pak ditësh priti në Pekin si presidentin amerikan Donald Trump, ashtu edhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ceremonitë madhështore të organizuara në Pallatin e Madh të Popullit, me gardë nderi, banda ushtarake dhe protokoll shtetëror të nivelit të lartë, pasqyruan përpjekjen e Kinës për të projektuar veten si një fuqi globale që komunikon me të gjitha palët dhe që synon të luajë rol kyç në zhvillimet ndërkombëtare.
Për Pekinin, vizitat e dy liderëve më të rëndësishëm botërorë janë një sinjal se Kina është kthyer në një qendër të domosdoshme të diplomacisë dhe ekonomisë globale.
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se ndikimi në rritje i Kinës lidhet me fuqinë e saj ekonomike, rolin dominues në prodhimin industrial dhe kontrollin mbi mineralet e rralla, të cilat i japin Pekinit avantazh të fortë në raportet ndërkombëtare.
Takimi me Putinin konfirmoi edhe një herë afrimin strategjik mes Kinës dhe Rusisë, në një moment kur Moska vazhdon të përballet me izolimin perëndimor për shkak të luftës në Ukrainë.
Rusia mbetet gjithnjë e më e varur nga Kina ekonomikisht, pasi Pekini është partneri më i madh tregtar i Moskës dhe blerësi kryesor i naftës dhe gazit rus.
Megjithatë, marrëdhënia mes dy vendeve shihet si gjithnjë e më e pabarabartë. Edhe pse pas takimit u nënshkruan mbi 20 marrëveshje bashkëpunimi në fusha si tregtia dhe teknologjia, Kina nuk dha ende miratimin për projektin e madh të gazsjellësit rus që Kremlini kërkon prej vitesh.
Ekspertët vlerësojnë se kjo tregon pozicionin më të fortë të Xi Jinping në raport me Vladimir Putinin, në një kohë kur Rusia ka nevojë më të madhe për mbështetjen kineze.
Në të njëjtën kohë, Xi duket se po forcon pozitën e tij edhe në raport me SHBA-të.
Sipas analistëve, paqartësitë e politikës së jashtme amerikane dhe tensionet globale i kanë dhënë Kinës mundësinë të paraqitet si një partner më i qëndrueshëm për shumë vende.
Vetëm pak vite më parë, Kina përballej me izolim diplomatik për shkak të pandemisë Covid-19, tensioneve me Perëndimin dhe kritikave për shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong.
Megjithatë, Pekini ka ndryshuar gradualisht stilin diplomatik dhe ka rikuperuar marrëdhëniet me disa aleatë tradicionalë të SHBA-ve, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe.
Në dekadën e fundit, Xi Jinping ka promovuar vazhdimisht idenë e “rilindjes së madhe të kombit kinez”, ndërsa vizitat e fundit të liderëve botërorë në Pekin konsiderohen nga propaganda kineze si dëshmi e forcimit të pozitës së Kinës në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, vizita e Putinit nxori në pah edhe kufijtë e diplomacisë kineze. Gjatë deklaratave të përbashkëta, Xi foli për nevojën urgjente të përfundimit të luftës në Lindjen e Mesme dhe kritikoi goditjet ushtarake ndaj vendeve të tjera, por shmangu çdo koment të drejtpërdrejtë mbi luftën në Ukrainë.
Kjo heshtje ka ngritur pikëpyetje në Evropë mbi gatishmërinë e Kinës për të luajtur rolin e një ndërmjetësi neutral në konfliktin ruso-ukrainas.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kina të reduktojë mbështetjen ekonomike ndaj Rusisë, por Pekini duket i kujdesshëm për të mos humbur një aleat strategjik si Moska.
Analistët paralajmërojnë ër BBC-në se kjo balancë diplomatike mbetet sfiduese për Xi Jinping, sidomos në një moment kur Kina kërkon të forcojë marrëdhëniet ekonomike me Evropën për të mbështetur ekonominë e saj të orientuar nga eksportet.
Edhe pse Pekini po përpiqet të projektojë imazhin e një fuqie globale të domosdoshme për diplomacinë dhe tregtinë ndërkombëtare, skepticizmi ndaj sistemit autoritar kinez dhe politikave të qeverisë së Xi Jinping vazhdon të mbetet i fortë në shumë vende perëndimore.
Lituania me kryeministër të ri, Mindaugas Sinkevicius merr drejtimin e qeverisë
OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë
Plani i shpenzimeve të qeverisë, kryeministri britanik premton 15 miliardë paund shtesë për mbrojtjen
- 16:43 Protesta me tensione sot te parlamenti lëndohen 4 policë
- 16:35 Aksidenti tragjik i furgonit të Beratit, policia: 2 viktima dhe 15 të plagosur, oficeri Vatoci jep detaje nga vendi i ngjarjes
- 16:32 SPAK dërgon në gjyq ‘Rrumin’ e Shijakut dhe 7 të pandehur të tjerë
- 16:31 Babai dhe dy djemtë shpallen fajtorë për vrasjen e dyfishtë në Kurjan të Fierit
- 15:59 Pamjet me dron nga aksidenti tragjik i furgonit me pasagjerë, 2 të vdekur dhe 7 të plagosur në autostradën Tiranë–Durrës
- 15:33 Berisha reagon pas protestës pranë Parlamentit: Policia ushtroi dhunë ndaj qytetarëve, të lirohen të shoqëruarit