Princi i Hijes”, lidhjet e errëta me Epstein që rikthejnë prapaskenat e skandalit

9 Gusht 2025 | 19:33

Një biografi e re, e mbështetur në katër vite hulumtim dhe qindra intervista, ka rikthyer në vëmendjen e publikut një nga figurat më kontraverse të familjes mbretërore britanike.

“Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Jorkut”, shkruar nga historiani Andrew Lownie, sjell një portret të drejtpërdrejtë dhe pa filtra të Princit Andrew djalit të tretë të Mbretëreshës Elizabeth II  dhe rolit të tij në disa prej skandaleve më tronditëse që kanë goditur pallatin mbretëror.

Libri shpalos aspekte të panjohura më parë të jetës private të Princit, me theks të veçantë tek lidhjet e tij të hershme dhe të ndërlikuara me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein. Sipas autorit, kjo marrëdhënie ka qenë më shumë sesa një njohje shoqërore, dokumente dhe dëshmi të reja sugjerojnë se ajo përfshinte një formë të mundshme shantazhi, që ka ndikuar direkt në vendimet dhe sjelljet e Princit ndër vite.

Lidhja e Princit Andrew me Epstein daton që nga fillimi i viteve 1990, duke kulmuar me praninë e tij në rezidencat e manjatit amerikan dhe me përfshirjen në rrethin e ngushtë të Ghislaine Maxwell bashkëpunëtorja e dënuar e Epstein. Një nga elementët më tronditës të biografisë mbetet analiza e famshme fotografie ku shfaqet Virginia Giuffre, një nga viktimat e Epstein, pranë Princit Andrew dhe Maxwell, e cila sipas autorit përfaqëson një pikë kthese në hetimet ndërkombëtare për trafikun seksual të të miturve.

Përtej lidhjeve të errëta, Lownie portretizon Princin si një figurë të komplikuar, të përfshirë në gafat diplomatike, shpenzime të pakontrolluara dhe sjellje të vrazhda ndaj stafit. Nga mbrëmjet luksoze me personazhe si Elton John, Billy Connolly dhe Woody Allen ky i fundit gjithashtu i lidhur me Epstein – tek ritualet e çuditshme dietike dhe sfidat akademike, libri hedh dritë mbi një jetë larg nga imazhi tradicional i një anëtari mbretëror.

Një tjetër figurë kyçe që del në pah është Sarah Ferguson ish-bashkëshortja e Andrew-t e cila vazhdon të jetojë me të në Royal Lodge. Ajo përshkruhet si një figurë me kontraste: nga njëra anë e zhytur në borxhe dhe marrëveshje të dyshimta financiare, nga ana tjetër e rikthyer si një figurë publike me imazh pozitiv, veçanërisht përmes angazhimit të saj si ambasadore për markën prestigjioze Waterford Wedgwood.

Pas intervistës famëkeqe në BBC Newsnight dhe përballjes me padinë nga Virginia Giuffre që u mbyll përmes një marrëveshjeje financiare Princ Andrew është zhdukur thuajse plotësisht nga jeta publike. Megjithatë, historiani Ed Owens vëren se ai vazhdon të përflitet dhe të mbetet një “peshë e padukshme” mbi reputacionin e monarkisë britanike, të cilën tashmë Mbreti Charles dhe Princi William përpiqen ta reformojnë e mbrojnë.

Komentatori mbretëror Richard Palmer shprehet se libri ngre pyetje të reja dhe serioze për një skandal që “nuk do të largohet lehtë”, sidomos në një kohë kur edhe figura si Donald Trump janë rikthyer në qendër të vëmendjes për lidhjet me Epstein.

“Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Jorkut” do të jetë në libraritë shqiptare nga data 14 gusht, me botuesin William Collins.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ish-presidenti Biden, libër biografik pas zgjedhjeve të mesmandatit

Ish-presidenti amerikan Joe Biden do të publikojë vjeshtën e ardhshme një libër biografik, ka njoftuar shtëpia botuese e kontraktuar. ““Promise Me, America” do të trajtojë...
21:53 | 15/07/2026

14-vjeçari akuzohet për planifikim të një sulmi terrorist ndaj dy xhamive në Londër

Një djalë 14-vjeçar është akuzuar për përgatitje të akteve terroriste, pasi dyshohet se planifikonte të sulmonte dy xhami në jug të Londrës, njoftoi të mërkurën...
21:35 | 15/07/2026

Deputetët francezë miratojnë ligjin për vdekjen e asistuar pas vitesh debate

Asambleja Kombëtare e Francës ka votuar këtë të mërkurë për të krijuar të drejtën për vdekje të asistuar. Deputetët votuan me 291 vota pro dhe...
20:43 | 15/07/2026