Programi i ”100 fshatrave” në Elbasan, në Gjinar dhe Shushicë mungojnë shërbimet më jetike

24 Dhjetor 2020 | 19:26

Programi i integruar për zhvillimin rural, i njohur ndryshe si programi i 100 fshatrave, ndonëse duhet t`i kishte dhënë efektet nga 2018 deri në vitin 2020, sipas banorëve dhe bizneseve në fshatrat Shushicë dhe Gjinar në Elbasan, nuk ka dhënë rezultat. Banorët vuajnë mungesën e infrastrukturës dhe shërbimeve më jetike.    

Me një ndër vendimet e ditëve të para të vitit 2018 qeveria shpalli programin e integruar për zhvillimin rural, njohur ndryshe si programi i 100 fshatrave. Tre objektivat e programit i cili do të zbatohej nga viti 2018 deri në 2020-ën ishin përmirësimi i infrastrukturës publike, zhvillimi ekonomik i zonave si dhe zhvillimi i kapitalit social dhe njerëzor përmes rritjes së punësimit të 100 fshatrave të përzgjedhur nga e gjithë Shqipëria. 

Pjesë e listës së 100 fshatrave  që do të përfitonin nga ky program ishin dhe fshatrat Gjinar e Shushicë në Elbasan.

Shushica ndodhet 9 km në jug-lindje të Elbasanit. Në hyrje të fshatit ndodhet pika turistike e Byshekut, që njihet për rrapet shumëvjeçar dhe burimet e shumta me ujë të freskët.

Edhe pse natyra është treguar bujare, ajo që të bie në sy është mungesa e investimeve për ta shndërruar atë në një pikë tërheqëse për turistët.

Për shkak të problemeve me ujin e pijshëm, fshatarët detyrohen kush në këmbë e kush me kafshë të vijnë në Byshek për të mbushur ujë.

Pak kilometra më tej ndodhet qendra e fshatit. Banorët thonë se për fshatin prej vitesh nuk ka ndryshuar asgjë. Ata shprehen të shqetësuar për mungesën e shërbimeve më të domosdoshme si ujë apo koshat e mbeturinave.

“Asgjë s`kanë bërë fare, vetëm po hedhin ca makina dhe, që po riparojnë këto rrugët. Po dolët atje matanë shihet, si dhe i kuq. Pse s`vjen bashkia këtu tani të sjelli ca kosha. Unë i marr me thes këtu i çoj te stalla ime se i djeg. Ja ktheje nga fuçia kosh quhet ajo? Për ujë problem, s`ka, jemi dhe biznes,” – thotë një banor i zonës.

“Këtu nuk është bërë asnjë lloj investimi. Ne në radhë të parë kemi problem me ujin e pijëshëm. Mirë që kemi dhe virusin, po do na hyj ndonjë virus nga ujërat e zeza. U bllokuan kanalet e qendrës, i kam nxjerrë unë tani. Ti shko në pikën turistike të Byshekut, një katrahurë,” – tregon një tjetër banor.

“Është shkatërruar është bërë për turp e faqja e zezë. Më keq është,” – shprehet një tjetër.

Disa kilometra më larg  ndodhet Gjinari. I vendosur në zemër të krahinës së Shpatit ky fshat ka rreth 1,100 banorë, ku 50% e popullsisë së zonës merret me bujqësi.

Rruga që të çon për në fshat është pjesërisht e dëmtuar. Kur arrin në qendër të tij,  pamjet e rrënimit të shfaqen ngado.

Investimet e vetme në këtë zonë janë ato të privatëve, të cilën kanë ndërtuar disa restorante e bujtina.

Mandalina është rikthyer bashkë me familjen e saj nga emigracioni për të investuar në Gjinar, ku kanë ndërtuar këtë biznes familjar. Ajo thotë se mungesa e infrastrukturës, po i dëmton. Kur e pyet nëse kanë përfituar nga programi 100 fshatrat thotë:

“Nga shteti akoma jo, shpresojmë që shteti të na ndihmoj. Të paktën rrugën, rruga është ajo që na vret shumë, kur vijnë klientët na thonë po ajo rruga është copë-copë, ose ajo rruga s`është rregulluar. Të gjitha këto janë vetëm puna jonë, asnjë gjë tjetër,” – thotë sipërmarrësja.

Në biznesin e tyre ajo që të tërheq është dhe ky muze i vogël etnografik, për të cilin thotë se e ka mbështetur Bashkimi Europian.   

“Këtë muzeun e kemi ndërtuar ne, e kemi rregulluar ne, thjesht Bashkimi Europian erdhi e pa, e pëlqeu dhe e financoi. Çfarë financoi konkretisht? Punën tonë, këto gjërat që kishim blerë, për të gjitha këto na dha lekë. 4500 euro,” – shton Mandalina.

Turistët edhe pse jo të shumtë në numër, tregojnë arsyen pse e zgjedhin këtë destinacion.  

“Është qetësia, pastërtia, ajri i pastër, plus komoditeti që të ofrojnë bujtinat,” – shprehet një turist.   

Për banorët më të vjetër të Gjinarit përveç investimeve private, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar.

“Edhe në vitin 60 apo 70 , ky kështu ka qenë, biles kanë qenë kabinat, kurse tani kush ka bërë ndonjë gjë privatisht, ka bërë,” – tregon një banor i vjetër i zonës.

“Kur dëgjuam për projektin e 100 fshatrave u kënaqëm faktikisht që do bëhet ndonjë investim, mirëpo tani ndonjë gjë nuk ka ardhur që të rregullohet. Shife qendrën njëherë ti. Kjo qendra këtu, thyhen këmbët kur ecën nëpër gropa,” – shtoi një tjetër.

“Asnjë gjë fare s`ka pasur Gjinari deri tani. Problemi është rruga në rradhë të parë, ujë nuk ka investime nuk ka, kazanët e plehrave, vjen makina e plehrave vetëm dy herë në muaj,” – tha një banor.            

Euronews Albania kërkoj informacion zyrtar pranë bashkisë Elbasan në lidhje me investimet e kryera në Gjinar dhe Shushicë, në kuadër të programit 100 fshatrat ku mësoi se deri tani në lidhje me këtë program:

“Është hartuar  një projekt ide zhvillimi nga një universitet privat në konsultim me komunitetin e fshatrave. Është në proces tenderimi “Sistemimi i rrugës së kishës “Shën Thanasi“, Shelcan, Shushicë. Për vitin 2021 është planifikuar nga bashkia të hartohet dhe zbatohet projekti “Sistemimi i qendrës së fshatit  Gjinar”  me fondet e saj.”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021