Kosova ndërroi tri qeveri, mbeti pa president e pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme. Të gjitha në harkun kohor prej një viti e gjysmë nga zgjedhjet e tetorit 2019. Por a ishin të nevojshme këto zgjedhje?
“Është një rilegjitimim që duhet t’u bëhet subjekteve politike dhe atyre që kanë vota për të qenë në pushtet dhe në anën tjetër, është çështja e Presidentit që hiqet nga rendi i ditës si opsion për pazare politike apo të një krize të re të paszgjedhjeve që mund të sjellë moszgjedhja e Presidentit”, thotë Fidan Rama, analist politik.
Qeveria e re pritet të marrë kohë që të krijohet. Që nga viti 2001, kur janë mbajtur zgjedhjet e para në liri, Kosova ka pasur 6 kryeministra në gjithsej tetë mandate.
Asnjëri prej këtyre kryeministrave nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues prej katër vjetësh. Pothuajse secila prej qeverive në Kosovë, janë rrëzuar me mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen duke e futur vendin në cikle të parakohshme zgjedhore.
Qeverinë e re, kurdo që të ndodhë e nga kushdo që të formohet, e presin probleme të mëdha. Ekonomia e dëmtuar si pasojë e pandemisë, zgjedhja e presidentit të ri, e mbi të gjitha, procesi i dialogut me Serbinë.
“Kur po flasim për zgjedhje, është ideja e dialogut që na pret me Serbinë, pavarësisht që liderët kryesorë janë në Hagë, por çështja e dialogut nuk do të ndalet. Unë besoj se me konsolidimin e administratës Biden, do të jetë prapë presion qoftë nga BE, qoftë edhe nga Uashingtoni që dialogu të vazhdojë e Prishtina e Beogradi të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje politike”, shprehet analisti.
Në fakt, procesi i dialogut me Serbinë vlerësohet se ka rrëzuar disa prej qeverive, si pasojë e mospajtimeve brenda partive të koalicionit. Ndërkohë, procesi ka filluar në vitin 2011.