Qeveria holandeze rrëzohet pas përplasjeve për politikat e migracionit
Koalicioni qeverisës në Holandë është rrëzuar zyrtarisht të martën, pas vendimit të liderit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, për të tërhequr Partinë për Liri (PVV) nga qeveria, për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi politikat e migracionit.
Pas bisedimeve të shkurtra e të tensionuara mes katër partive të koalicionit të martën në mëngjes, Wilders bëri të ditur se kishte informuar kryeministrin për tërheqjen e PVV-së nga qeveria, duke theksuar se nuk mund të merrte më përgjegjësi për veprimet e kabinetit.
“Ne u bëmë pjesë e qeverisë për të zbatuar një politikë të fortë migracioni, jo për të rrënuar Holandën,” tha ai në një deklaratë për shtyp.
Wilders tha se partnerët e tij të koalicionit nuk ishin të gatshëm të mbështesnin idetë e tij për ndalimin e migracionit të azilit.
“Asnjë nënshkrim sipas planeve tona të azilit. PVV largohet nga koalicioni”, tha Wilders në një postim në X.
Wilders tha se e kishte informuar kryeministrin Dick Schoof se të gjithë ministrat nga partia e tij PVV do të largoheshin nga qeveria ndërsa nuk ka ardhur ende një reagim nga ana e Schoof.
Wilders, lideri i partisë më të madhe në parlament pas fitores në zgjedhjet e nëntorit 2023, kishte paralajmëruar në fund të majit se do të tërhiqej nga koalicioni nëse nuk miratohej brenda pak javësh plani i tij dhjetëpikësh për kufizimin e imigracionit.
Plani i propozuar nga ai përfshinte ndër të tjera:
- Mbylljen e kufijve për azilkërkuesit;
- Ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët e pranuar;
- Mbylljen e qendrave të pritjes për azilkërkues;
- Forcimin e kontrolleve kufitare;
- Dëbimin e shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë të dënuar për vepra penale.
Megjithatë, ekspertë të shumtë e kanë cilësuar planin si të pazbatueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetutën holandeze.
Disa analistë politikë sugjerojnë se Wilders e ka përdorur planin si një mjet strategjik për të provokuar rënien e qeverisë dhe për të kërkuar zgjedhje të reja.
Rënia e qeverisë pritet të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të fusë Holandën në një periudhë të re pasigurie politike.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Holanda po përgatitet të presë një samit të rëndësishëm të NATO-s.
LEXONI GJITHASHTU:
Kryeministri Burnham përuroi selinë e re qeveritare në Manchester, e emëron “Nr. 10 Veri”
Droni shkel hapësirën ajrore të Rumanisë, ngrihen avionët luftarakë
Zelensky do të udhëtojë drejt SHBA-së, zbulon se do të takohet me presidentin Trump në Uashington
- 14:45 Reshje breshëri në Devoll, dëme në bujqësi (FOTO)
- 14:44 Kryeministri Burnham përuroi selinë e re qeveritare në Manchester, e emëron “Nr. 10 Veri”
- 14:36 Droni shkel hapësirën ajrore të Rumanisë, ngrihen avionët luftarakë
- 14:35 Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti
- 14:23 Gjermania emëron Jurgen Klopp trajnerin e ri të futbollit
- 14:11 Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Policisë, procedohen 30 protestues. Arrestohen 2 të tjerë