Raiffeisen Bank gjatë 2022, CEO i bankës flet për performancën dhe sfidat

KOMENTE


SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Performaca e Raiffeisen Bank gjatë vitit që lamë pas, përshtatja me procesin e digjitalizimit, masat e marra nga inflacioni i lartë si rezultat i krizës, ishin disa nga çështjet e trajtuara gjatë një bisede ekskluzive me CEO e Raiffeisen Bank, Christian Canacaris në Euronews Albania.

Intervista e plotë

Si do ta vlerësonit performancën e bankës suaj dhe bankave të tjera që operojnë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar?

- Advertisement -

Viti 2022 do të mbahet mend si një moment kthese në histori, kur lufta në shkallë të gjerë u kthye në Evropë. Goditja e shkaktuar nga lufta pati ndikim në ekonominë e kontinentit dhe një ndikim jo i drejtpërdrejtë është ndjerë edhe në Shqipëri. Megjithatë, sektori bankar dhe veçanërisht Raiffeisen Bank i ka përballuar këto vështirësi falë treguesve të kapitalit dhe likuiditetit në nivele të larta.

Raiffeisen Bank ka pasur një vit të suksesshëm financiar me një rritje të të ardhurave neto pas interesit prej 30% në terma vjetorë, veçanërisht nga rritja e rendimentit të bonove të thesarit 1-vjeçare që shërbejnë edhe si pikë referimi për çmimet e kredive, por edhe për shkak të rritjes së volumeve.

Rezultatet paraprake tregojnë se Raiffeisen Bank e mbylli vitin 2022 me një ecuri të jashtëzakonshme. Mund të ndaj me ju disa shifra që nxjerrin në pah rezultatet tona (rezultate ende të paaudituara). Këtu mund të përmend se sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, aktivet u rritën me 9%, ndërsa rritja e kredisë ishte afërsisht dyshifrore me 9.3% në terma vjetorë. Fitimi neto shënoi një rritje prej 4.2 milionë euro në 32.3 milionë euro për të gjithë vitin 2022. Përveç kësaj, kthimi nga kapitali ishte 13.4% ose pak më i lartë krahasuar me vitin 2021.

Bazuar në standardet lokale të kontabilitetit, fitimi neto i sektorit bankar ka shënuar rënie në muajin nëntor si pasojë e goditjes në vlerën e tregut të titujve të qeverisë në portofolin e tregtueshëm. Në 11 muajt e parë të vitit 2022, fitimi neto i sektorit bankar ishte mbi 13% më i ulët se e njëjta periudhë e vitit 2021. Arsyeja për këtë është vlerësimi i lartpërmendur i letrave me vlerë në portofolin e tregtueshëm, të cilat u ndikuan negativisht nga rritja e theksuar e rendimentit të titujve. Kështu, kthimi nga kapitali (ROE) i sistemit bankar ra në 9.9% nga 12.5% ​​në 2021, por megjithatë ka mbetur në nivele të kënaqshme.

Për herë të parë në vitin 2022, në muajin nëntor, sektori bankar dëshmoi një ngadalësim të aktivitetit kreditues ku kreditë patën një rënie prej 20 milionë euro në krahasim me muajin e mëparshëm, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e kësaj rënieje ka ardhur si pasojë e vlerësimit të lekut kundrejt euros. Megjithatë, norma vjetore e rritjes ishte ende pozitive, edhe pse këto janë shenjat e para të reagimit të aktorëve ekonomikë ndaj rritjes së inflacionit që po ndikon në aktivitetin e tyre të përgjithshëm.

Dhe në fund, më duhet të them se Banka Qendrore ka bërë një punë të mirë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar në këto kohë të trazuara, dhe ne e vlerësojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen që kemi marrë prej tyre.

Mendoni se procesi i digjitalizimit të shërbimeve si një e mirë e përgjithshme duhet të integrohet sa me shpejt në sistemin e-albania? Cilat janë sugjerimet tuaja?

Duke marrë rastin e industrisë bankare, digjitalizimi ka pasur një ndikim të madh vitet e fundit. Është guri i themelit të strategjisë së bankave në mbarë botën. Bankat kanë qenë në gjendje të ofrojnë shërbime digjitale të reja dhe të përmirësuara për klientët dhe kjo ka rritur komoditetin për klientët dhe gjithashtu ka mundësuar operacione më efikase për bankat.

Megjithatë, digjitalizimi në çdo aspekt sjell edhe sfida të reja. Jo vetëm bankat, por çdo institucion që përpiqet t’i nënshtrohet transformimit digjital, duhet të jetë në gjendje të përshtatet me ndryshimet e shpejta në teknologji dhe të përditësohet me masat më të fundit të sigurisë.

Qeveria shqiptare synon digjitalizimin e të gjitha shërbimeve publike nëpërmjet platformës online e-Albania. Një zgjidhje e tillë ofron shërbime publike efikase, pa letra dhe transparente për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. Në përgjithësi, ne mbetemi pozitivë dhe të hapur për çdo digjitalizim në kryerjen e pagesave. Ne po shqyrtojmë dhe testojmë procesin për të vlerësuar mundësitë e mëtejshme.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave synojnë të minimizojnë përdorimin e cash-it dhe pagesave cash. Si e konsideroni këtë nismë të nisur prej kohësh? Sa e aftë është Shqipëria për të hyrë në një sistem të tillë pagesash që i afrohet nivelit 100%?

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për përfitimet dhe avantazhet e një ekonomie që nuk e përdor cash-in.

Tregu ynë ka bërë shumë progres në këtë drejtim falë nismave të Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe investimeve të bankave të nivelit të dytë.

Lehtësia e kryerjes së transaksioneve financiare është një nga stimujt kryesorë për të ecur drejt një ekonomie digjitale.

Ne në Raiffeisen Bank mund të themi me krenari se kemi qenë pionierë në digjitalizimin e produkteve dhe shërbimeve bankare në Shqipëri. Të qenit pjesë e një prej grupeve financiare më të mëdha në Evropë, siç është Raiffeisen Bank International, na jep mundësinë të dalim me risi dhe produkte që sjellin ndryshim në treg.

Në punojmë vazhdimisht në drejtim të reduktimit të përdorimit të cash-it dhe zëvendësimit të këtyre transaksioneve me ato digjitale. Hapat konkretë që duhen përmendur janë:

-Ne stimulojmë me ulje komisionesh ose lehtësi Transaksionet Digjitale kundrejt Transaksioneve në Degë

-Investojmë vazhdimisht në platformën tonë digjitale Raiffeisen ON për ta përmirësuar atë për lehtësinë e klientëve

-Një shembull tjetër është RaiPay- portofoli i parë digjital në Shqipëri (me teknologjinë NFC)

Ne besojmë fuqishëm se sektori bankar në Shqipëri është i përgatitur të mbështesë 100% sistemin e pagesave.

-Një shembull i thjeshtë, tashmë kemi 5 herë më shumë transaksione në pagesat e brendshme në euro pas procesit të ri të kleringut në Euro të zbatuar me sukses nga Bankës e Shqipërisë në janar 2022.

Pavarësisht nga të gjitha masat e marra si bankë, mendoj se kërkohen përpjekje më të mëdha nga të gjithë aktorët, qofshin ata publikë apo privatë, duke përfshirë ndryshimin e perceptimit të klientëve për përdorimin e cash-it, si dhe pasurimin e kuadrit ligjor mbështetës.

A ka ndikuar rritja e normave të interesit në shtrenjtimin e kredive gjatë këtij viti? A ju shqetëson fakti se niveli i kredive të këqija mund të rritet? A ka banka mekanizma mekanizma per t’u mbrojtur nga një gjë e tillë?

Po, rritja e normave të interesit të kredisë është pasojë e pashmangshme e shtrëngimit të politikës monetare, përveç të tjerash, në Shqipëri. Inflacioni i lartë i detyron bankat qendrore të veprojnë duke rritur normat e interesit për të mos përkeqësuar kushtet ekonomike veçanërisht të individëve të varfër që mbështeten kryesisht në të ardhura të kufizuara.

Siç e kemi parë, kjo po ndodh tani në të gjithë botën. Nga ana tjetër, kur fillon një cikël shtrëngimi, ai mund të shoqërohet edhe me një përkeqësim të cilësisë së kredive, por ne jemi të përgatitur për këtë, jo vetëm sepse krijojmë fonde provigjonesh bazuar në standardet më të mira të vendosura nga rregullatorët, si Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Evropiane, por edhe sepse tashmë kemi përvojë në menaxhimin e kredive me probleme si në vitet 2015-2016, gjë që na ka ndihmuar të jemi më të kujdesshëm në trajtimin e kredive të këqija.

Ne jemi gjithashtu të bindur se ekonomia në Shqipëri do ta përballojë mirë stuhinë që po i afrohet Evropës këtë dimër dhe rritja ekonomike do ta zbusë ndikimin e përgjithshëm në kreditë e këqija.

Megjithatë, ekziston rreziku veçanërisht për kreditë e pasiguruara, kryesisht për kreditë konsumatore, dhe më pak për kreditë hipotekore, si dhe për kredidhënien kundrejt kompanive që janë të ekspozuara ndaj fuqisë blerëse në rënie të konsumatorëve.

Duke pasur parasysh se borxhi i përgjithshëm i individëve është i ulët në krahasim jo vetëm me standardet evropiane, por edhe rajonale, mendoj se Raiffeisen Bank do t’i menaxhojë siç duhet kreditë me probleme bazuar edhe në një mekanizëm të konsoliduar të raporteve konservatore të huasë ndaj vlerës së pronës dhe shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, të cilat i zbatojmë prej shumë vitesh tashmë.

Cilët sektorë apo segmente të ekonomisë që keni kredituar, janë prekur më shumë nga kriza ekonomike (në vitin aktual nga kriza e inflacionit dhe më herët nga pandemia)?

Efekti i pandemisë ka qenë jetëshkurtër në ekonomi për shkak të rihapjes së shpejtë të vendit. Duhet të përmendim se Shqipëria po përballej me një tjetër tronditje para pandemisë, tërmetin dhe ne arritëm të shpëtonim të padëmtuar nga të dyja këto ngjarje me ndikim.

Goditja e inflacionit është ende e pranishme dhe nuk mund të arrijmë në përfundime për ndikimin që do të ketë në ekonomi dhe përfitueshmërinë e sektorit bankar. Megjithatë, nga shenjat e para duket se duke pasur parasysh se inflacioni i lartë mund të tkurrë të ardhurat e disponueshme të familjeve të varfra dhe me të ardhura mesatare, do të ndikojë në konsumin privat. Kontributet e fundit nga qeveria do ta zbusin disi këtë ndikim për një pjesë të caktuar të popullsisë, por konsumi në përgjithshësi pritet të jetë i ulët. Prandaj, pritet që tregtia të preket, duke qenë se ka edhe kontributin më të madh në aktivitetin e përgjithshëm kreditues.

Industria e ndërtimit ka ardhur në rritje të ndjeshme vitet e fundit, ndërkohë kredia për banesat mund të ketë një ngadalësim duke pasur parasysh se inflacioni i lartë do të kufizojë disponueshmërinë për të blerë prona dhe rritja e normave të interesit do t’i detyrojë bankat të jenë më konservatore në kreditim.

Lidhur me pyetjen tuaj, ka pak industri që kanë shënuar norma negative rritjeje kreditimi, nëse merret parasysh aktiviteti i përgjithshëm i kreditimit të sektorit bankar. Më të prekurat në pandemi kanë qenë shërbimet dhe veçanërisht ato argëtuese, të cilat ende nuk janë rikuperuar. Kreditimi për industrinë nxjerrëse gjithashtu ka pasur një ecuri të dobët, ndërsa ndërtimi ka pasur një rritje shumë të madhe. Sektori i tregtisë, i cili ka peshën më të madhe në huadhënie, ka pasur një rritje të lehtë. Ne presim që tregtia të mbajë barrën e normës së lartë të inflacionit, e cila ndoshta do të çojë në konsolidimin e sektorit që vuan nga fragmentizimi dhe produktiviteti i ulët.

Përballë rritjes së sulmeve kibernetike online të këtij viti ndaj institucioneve publike dhe private, sa të sigurta janë kursimet dhe të dhënat personale të njerëzve?

Po, Siguria Kibernetike është një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë dhe një nga më dinamiket. Ajo ka qenë në fokusin tonë prej vitesh; duke implementuar standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe duke monitoruar me vëmendje të veçantë kërcënimet globale kibernetike, veçanërisht ato që cenojnë institucionet financiare. Duke forcuar në mënyrë progresive sigurinë tonë me teknologjitë më të fundit në të gjitha nivelet mbrojtëse të sigurisë.

Sulmet kibernetike janë pjesë e realitetit tonë dhe do të vazhdojnë të jenë të pranishme, duke marrë parasysh evoluimin e shërbimeve/teknologjisë dhe dinamikën gjeopolitike. Megjithatë, ekzistojnë një sërë mekanizmash për të parandaluar sulmet e suksesshme dhe për të minimizuar/izoluar ndikimin e tyre.

Natyra e rreziqeve për institucionet financiare ka ndryshuar, duke anuar me shume drejt krimeve kibernetike dhe po kështu ka evoluar siguria jonë, duke u fokusuar më shumë në sigurinë e informacionit dhe atë kibernetike. Çdo shërbim digjital ka sigurinë kibernetike si një nga bazat mbi të cilën ndërtohet. Asnjë nga shërbimet digjitale nuk do të ishte i mundur, nëse siguria nuk do të kishte avancuar dhe nuk do të ishte në të njëjtin nivel.

Për më tepër, është thelbësore që secili prej nesh të edukohet për rreziqet kibernetike që lidhen me teknologjinë, e cila është bërë pjesë integrale e jetës sonë. Ne bëjmë vazhdimisht fushata ndërgjegjësimi për klientët tanë (dhe publikun) nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit me qëllim rritjen e njohurive për sigurinë kibernetike në Shqipëri. Gjithashtu, ne po punojmë nga afër dhe po ndjekim direktivat e Bankës së Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera për këtë çështje.

 

 

 

 

 




LINI NJE KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here


Etiketimet

Aplikacioni “Aktivisti”, Meta: Krim zgjedhor, po detyrohet administrata për “like”

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka akuzuar Partinë Socialiste se po përdor aplikacionin “Aktivisti” për të kontrolluar administratën publike në “like-t” dhe...

Kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të PD, Salianji bën deklaratën e fortë

Deputeti i PD-së Ervin Salianji është shprehur se kërkesa për përjashtimin e deputetëve të opozitës është bërë nga 7 deputetë që nuk flasin kurrë. Në...

“Po kontrollojnë like-t”/ PS për akuzat për “Aktivistin”: Do t’i ndjekim ligjërisht

Sekretari për Digjitalizimin në Partisë Socialiste, Etjen Xhafa, iu përgjigj këtë të mërkurë akuzave të opozitës se PS po përdor një aplikacion të quajtur...

TË FUNDIT

Aplikacioni “Aktivisti”, Meta: Krim zgjedhor, po detyrohet administrata për “like”

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka akuzuar Partinë Socialiste se po përdor aplikacionin “Aktivisti” për të kontrolluar administratën publike në “like-t” dhe...

Kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të PD, Salianji bën deklaratën e fortë

Deputeti i PD-së Ervin Salianji është shprehur se kërkesa për përjashtimin e deputetëve të opozitës është bërë nga 7 deputetë që nuk flasin kurrë. Në...

“Po kontrollojnë like-t”/ PS për akuzat për “Aktivistin”: Do t’i ndjekim ligjërisht

Sekretari për Digjitalizimin në Partisë Socialiste, Etjen Xhafa, iu përgjigj këtë të mërkurë akuzave të opozitës se PS po përdor një aplikacion të quajtur...

A po e heton SPAK Edi Ramën? Poli Hoxha tregon pistat e hetimit

Gazetari Poli Hoxha tha se SPAK ka çeduar në punën që po bën. Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxha referuar çështjes McGonigal tha se...

Major Cengu: 60 persona nën rrënojat e pallatit 8 katësh, kemi dëgjuar zëra

Major Endrit Cengu nga Turqia ka bërë me dije se aktualisht ekipi i kërkim-shpëtimit nga Shqipëria ndodhet në zonën e Malazya ku aktualisht po...




Sondazh

A jeni dakord për rihapjen e basteve sportive sipas kushteve të reja online të qeverisë?
×