Rama përdor fjalët e artistëve për të mbrojtur shembjen e Teatrit Kombëtar

28 Maj 2020 | 08:37

Kryeministri Edi Rama vendosi t’i përgjigjet pyetjeve të opozitës parlamentare rreth çështjes së Teatrit Kombëtar duke ripërmendur fjalët dhe qëndrimet e mbajtura nga artistë që e kërkuan shembjen e tij.

Pas kërkesëllogarisë së nisur nga deputetja Rudina Hajdari, Rama tha se “nuk ka më fjalë për teatrin” dhe se për këtë do të lexojë fjalët e atyre që “janë teatri”.

Nga Robert Ndrenika, Rama citoi: “Ju lutem mos më kryqëzoni, kam qenë prej vitesh e jam për një teatër kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar. Paratë le t’i marrë ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Bros Tito”. 
 
Nga Arben Derhemi, Rama citoi: “Grupi i artistëve, pjesë e lëvizjes së mbrojtjes së këtij Teatri, vendosën se duhet të ishin pjesë e bisedave dhe negociatave me kryetarin e bashkisë. Sipas asaj që kishim rënë dakord me njëri – tjetrin, ne, grupi i përfaqësuesve dhe artistëve, shtruam dy probleme shumë të rëndësishme; Të mos preket trualli dhe territori i Teatrit Kombëtar dhe të shpallej konkurs ekspertësh për teatrin. Skena e tij na njeh të gjithëve se kush jemi dhe sa vlejmë. Ata që duan të bëjnë shfaqje jashtë kësaj skene dhe historisë së atij tempulli, janë jashtë historisë, për të gjitha arsyet”.
 
Nga Bujar Asqeriu, Rama citoi: “Unë jam për unitetin dhe paqen sociale, nuk e mbështes protestën që bëhet tani, nuk ka më sens. Logjika më e thjeshtë është që artistët të mendojnë ndryshe. Unë në ato godinë nuk futem më, sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk e pranoj, nga ajo godinë që vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurë dhe unë, jam për paqe sociale e nuk më përdor dot, as PD-ja, as PS-ja. Dua një teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”. 
 
Nga Reshat Arbana, Rama citoi: “Nëse një pjesë e mirë e territorit që nga i bashkisë, le t’ia lërë Teatrit. E kemi parë të gjithë se në çfarë gjendje është, si është katandisur. Ta mendojnë këtë punë ata që janë specialistë. A bëhet një teatër në atë sallë apo një i ri, lërjani territorin teatrit”. 
 
Nga Luftar Paja, Rama citoi: “Po që të kemi këtë teatër, ne si artistë harrojmë gjërat kryesore dhe merremi me llaç e me tulla. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatër Kombëtar e aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të  vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë”. 
 
Më tutje, nga Altin Basha, Rama citoi: “Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli, ramë dakord për dy përfaqësues të komitetit që do të jenë në komisionin e negocimit për kontratën. Unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këdo për këto pikëpamje. Si regjisor e deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët”.
 
Nga Enver Petrovcki, Rama citoi: “Për mua është një budallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb, sidomos Teatri Kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt, mirëpo të ndërtohet teatri i ri, absolutisht që është budallëk me e kundërshtue. Ai teatër që ekziston, nuk ka kurrfarë vlere”. 
 
Nga Artan Imami, Rama citoi: “Më vjen në mend një takim i vitit ‘87-të apo ’88-të, me Ismail Kadarenë e ndërkohë që po  bisedonim në një nga studiot, dikush e pyeti, si duket niveli i teatrit e ai ndërkohë që i kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit ku po binte suvaja, thotë, po ja, ashtu si kjo godinë”. 
 
Nga Bruno Shllaku, Rama citoi: “Përsa i përket çështjes së Teatrit më vjen keq se shumë nuk e dinē se është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojash. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë një vlerë më të madhe kur të bëhet një godinë e re bashkëkohore, që t’i përkasë Teatrit Kombëtar, i cili shumë shpejt duhet të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, objektet, figurat e teatrit të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i ri modern, që jam i bindur se duhet të ndërtohet”. 
 
Nga Niko Kanxheri, Rama citoi: “Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godina të ndërtuara për të qenë provizore duhet të zhbëhet. Godina nuk sjell nostalgji. Historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar në arkiv, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet muzikën etj.”
 
Nga Raimonda Bulku, Rama citoi: “Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit apo mbi teatër, në qiell le të ndërtohet, nuk kam ndonjë gjë. Unë dua të ndërtohet një teatër, nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur pa asnjë dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël, unë nuk e di si punojmë aty, është një turp të punosh aty”.
 
Nga Dirta Haxhiraj, Rama citoi: “Unë jam emëruar në Teatër në vitin 1967, kur mbarova Institutin e Lartë të Arteve. Të gjithë aktorët në vitin ‘72-‘73, duke filluar nga më të mirët dhe më të fortët në zë si Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, sepse ne ishim të rinj aso kohe, diskutonin për domosdoshmërinë e një teatri të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmur nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë dhe të  fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta, kolegu dhe partneri që nga fëmijëria, Roland Trebicka. Nuk ka qenë ai një teatër për të qenë. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem që duhet një teatër i ri. Artistët tanë të mëdhenj  i kanë kërkuar në mbledhje Manush Myftiut një teatër të ri. Kur u ngrit problemi, ata i thanë, ju lutem i thoni partisë për një teatër. Myftiu ra dakord, duke i thënë se do t’i kthente një përgjigje, ndërsa Violeta Manushi ia ktheu, ne nuk do ta arrijmë, por bëjeni për këta të rinj, sepse janë të talentuar. Jam shumë e lidhur shpirtërisht me të vjetrin, por aty duhet ndërtuar i ri për aktorët që punojnë në të dhe për brezat e ardhshëm. Teatri Kombëtar duhet të jetë për publikun dhe për aktorët”. 
 
Nga Josif Papagjoni, Rama citoi: “Më thoni një teatër në Ballkan që është në këtë gjendje. Unë as nuk e mendoj dot. Ne duhet t’i krijojmë publikut mundësinë, shansin, bukurinë që të kënaqet. Njeriu, kur shkon në teatër, duhet të ndjejë parfum”. – Jo të ndjejë PD-në, këtë e them unë. – “Duhet të ndjejë që është një godinë e bukur, që është një godinë e kënaqshme, ku perceptohet produkti artistik. Por kur shkoj atje, më falni, por atje ndjehet era myk, atje vjen era lagështirë”. – 
Komponentët e lagështirës ky nuk i ka thënë, ju mund t’i merrni me mend vetë. – “Si mund ta heqim ne lagështirën? Bëj 1 mijë rikonstruksione, ajo nuk hiqet. Ajo godinë është e kalbur. Ne duhet të bëjmë një katarsis brenda vetes. Pyetja është sfidante, a mund ta ftojmë ne këtu trupën e Berlinit të japë një shfaqje? A mund të bëjmë ne një festival këtu në Teatrin Kombëtar me këto kushte që ka? Një produkt të Lirit apo Hamletit?”
 
Nga Gëzim Kame, Rama citoi: “Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do shembej. Dakord i thamë të gjithë ne, me në krye Kadri Roshin. Por dhe ajo nostalgjia që flitet, kreu i aktorëve Kadri Roshi thoshte aman na bëni një tjetër të ri, ishte një ëndërr e gjithë aktorëve, sepse që në ’46-ën që ka qenë, ata kanë qenë në një barakë”. 
 
Nga Laert Vasili, Rama citoi: “Të ardhmen nuk e ndalon dot njeri! Ky projekt ka një super arkitekt. Teatri i ri e ka një autor që këshillohet me ne dhe për ne, ndërkohë që disa nga ne bëjnë deklarata për luftë. Të dashur miq, çështja është urgjente, situata është emergjente, teatri na duhet dje, jo sot dhe as nesër. Na duhet dje!”

 

Lexoni gjithashtu:

Hajdari akuzon Ramën se shembi Teatrin Kombëtar për të kënaqur me kulla miqtë e tij

PD denoncon kërkesën e Veliajt për të marrë borxh 30 milionë euro për teatrin e ri

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026