Rama tha se do presin Kushtetuesen për imunitetin e Ballukut, reagon PD

21 Dhjetor 2025 | 13:52

Partia Demokratike ka reaguar këtë të diel pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në procesin parlamentar dhe bllokim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratën e saj, PD shprehet se Rama, “në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres së tij, Lubi Balluku, sipas tij deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Sipas opozitës, kryeministri ka urdhëruar ndërprerjen e procesit parlamentar, duke theksuar se ai “urdhëroi Peleshin dhe Ballën të ndërprisnin brutalisht, pa asnjë shkak, shqyrtimin në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut”.

PD pretendon se kërkesa e SPAK nuk lidhet me asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Sipas deklaratës, “kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, duke shtuar se ajo “bazohet në fakte dhe dokumente të vjedhjeve mbi 1.2 miliardë euro” dhe në hetime për afera të tjera, përfshirë Unazën e Madhe të Tiranës.

Në deklaratë, opozita i referohet edhe kuadrit kushtetues, duke theksuar se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në nenin 118, “detyron Parlamentin dhe Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet të shqyrtojë menjëherë kërkesën e Prokurorisë dhe ta përfundojë brenda dy javëve raportin për ta paraqitur si pikë të parë të rendit të ditës në seancën e parë plenare pasardhëse”.

Partia Demokratike e akuzon gjithashtu Ramën se, përmes këtij veprimi, “jo vetëm bllokon pushtetin gjyqësor, por merr gjithashtu pushtetin e Parlamentit, duke asgjësuar de facto këtë institucion”.

Në fund të deklaratës, PD “denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës” dhe u bën thirrje qytetarëve për reagim publik, duke kërkuar mobilizim për mbrojtjen e ligjit dhe Kushtetutës.

Kryeministri Edi Rama nuk ka bërë një reagim të drejtpërdrejtë ndaj deklaratës së PD-së, përtej qëndrimeve të shprehura më herët gjatë podkastit “Flasim”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Edicioni i gjashtë i Gjirokastra Rocks Festival ndez atmosferën

Fundjava në Gjirokastër është gjallëruar nga organizimi i edicionit të gjashtë të “GJIROKASTRA ROCKS FESTIVAL”. Tashmë ky aktivitet ka fituar një traditë të veçantë ndërsa...
17:53 | 05/07/2026

80 ampula fentanil të vjedhura nga spitali në Romë, nis hetimi për trafikim

Qeveria italiane ka ngritur alarmin pasi 80 ampula fentanil janë vjedhur nga farmacia e spitalit Israelitik në Romë, pa asnjë shenjë hyrjeje me forcë. Sasia...
16:29 | 05/07/2026

Zjarri përfshin një fabrikë nafte në Greqi, dëmtohen biznese dhe banesa

Një zjarr i madh që shpërtheu në komunën e Oraiokastros, pranë qytetit portual të Selanikut në Greqi, ka përfshirë një zonë industriale, duke shkaktuar dëme...
15:55 | 05/07/2026