Moti i keq me reshje shiu, dëbore dhe erë të fortë përfshiu të gjithë vendin në 24 orët e fundit. Në disa qarqe ka pasur probleme me qarkullimin, ndërsa reshjet e shiut, që kanë rënë me shumë intensitet që prej mbrëmjes së djeshme, kanë rrëzuar masivë gurësh shkëmborë në rrugën Berat-Poliçan.
Prurjet e shumta të lumit Vjosa gjate natës ka bërë që në orët e para te ditës së premte të dalin nga shtrati dhe të përmbytin pazarin e kafshëve poshtë urës së Mifolit. Sipas kreut te Njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj, niveli i lumit deri kë këto momente është 6.5 m mbi nivelin e detit, dhe prurjet vazhdojnë.
Duhet të bëjnë kujdes familjet qe ndodhen afër lumit dhe në qoftë se vijon të këtë prurje dhe niveli të rritet akoma, rrezikohen përmbytje. Kuota maksimale e cila sjell përmbytje masive është deri në 8 m mbi nivelin e detit
Edhe në veri të vendit situata nga reshjet intensive paraqitet shqetësuese teksa qindra hektarë tokë janë përmbytur.
Gjatë natës ka pasur rritje të nivelit të ujit në shkarkimet për shkak të reshjeve në lumin Drin e Bunë.
Hidrometri në Lumin Buna tregon rritjen e nivelit të ujit në 5.8 m. Rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit deri në 60 cm. Në fshatin Shirq, në vendin e quajtur Urrela dhe Mushan, uji ka përmbytur 489 ha toke.
Bashkia Shkodër kërkon pajisjen e mjeteve të ushtrisë për lundrimin dhe krijimin e aksesit për banorët e Obotit.
Korrespondenti i Euronews Albania në Sarandë, Viktor Avdiaj bëri me dije se reshjet e rëna në 72 orët e fundit kanë krijuar probleme në qarkullin në rrugën nacionale duke shkaktuar edhe përmbytjen e tokave bujqësore.
“Lumi Bistrica ka dalë nga shtrati duke përmbytur tokat bujqësore. Rruga nacionale Sarandë- Gjirokastër është bllokuar për gjysmë ore pasi në afërsi të hidrocentralit Bistrica është rrëzuar një masiv shkëmbor, por me ndërhyrjen e firmës mirëmbajtëse të rrugës situata i është kthyer normalitete”, tha korrespondenti i Euronews Albania, teksa shtoi se nëse vazhdon ky intensitet reshjesh, mund të ketë probleme edhe me përmbytjet e banesa në disa fshatra të zonës.