Është prezantuar mbrëmjen e së martës filmi i restauruar në 4K, “Ngadhnjim mbi vdekjen”.
Mes kujtimesh dhe emocionesh, është përjetuar shfaqja e filmit në kinemanë “Millenium”, ku të pranishëm në sallë ishin regjisori i filmit, Piro Milkani, dhe artistët e ekipit të filmit.
Një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani, erdhi në versionin e digjitalizuar 58 vite pas realizimit të tij.
Regjisori Piro Milkani sjell në vëmendje se ai ishte vetëm 29 vjeç kur realizoi këtë film dhe sot shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e realizuan.
“Pas 58 vitesh, asistoj me emocion të veçantë në këtë film, që për mua ka shënuar një ngjarje të rëndësishme të jetës sime, sepse ai film na nderoi. Nuk mund ti përmend të gjithë emrat, por shpreh mirënjohje për Peçi Dado, Gëzim Erebara, Saim Kokona, Feim Ibrahimi, Eglantina Kume, Edi Luarasi, Naim Frashëri etj. Falenderojmë Arkivin e Filmit dhe shpresojmë të digjitalizojë edhe filma të tjerë, sepse ata janë pjesë e historikut të kulturës dhe artit shqiptar”, – thotë Milkani.
Për aktoren Eglantina Kume, restaurimi i filmit i kthen atij dinjitetin.
“Jam e lumtur për restaurimin e filmit dhe mendoj se iu rikthye dinjiteti filmit, sepse ka qenë edhe i dënuar për shumë vite dhe ne e kemi vuajtur shumë, të gjithë protagonistët e filmit.”
Ndërsa, Rudi, djali i regjisorit Gëzim Erebara, shprehet:
“Kam ardhur bashkë me fëmijët dhe do ta shohim filmin siç e kam parë unë me babanë tim në moshën e vajzës sime në atë kohë. Do të shohim si do të reagojnë ndaj një filmi që është krijuar 3-4 vite para se të lindja unë.”, thotë Rudi Erebara.
Ersila, mbesa e aktorit Naim Frashëri, vlerëson që ky film iu përcillet brezave të rinj.
“Vetë e kam parë vonë këtë film, sepse ka qenë i ndaluar, e kam parë pas viteve ‘90-të, por sigurisht në shtëpi kam dëgjuar ndonjë batutë lidhur me aktoret kryesore, Eglantinën apo Edi Luarasin. Më ka pëlqyer shumë kur e kam parë për herë të parë dhe shpresoj që edhe ata që e shohin sot për herë të parë, si djali im, ta pëlqejnë.”, thotë ajo.
“Ngadhnjim mbi vdekjen” është një prej filmave shqiptarë të cilëve iu ndalua qarkullimi për gati dy dekada gjatë periudhës së diktaturës komuniste, për shkak se në film interpreton Edi Luarasi, e dënuar pas Festivalit të 11-të të këngës në Radio Televizion.
I restauruar nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ky versioni rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit të filmit.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Borëbardha” kryeson shitjet e biletava, pavarësisht kritikave për filmin
- Letonia bën histori, për herë të parë fiton çmimin Oscar me filmin e animuar “Flow”