Rolling Film festival në Kosovë, promovohet arti rom dhe jepet çmimi “Young Talent Award”

24 Prill 2021 | 18:33

Eshtë mbajtur në Kosovë  “Rolling Film festival”,  i vetmi festival në nivel evropian që promovon artin dhe kulturën rome nëpërmjet filmave dhe veprave artistike të prodhuar nga ky komunitet.

Drejtori i këtij festivali Avni Mustafa tha se qëllimi i aktivitetit ka qenë që të promovohet kultura rome. Përmes filmave që u shfaqën tregohet se me çfarë ballafaqohen qytetarët e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali në Kosovë.

“Është një festival që promovon kulturën rome në Kosovë, dhe të njëjtën kohë është duke luftuar kundër stereotipave, diskriminimit që është duke u ballafaquar komuniteti rom këtu në Kosovë, në këtë edicion ne kemi shfaqur 30 filma prej krejt Evropës, në të njëjtën kohë kemi pasur mundësi të shfaqim edhe disa filma që kanë qenë prej Kosovës”, u shpreh z. Mustafa.

Drejtori i “Rolling Festival” përmendi edhe problemin e papunësisë me të cilin përballet komuniteti rom.

“Grupi më i madh i abuzuar edhe i diskriminuar është komuniteti rom për fat të keq, por në të njëjtën kohë edhe komuniteti që përfaqëson një përqindje të madhe të papunësisë është komuniteti rom… Mentaliteti në Kosovë ka nevojë të ndryshojë… Diferenca nuk ka nevojë të luajë rol të veçantë, ne kemi nevojë për të jetuar bashkë, jemi më shumë se 6 komunitete duke jetuar në Kosovë dhe besoj që diversiteti nuk duhet të shihet si barrierë… Në Kosovë jemi rreth 38 mijë njerëz romë, ashkali, egjiptian, 91% në këtë komunitet nuk janë të punësuar”, tha ai.

Aktiviteti u ndoq edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili premtoi zgjidhje për problemet që shqetësojnë këtë komunitet.

“Ky festival i Filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar më mirë dhe më drejt nevojat e komunitetit rom, por edhe ta rrisë ndërgjegjen për të krijuar një shoqëri që nuk përjashton. Si shumicë, ne duhet ta afrojmë pakicën dhe pakicat që të bëhen pjesëmarrëse brenda nesh dhe me ne, prandaj dhe qasja jonë është që pakicat të jenë pjesë përbërëse dhe jo e veçantë”, tha kryeministri i Kosovës.

Në këtë ceremoni u nda edhe çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj. Fituesja e parë e këtij çmimi ishte Blerina Bytyqi, ndërsa fituesi i dytë Ardian Krasniqi.

Edicioni i 6-të i “Rolling Film” si tematikë kishte “Gojëdhënat – Realiteti i ri” nëpërmjet filmave dhe aktiviteteve, ku u trajtuan tema rreth jetës së komunitetit rom duke adresuar gojëdhënat të cilat kanë ndërtuar një realitet të hidhur për komunitetin duke shtresuar paragjykimet, stereotipet ndaj këtij komuniteti.

Z.Orhan Usein, Shefi i Zyrës së Projektit të Integrimit të Romëve në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal përshëndeti eventin dhe theksoi se projekti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Integrimin e Romëve e mbështeti festivalin për herë të parë dhe se ia vlente absolutisht.

“Kjo ngjarje luftoi paragjykimet dhe stereotipet në një mënyrë më të mirë se çdo letër e shkruar në lidhje me të ose ndonjë fjalim politik të mbajtur ndonjëherë. Për këtë, unë dua të përgëzoj organizatorët dhe të gjithë ata që morën pjesë në festival në asnjë mënyrë”, shtoi ai.

Sponsor i këtij festivali është Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, projekti i Integrimit të Romëve, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026