Rubio e përmbyll turneun në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese për aleatët rajonalë

25 Qershor 2026 | 20:23

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përmbylli më 25 qershor një vizitë triditore në Gjirin Persik, me mesazhe për t’i qetësuar aleatët e Uashingtonit në rajon, duke ritheksuar synimin për ta ndjekur rrugën e diplomacisë me Iranin dhe duke këmbëngulur për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Duke folur pas një takimi ministror të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Bahrejn, ai u përpoq t’i zbusë shqetësimet mbi kornizën e marrëveshjes SHBA–Iran, duke theksuar se partnerët rajonalë do të njoftohen “në çdo hap të procesit” të bisedimeve.

Kjo vizitë, e para për të në Gjirin Persik qëkurse u nënshkrua marrëveshja e përkohshme SHBA–Iran javën e kaluar, vuri në pah si brishtësinë e procesit të paqes në zhvillim, ashtu edhe shqetësimet e aleatëve arabë që ende janë të tronditur nga sulmet iraniane gjatë konfliktit.

Asnjë befasi për aleatët

“Është e rëndësishme t’i theksojmë disa gjëra që janë prioritet për ne. Ne duam një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Ne duam një marrëveshje të mirë”, tha ai gjatë takimit të GCC – i cili përfshin Bahrejnin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne duam të sigurohemi se çdo vendim që merret gjatë këtij procesi negociues t’i përfshijë gjithmonë interesat e partnerëve dhe aleatëve tanë në rajon”, tha Marco Rubio.

Mesazhi kryesor i turneut të Rubios ishte sigurimi: çdo mirëkuptim përfundimtar me Teheranin do të duhej të trajtonte jo vetëm çështjet bërthamore, por edhe rrjetin e përfaqësuesve të Iranit, aktivitetin e raketave balistike dhe kërcënimet detare.

Duke folur për gazetarët në Manama, Rubio tha se mbështetja e Iranit për grupe të armatosura në rajon duhet të adresohet në bisedimet e gjera.

“Kur ju jepni para, për shembull, për Hezbollahun për të vepruar si rival i qeverisë sovrane të Libanit, ju ndërhyni në politikën e tyre. Kur mbështesni milici në Irak, ju ndërhyni në Irak. Kur mbështesni Hamasin ose huthët, ose këdo tjetër, ju ndërhyni në sovranitetin e këtyre vendeve”, tha Rubio.

Ai shtoi: “Nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në këtë rajon për sa kohë që aktorë joshtetërorë veprojnë brenda kufijve të shteteve sovrane dhe financohen nga Irani”.

Duke e thënë këtë ai adresoi ndër druajtjet kryesore të shteteve të Gjirit: se Uashingtoni mund të arrijë një marrëveshje të ngushtë bërthamore, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj luftës së ripërtërirë të grupeve të armatosura.

Memorandumi i mirëkuptimit (MOU) i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nuk përmend grupet e armatosura si huthët në Jemen apo Hezbollahun në Liban. Nuk e përmend as programin e raketave balistike të Iranit.

Ngushtica e Hormuzit është kyç

Nëse kishte një çështje që Rubio e theksoi mbi të gjitha gjatë turneut, ajo ishte Ngushtica e Hormuzit.

“Një gjë që u bë shumë e qartë është se nuk ka asnjë mbështetje, zero mbështetje mes vendeve të Gjirit për çdo lloj takse apo tarife për përdorimin e ujërave ndërkombëtare”, tha Rubio.

Ai e ashpërsoi paralajmërimin më vonë: “Nëse po vendosni taksë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim, nuk do ta tolerojmë, nuk do ta lejojmë”.

Rubio përsëriti refuzimin për të bërë dallim mes “tarifave” dhe “taksave”.

“Mund ta quani tarifë, mund ta quani taksë, quajeni si të doni. Nëse po vendosni tarifë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim”, theksoi ai.

MOU përcakton se Irani do të bëjë “përpjekjet më të mira” për të siguruar kalim pa tarifa për “vetëm 60 ditë”, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare.

Prej se u nënshkrua, zyrtarët iranianë kanë deklaruar vazhdimisht se Irani do të vendosë “tarifa shërbimi” për kalimin e anijeve. Përpjekjet për të afirmuar kontrollin iranian mbi ngushticën vazhduan më 25 qershor, pasi Garda Revolucionare e Iranit theksoi se anijet mund të kalojnë vetëm nëpër ujërat iraniane, jo përmes rrugës jugore në ujërat e Omanit, për të cilën Uashingtoni ka bërë thirrje të përdoret për transportin detar.

Kërcënimi i nënkuptuar ndaj transportit detar u hodh poshtë nga Rubio, i cili tha se Uashingtoni do ta gjykonte Iranin jo nga retorika e tij, por nga fakti nëse transporti vazhdon pa ndërprerje.

“Ajo që na intereson është nëse anijet po lëvizin”, tha Rubio. “Nëse anijet po lëvizin siç duhet, atëherë këtë do ta marrim si kriter”.

Por, ai shtoi një paralajmërim: “Nëse kjo ndalet, atëherë do të kemi një problem”.

Deri tani, transporti detar është rritur ndjeshëm qëkurse u nënshkrua MOU, edhe pse mbetet ende shumë më poshtë niveleve të para luftës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rritet ndjeshëm trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, niveli më i lartë pas luftës SHBA-Iran

Trafiku i anijeve tregtare në Ngushtica e Hormuzit ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur nivelin më të lartë ditor që nga fundi i shkurtit....
20:04 | 25/06/2026

Moti ekstrem, OBSH: Vala e të nxehtit në Europë është emergjencë shëndetësore

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Europën po kthehen në një kërcënim serioz për shëndetin publik. Teksa vala e të nxehtit po shkakton viktima në disa...
19:08 | 25/06/2026

SHBA mobilizon ndihma për Venezuelën pas tërmeteve vdekjeprurëse

Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM) njoftoi se po bashkëpunon me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë për të mbështetur operacionet e ndihmës...
18:53 | 25/06/2026