“Rusia po fiton kohë”- Zelensky reagon ashpër pas telefonatës Trump-Putin

20 Maj 2025 | 15:24

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përdor bisedimet për armëpushim thjesht për të zgjatur luftën, ndërsa vijon ofensivën në Ukrainë. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky tha se Moska “po përpiqet të fitojë kohë” dhe paralajmëroi se, nëse Kremlini vazhdon me kushte jorealiste, “duhet të përballet me pasoja të rënda”.

Kjo deklaratë vjen një ditë pas telefonatës së presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas Trump, negociatat për paqe pritet të nisin “menjëherë”, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i zbehu pritshmëritë duke deklaruar për mediat ruse se “nuk ka afate konkrete dhe nuk mund të ketë”.

Putin ka shprehur gatishmëri për të punuar mbi një “memorandum për një marrëveshje të mundshme paqeje”, por ka refuzuar propozimin për një pauzë 30-ditore të luftimeve.

Në vijim të përpjekjeve diplomatike, Zelensky zhvilloi biseda me disa liderë perëndimorë, përfshirë presidentin e Finlandës, me qëllim forcimin e presionit ndërkombëtar ndaj Moskës. Ai nënvizoi se Ukraina dhe aleatët e saj po punojnë për ta detyruar Rusinë të ndryshojë qasjen përmes sanksioneve dhe izolimit diplomatik.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan sanksione të reja kundër Rusisë, përfshirë bllokimin e afro 200 anijeve cisterna që përbëjnë pjesë të ashtuquajturës “flotë në hije” të eksportit të naftës ruse.

Në kontrast me këtë, Trump ka sinjalizuar se nuk mbështet vendosjen e sanksioneve të reja, duke theksuar se masa të tilla mund të rrezikojnë përparimin e arritur së fundmi.

Situata në vijën e frontit mbetet e tensionuar, me luftime intensive dhe mungesë vullneti nga pala ruse për të pranuar kushtet e një armëpushimi. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se veprimet e fundit të Rusisë “flasin më shumë se fjalët e zbrazëta që kemi dëgjuar për kaq gjatë”.

“Putini po luan për kohë. Është e qartë se nuk është serioz për paqe,” u shpreh Pistorius.

Deri më tani, përpjekjet për të vendosur një armëpushim të qëndrueshëm kanë dështuar, ndërsa kriza humanitare dhe humbjet e civilëve në Ukrainë vijojnë të përkeqësohen.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Carney dhe Trump zhvillojnë një bisedë telefonike, çfarë u diskutua

Kryeministri kanadez Mark Carney tha të enjten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e telefonoi të mërkurën përpara bisedimeve të NATO-s, duke përshkruar një bisedë...
20:57 | 25/06/2026

NATO do njoftojë dhjetëra miliardë dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin e Ankarasë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se aleanca do të zbulojë dhjetëra miliarda dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin...
20:55 | 25/06/2026

Pamje nga ajri, imazhet e shkatërrimit nga tërmetet katastrofike në Venezuelë (VIDEO)

Pamjet e marra nga ajri tregojnë nivelin e shkatërrimit nga 2 tërmetet 7,2 dhe 7,5 të shkallës rihter që goditën Venezuelën. Të paktën 188 persona...
20:54 | 25/06/2026