Rusia propozon raund të ri negociatash me Ukrainën në Stamboll

29 Maj 2025 | 09:45

Rusia ka propozuar zhvillimin e një raundi të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll më 2 qershor, me synimin për të arritur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, tha të mërkurën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Kievi.

Nën presionin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, delegatë nga të dyja palët u takuan më herët këtë muaj në Stamboll — hera e parë që nga marsi i vitit 2022, muaji pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Takimi i 16 majit nuk arriti në një marrëveshje armëpushimi, siç kishin kërkuar Kievi dhe aleatët perëndimorë. Moska deklaroi se duhen përmbushur disa kushte përpara se një armëpushim të jetë i mundur.

“Shpresojmë që të gjithë ata që janë sinqerisht – dhe jo vetëm me fjalë – të interesuar për suksesin e procesit të paqes, të mbështesin zhvillimin e një raundi të ri bisedimesh të drejtpërdrejta ruso-ukrainase në Stamboll”, tha Lavrov në një deklaratë.

Pas një bisede telefonike me Trump-in më 19 maj, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum që do të përshkruajë kuadrin e një marrëveshjeje paqeje.

Më herët të mërkurën, Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus në bisedimet për paqen me Ukrainën, tha në aplikacionin Telegram se kishte telefonuar ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, për të propozuar datën dhe vendin e takimit të ardhshëm.

“Dua të theksoj: atje, në vend, jemi të gatshëm të fillojmë një diskutim të rëndësishëm dhe përmbajtjesor për secilën nga pikat e marrëveshjes së mundshme për një armëpushim,” tha Medinsky.

Ai shtoi se pret një përgjigje nga Ukraina.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se është rënë dakord që Rusia dhe Ukraina do të përgatisin secila versionin e vet për “modalitetet e zgjidhjes dhe armëpushimit”, të cilat do të diskutohen dhe shkëmbehen në raundin e ardhshëm të bisedimeve.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës ka zhvilluar së fundmi një telefonatë me kreun e delegacionit rus në bisedimet e Stambollit, deklaroi të mërkurën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, për të diskutuar rreth memorandumit që Moska është duke përgatitur, i cili përmban kushtet e saj për një marrëveshje paqeje.

Ministri Rustem Umerov drejtoi delegacionin ukrainas në bisedimet e 16 majit, takimi i parë midis dy vendeve në luftë që nga pranvera e vitit 2022. Pala ruse u përfaqësua nga Vladimir Medinsky.

Kievi dhe aleatët e tij kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, si bazë për bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit. Nga ana tjetër, Moska ka thënë se ka kushte specifike që duhet të përmbushen më parë, dhe është zotuar se do t’i paraqesë ato me shkrim.

Duke folur në Berlin, Zelenskiy akuzoi Rusinë për zvarritje të qëllimshme të negociatave për përfundimin e një lufte që ka zgjatur mbi tre vjet.

“Bota po pret prej më shumë se një jave që rusët të përfundojnë të ashtuquajturin memorandum të tyre për atë që u nevojitet për të ndalur vrasjen e njerëzve”, tha ai.

Zelenskiy shtoi se Ukraina ka kontaktuar me palën ruse pas bisedimeve në Stamboll, kur Rusia premtoi se do të përgatiste një memorandum për të ardhmen e procesit të paqes, por që deri tani nuk ka marrë asnjë dokument.

“Pala jonë – ne kemi qenë në kontakt me rusët. Ministri i Mbrojtjes telefonoi Medinsky-n. Ata thanë që do të ndodhte. Por nuk kemi marrë asgjë,” tha Zelenskiy, duke shtuar se as SHBA nuk ka marrë ndonjë dokument.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të mërkurën se Rusia po përgatitet për raundin e radhës të negociatave me Ukrainën dhe për të vazhduar kontaktet me Shtetet e Bashkuara.

Peskov konfirmoi se Stambolli mund të jetë sërish vendi ku do të zhvillohen bisedimet e ardhshme.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rumania në alarm, F-16 rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh në hapësirën e saj ajrore

Tensionet vijojnë të mbeten të larta në kufirin lindor të NATO-s, pasi Rumania njoftoi se një avion luftarak F-16 ka rrëzuar një tjetër dron që...
10:56 | 26/07/2026

Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi vijon në Detin e Kinës Jugore për gjetjen e 23 personave të zhdukur, pas mbytjes së një anijeje vietnameze me...
09:19 | 26/07/2026

Aksident i rëndë në Gjermani, karvani përplaset me kolonën e makinave, 34 të plagosur mes tyre fëmijë

Të paktën 34 persona, mes tyre shumë fëmijë, kanë mbetur të plagosur të shtunën në një aksident të rëndë në autostradën A9 në Turingi, në...
09:03 | 26/07/2026