Rusia rifillon sulmet e natës në qytetet kryesore të Ukrainës

3 Shkurt 2026 | 07:20

Rusia ka rifilluar sulmet me raketa dhe dronë ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i dhënë fund një pauze të shkurtër të rënë dakord mes Moskës dhe Uashingtonit. Zyrtarët lokalë thanë të martën se bombardimet u zhvilluan në një moment kritik, teksa vendi po përballet me temperatura ekstreme dimërore.

Gazetarët e CNN në Kiev raportuan se dëgjuan disa shpërthime të forta gjatë natës. Sipas autoriteteve ukrainase, disa ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një çerdhe janë dëmtuar. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se tre persona janë plagosur në sulmin ndaj kryeqytetit.

Një video e publikuar nga shërbimet e emergjencës tregon flakë që përfshijnë një bllok banimi dhe ekipe shpëtimi që punojnë gjatë gjithë natës në kushte ngrirjeje.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord javën e kaluar të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj qyteteve të mëdha ukrainase dhe infrastrukturës energjetike deri të dielën, pas një “kërkese personale” nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas Kremlinit. Pauza pasoi gjithashtu bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, të parat të këtij lloji që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022.

Sulme janë raportuar edhe në qytetin Dnipro, i cili u godit nga raketa balistike, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës. Ndërkohë, Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i vendit, u shënjestrua nga raketa dhe dronë që goditën infrastrukturën energjetike, duke lënë të paktën 820 ndërtesa shumëkatëshe pa furnizim me ngrohje.

“Kjo ka një qëllim të qartë: të shkaktohet dëmi maksimal dhe të lihet qyteti pa ngrohje në ngrica të rënda”, deklaroi kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov.

Banorët e Kievit kaluan rreth shtatë orë nën alarm për sulme ajrore, ndërsa temperaturat ranë në nivele ekstreme. Të martën në mëngjes, sipas orës lokale, temperatura në Kiev ishte -20 gradë Celsius, ndërsa në Kharkiv arriti në -25 gradë Celsius.

Qytetarët u panë duke u strehuar në stacionet e metrosë së Kievit, të veshur me rroba të trasha dimri, të mbështjellë me batanije dhe çanta gjumi. Autoritetet ukrainase thanë se kjo ishte hera e parë që raportoheshin sulme ndaj objekteve energjetike dhe qyteteve kryesore që nga e enjtja e kaluar, megjithëse Rusia kishte vazhduar goditjet ndaj rrugëve logjistike dhe infrastrukturës së transportit.

“Në të ftohtin acarues, rusët vendosën të nisin një tjetër sulm masiv ndaj Kievit”, deklaroi Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit.

Kremlini ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që synojnë t’i japin fund luftës, do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi.

Ndërkohë, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, ka paralajmëruar se sistemi energjetik ndodhet në “gjendjen më të keqe në historinë moderne”. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Maxim Timchenko, tha për CNN se nga pesë termocentrale që operon DTEK, dy janë jashtë funksionit dhe tre të tjerat punojnë me kapacitet të reduktuar, për shkak të dëmeve nga sulmet e përsëritura ruse.

Ai theksoi se shpresa kryesore është zgjatja e armëpushimit energjetik në bisedimet e kësaj jave. Megjithatë, DTEK njoftoi se të dielën Moska kishte nisur një sulm në shkallë të gjerë ndaj minierave të qymyrit, duke goditur një autobus që transportonte minatorë pas përfundimit të turnit, ku humbën jetën të paktën 12 persona.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko niset drejt Moskës, takim me Putinin

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, është nisur drejt Moskës, ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, më vonë gjatë së premtes....
15:30 | 26/06/2026

Barcelona drejt rritjes së taksës për kroçerat, nga 11 euro në afro 30 euro në ditë

Politikanët në Barcelonë kanë rënë dakord për të rritur ndjeshëm taksën turistike për pasagjerët e anijeve turistike, në një përpjekje për të frenuar turizmin e...
15:16 | 26/06/2026

Iranianët në vështirësi për ta siguruar bukën e gojës teksa çmimet vazhdojnë të rriten

Me gjithë sanksionet e rënda ekonomike për vite e vite me radhë, iranianët ia kanë dalë ta sigurojnë kafshatën e gojës. Deri tani. Rritja e...
14:51 | 26/06/2026