”S’na mungon guximi”, të mbijetuarit e Jasharëve duan të japin kontribut: Politika të mos bëjë pazare në emrin e familjes tonë
Familja Jashari është simboli i rezistencës dhe sakrificës së popullit të Kosovës për pavarësi. Adam Jashari së bashku me 19 anëtarë të familjes se tij, burra gra e fëmijë humbën jetën në një betejë të përgjakshme me 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998. Bekim Jashari, i cili në ato luftime humbi prindërit dhe 7 motra dhe vëllezër tregon për Euronews Albania si e mori lajmin, pengu që i ka mbartur pasi në atë kohe ai ishte në Gjermani, pse vendosi të kandidonte për kryetar të Skenderajt dhe si e sheh Kosovën sot.
Sulmin e gjerë që kishin ndërmarrë forcat policore dhe ushtarake Serbe në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e përqendruan në Prekaz, aty ku rrihte dhe zemra e UÇK-së. Qëllimi ishte i qartë, siç thonë kronikanët e kohës, të vritej Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vëllai dhe krahu i tij i djathte, Hamëz Jashari si dhe i familjes së tij. Sulm i pamëshirshëm, për të shuar rezistencën e familjes Jashari, por dhe për të frikësuar këdo që do të kërkonte t’i kundërvihej regjimit te Millosheviçit.
Por Jasharët shkruan historinë me gjakun e tyre. Adem Jashari dhe 20 anëtaret e familjes së tij, nuk u dorëzuan deri në fund të jetës së tyre. Nga këto kulla ata luftuan dhe ranë për liri. Këtij sulmi të përqendruar për disa dite në 5,6 dhe 7 mars i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia doli të largohet nga rrethimi, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin e vrasjes dhe masakrimit të së gjithë familjes së saj.
Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit që në ato luftime humbi nënën, babain dhe 7 vëllezër dhe motra, ishte në Gjermani dhe nuk mundi as t’i varroste te dashurit e tij.
“Lajmin e kam marrë në orën 7 të mëngjesit, nga zoti Lladrovci, i cili aktualisht është Kryetar i Komunës së Drenasit, vëllai i Heroit, Fehmi Lladrovcit. Edhe ai ishte në atë kohë me ne në Gjermani. Ai më morri në telefon në atë kohë dhe më tha që: në Drenicë u kall lufta. Nuk thoshte në Prekaz, por në Drenicë. E kishte nga frika që mos të më kapë paniku, ose me ma largu pak. I thashë për hajër na qoftë, sepse e di se ku ka filluar. Ky ka qenë lajmi i parë. Pastaj kemi kontaktuar me njerëz, të rrethit, jo më këtu sepse ishte telefonia fikse e asaj kohe në atë objektin këtu, por që ata nuk kishin kohë për telefonata, në 5 Mars të 1988. Po nuk është një gjë qe nuk e kemi pritur; të them të drejtën. Të jem i sinqertë, qysh nga sulmi i parë, i 30 dhjetorit të 1991, ne e kemi pritur që një ditë do të ndodhte një gjë e tillë dhe aq më shumë nga 28 shkurti i ‘98 që ndodhi dhe masakra e Likoshanit. Nga ajo ditë 100% e kemi ditur që do të ndodhë një gjë e tillë edhe tek ne”, u shpreh Bekim Jashari.
Gazetarja: Kur u kthyet në Kosovë, pas masakrës që kishte ndodhur në familjen tuaj?
Bekimi: Ne erdhëm pas përfundimit të luftës, domethënë në qershor, në 26 qershor 1999, me Axhen Rifatin, Muratin, dhe Lulzimin. Ishim që të katërt në Gjermani. Kemi ardhur dhe kemi vazhduar jetën.
Gazetarja: Nga aq sa thuhet largimi juaj ishte i qëllimshëm, sepse familja juaj, qofte Baca Adem, Hamza e dinin se diçka do të ndodhte dhe të kishin nga një trashëgimtar që do të mbesnin më pas. A është e vërtetë?
Bekimi: Të them të drejtën, të jem i sinqerte, këtë gjë e kam marrë vesh pas luftës, që ka qenë një ide e fshehur nga babai Hamza; edhe në qofte se nuk besojmë në fe, që ashtu siç po e thotë feja, pa e thënë Zoti nuk ka vdekje, kishin bërë planin që të tre vëllezërit ta kenë nga një çun jashtë. Kështu në atë kohë ishte Axha Rifati që ishte për kohë të gjatë në Gjermani, punëtor atje, ishte dhe Murati nga 1991, shkova unë në 1993 dhe në ‘96 erdhi Lulzimi i Bacës Adem. Kështu që të tre vëllezërit të kishin nga një çun jashtë. Këtë e kam marrë vesh pas luftës, në një intervistë që e kishte dhënë babai.
Gazetarja: Ju nuk mundet të ndodheshit as në ceremoninë mortore. Ka një peng që ju ka mbetur?
Bekimi: Patjetër se po. Se gjithmonë është ajo ndjenja se ti e ke lënë këtë shtëpi të mbushur plot me njerëz dhe ke ardhur dhe e ke gjetur të zbrazur, të shkatërruar, dhe gjithmonë thua me vete se mos është një ëndërr dhe do t’i shoh prapë. Për fat jo; realiteti është diçka tjetër. Është mungesa, ndjenja e mallit, por që po i mund të gjitha këto, është krenaria që ata e kanë bërë këtë gjë me vetëdije për këtë liri që ne e gëzojmë sot.
Vrasja e komandantit legjendar dhe e gjithë anëtareve të familjes se tij shënoi kthesën e madhe, ndodhi e kundërta e asaj që prisnin dhe shpresonin forcat serbe. U kthyen ne simbolin e luftës dhe të sakrificës për lirinë.
Shqiptarët jo vetëm nuk u sprapsen por u mobilizuan kudo ku jetonin dhe u kthyen ne Kosovë për t’ju bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në vitin 1998, në atë periudhë unë kam qenë në Gjermani, në Berlin dhe atë dite si gjithmonë marr dy gazeta gjermane, “Bexete Caitung”. Aty shkruhej se ka filluar një luftë e rreptë në Drenicë, por tregonte që është masakruar edhe një familje shqiptare nga forcat kriminale serbe. Edhe kështu e morëm vesh. Edhe pse ne ishim pjesëtarë të lëvizjes popullore me Ukshin Hotin, por kjo na preku shumë ndjenjat dhe unë si personazh u preka shumë në shpirt dhe atë ditë kur shkova në punë nuk kisha fuqi të punoja dhe u mobilizova menjëherë që të nisesha për luftë në Kosovë. Përpara se të nisem mobilizimin e ardhjes ne lufte me mobilizoi punëdhënësi im italian. E falënderoj shumë Beniton, i cili kur i thashë që do të shkoj në luftë, u prek dhe nuk ishte dakord. Me tha se pse po shkon? I thashë që kam marrë vendim. Benito me ka armatosur me armë, me uniformë etj. Në atë periudhe jam nisur me autobus. Të them të drejtën edhe pse e kisha një armë të madhe dhe unë e mbaja atë armë në çantë në qytet të Gjermanisë. Porsa kaluam disa hapa dy policë me uniformë vijnë drejt nesh. Polici më pyet çfarë ke këtu brenda… Unë i thashë kam armë. A mos je i çmenduar më pyetën … Jo i thashë jam shumë i mençur. Kur vijmë në Bari, aty ishte edhe xhandarmëria italiane. Edhe ata më pyeten a je italian.. jo i thashë jam shqiptar. Ku shkon? I thashë në luftë. Mama mia, shko thanë. Nuk më kontrolluan fare.
Por, në Durrës dua ta them publikisht, sepse në Durrës na ndodhi një e papritur. Atje dy shokë të mitë u larguan, ndërsa unë nuk kisha dokumente. Ju afrova dritares së policit dhe po prezantohem duke i thënë unë jam shqiptar dhe nuk kam pasaportë; ai filloi të më shikojë dhe kur e pa çantën më pyeti se çfarë kam aty brenda? Ka arme i thashë. Jo tha.. ti je kriminel. Bëri një alarm të madh. Unë i thashë jam luftëtar që po shkoj të vdes për vendin tim. S’ka luftë në Kosovë tha ai. Ka i thashë luftë në Kosovë. 7 orë më mbajtën në Durrës. Nga Durrësi më çuan në komisariat në Tiranë. Në Tiranë më mbajtën dy orë. Pas dy orësh më çuan tek sheshi “Nënë Tereza”. Aty ishte Garda Shqiptare. Aty doli Gëzim Buçpapaj, një epror në gardë dhe me tha. Po ju ? Këta më sollën këtu i thashë. I tregova historinë. Atij i dhanë disa letra. Hymë bashkë në kazermën e Gardës. Si quhesh ti më pyeti. Unë quhem Ismail, por ndryshe në tre luftëra kam pasur pseudonimin Mala. Po ti për ku je nisur me tha ? Për në luftë, i thashë. Dhe ta kanë bërë këtë shtoi ai… I grisi letrat dhe me tha. Rri i qetë. Në mbrëmje qëndrova aty. Të nesërmen më kanë marrë me dy luftëtare dhe më çuan në Laprakë. Aty në Laprakë për herë të parë kam takuar 250 apo 260 eprore që kishin ardhur nga mërgimi. Unë nuk e dija se kush ishin ata, por ishin me uniformë dhe Gëzimi me tregoi se edhe ata kanë ardhur nga jashtë që të futen në Kosovë”, u shpreh Ismail Selmani, komandant Mala nga Tetova.
“Në këto momente ( të masakrës i Prekaz) unë kam qenë një azilant dhe jam kthyer në luftë nga Anglia. Dhe natyrisht që na ka krijuar emocione rënia e Adem Jasharit me familje që e ka mobilizuar të gjithë popullin shqiptar; që edhe nga diaspora janë kthyer shumë në luftë. Unë kam pasur shumë emocione dhe menjëherë kam vendosur, sepse isha duke u përgatitur për t’u kthyer në luftë, por u përgatita me shpejt të kthehem. Natyrisht me dokumentacion ilegal mu desh të kthehesha nga Anglia për t’u bashkangjitur radhëve të UCK-së”, u shpreh Faton Klinaku , kryetar në Detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës.
“Nëse do të kishte çmim Nobel të Lirisë familjes Jashari i takon”, u shpreh Bernard Kouchner, kryeadministratori i Parë i Kosovës.
Por kontributi i Jasharëve nuk përfundoi vetëm me pavarësinë e Kosovës. Bekim Jashari është sot Kryetar i Komunës së Skënderajt. Ndërsa rrëfen se çfarë e shtyu të garonte për Komunën e Skënderajt thotë se nuk është i kënaqur me situatën në të cilën ndodhet vendi.
“Nuk ka qene asnjëherë në planet e mia dhe të asnjë anëtari të familjes tonë që ne të angazhohemi në politikë, por erdhi një situatë aq e vështirë dhe e zymtë në qytetin tonë. Mes njerëzve të cilët në ‘98 dhe ‘99 kishin mbështetur njëri tjetrin për ta luftuar armikun dhe erdhi puna që t’i vënë gjoksin njëri tjetrit për një karrige. E para ishte kjo dhe e dyta ishte një kërkesë e shumë qytetarëve, sidomos të rinjve të qytetit që kërkuan të ketë ndryshim në qytetin tonë dhe vendosa pa e pasur në plane që të hyj për të mirën e vendit më së pari, për hir të këtyre dëshmoreve dhe kësaj sakrifice dhe për të ruajtur një stabilitet që të mos shkojmë tek më e keqja”, u shpreh Bekim Jashari.
Gazetarja: Si e shikon Kosovën sot?
Bekim Jashari: Kosova nuk është ajo për të cilën kanë rënë dëshmorët dhe familja jonë, por edhe të gjithë dëshmorët e Kosovës, por po shpresojmë se do të vijnë ditë më të mira. Kosova është e lirë, por edhe shumë e varfër, shumë e përçare mes vetes. Kështu që nuk është ajo Kosovë për të cilën ranë dëshmorë, sepse ata ranë që Kosova të jetë një shtet i fortë, që ta duam njeri-tjetrin dhe Kosova të ketë zhvillim ekonomik, që ne të rinjtë e kësaj Kosove ta duam këtë vend, për të jetuar në këtë vend, dhe jo me ik nga ky vend për kafshatën e gojës.
Gazetarja: Pas arrestimit të disa drejtuesve të UCK-së pati shume akuza sepse gjithçka është bërë mbi bazën e aktakuzave te ngritura nga Serbia. Përtej kësaj a ka bëri Kosova aq sa duhej për të faktuar krimet që janë kryer në Kosove, për të bërë drejtësi për ata që u vranë, për masakrat e kryera?
Bekim Jashari: Ju e thatë shumë mirë. Nuk bëri asgjë dhe kjo është ajo që udhëheqësit e vendit tonë nuk morën asnjë hap të vetëm në atë drejtim për të faktuar dhe argumentuar gjithë ato krime makabër që ka bërë Serbia mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Kjo është edhe arsyeja se pse ndoshta edhe ata janë sot në atë gjykatë dhe për fat të keq kam frikë që do të shkojnë edhe shumë të tjerë; sepse nuk kanë pasur kohë të faktojnë të gjithë këto krime; ato krime që i ka bërë Serbia, por janë marrë me njëri -tjetrin, duke e sulmuar njëri- tjetrin dhe duke thënë gjëra nga më të ndryshmet edhe për krime ndoshta të paqena që janë munduar qe t’ja veshin njëri- tjetrit, ta akuzojnë njëri -tjetrin; dhe ja ku jemi sot.
Nuk e fsheh zhgënjimin që sa herë gjendet në vështirësi politika e Kosovës e thërret familjen e tij, por më shumë se sa kërkon kontributin e saj, e përdor për të dalë nga situatat e pakëndshme që prodhon. Bekim Jashari thotë se ai dhe anëtaret e tjerë të mbetur të familjes janë gati të kontribuojnë për Kosovën qoftë dhe duke marrë postin e Presidentit, por vetëm nëse të gjitha palët janë në një mendje.
“Spektri politik, apo liderët tanë politikë duhet të jenë më të matur dhe më të kujdesshëm që mos bëjnë pazare të tilla, apo lojëra të tilla me emrin e familjes tonë. Asnjë nga subjektet politike, apo liderët politike nuk e ka parë të udhës deri më sot që të ulet me ne për ta diskutuar këtë teme, me ne konkretisht; nëse do të pranonit sepse jemi në këtë, apo atë situatë. Ne kemi bere apel dhe kemi kërkuar që nga paslufta, duke i njohur se çfarë janë që të ketë unitet mes tyre, ta ndihmojnë njeri -tjetrin dhe aq më shumë në situata të tilla si kjo që Kosova asnjëherë nuk ka qenë në krizë më të thellë që nga paslufta, qoftë në aspektin politik, ekonomik, qoftë edhe në atë vëllazëror. Kështu që ne e kemi thënë. E kam thënë dhe e përsëris prapë: ne anëtarët e gjallë të kësaj familje, jemi gjak i atyre që ranë me vetëdije për këtë liri; nuk na mungon as guximi, as dija për të marrë përgjegjësi dhe e kemi treguar këtë që nga paslufta në momente të caktuar që mundemi dhe guxojmë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në momente të caktuara; nëse ata e kanë përnjëmend, politika jonë e Kosovës, këtë gjë, atëherë ata duhet të ulen fillimisht mes vetes; pra të gjitha partitë që janë në parlamentin e Kosovës dhe të dakordësohen mes vetes dhe të dalin të bashkuar me një zë që kërkojmë një anëtar, qoftë Murati, qoftë Bekimi cilido qoftë; kërkojmë që ta marri këtë pozitë; përndryshe në pazare të tilla nuk do të hyjmë dhe kërkojmë nga ata të gjithë që të jene të matur dhe të kujdesshëm edhe me Familjen Jashari dhe me të gjitha familjet e tjera, sepse është e rëndë, jo etike dhe jo morale t’i apostrofosh emrat e familjeve të tilla në momente të caktuara për lojëra politike”, u shpreh Bekim Jashari.
Kulla e Jasharajve është kthyer në vend pelegrinazhi për mijëra shqiptarë çdo vit. Të ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse ata përulen para sakrificës së familjes Jashari. Por kulla e cila është simboli I rezistencës po rrezikon të shembet. Vëmendja ndaj saj është maksimale në paradat e qeveritarëve në festa e përkujtimore e më pas harrohet. Nëse nuk ndërhyhet shpejt nga kjo kullë mund të mbeten vetëm rrënojat e saj ashtu si shumë objekte përgjatë historisë tonë.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta