Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se emrat e tri pengjeve nuk u dorëzuan me kohë, në mënyrë që armëpushimi të hynte në fuqi në 08:30, sipas kohës lokale. Ai tha se ushtria izraelite ka vazhduar “sulmet, edhe tani po kryen sulme, brenda Gazës” dhe do të sulmojë derisa Hamasi të respektojë marrëveshjen.
Më vonë, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një sërë caqesh të Hamasit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.
Hamasi tha se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit që u arrit më herët gjatë kësaj jave.
Një zyrtar izraelit, që foli në kushte anonimiteti, tha se ndërmjetësit kanë ofruar siguri se lista me emrat e pengjeve do të dorëzohej dhe marrëveshja e armëpushimit ende është e vlefshme, edhe pse ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi.
Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.
Armëpushimi i planifikuar, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.