English

Si u zhyt Mali i Zi në krizë politike?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Qeveria e Malit të Zi është në prag të rrëzimit pas mosmarrëveshjeve të koalicionit qeveritar të krijuar nga partitë opozitare që përmbysën qeverinë e Milo Gjukanoviçit pas 30 vitesh pushtet.

- Advertisement -

Krerët e tre koalicioneve opozitare, pas krijimit të Qeverisë më 20 gusht 2021 i ndanë pozicionet e tyre drejtuese në shtet: Zdravko Krivokapiç (Frontit Demokratik) është zgjedhur kryeministër, Dritan Abazoviç (Lëvizja URA) për zëvendëskryeministër, dhe Aleksa Beçiç për kryetar Kuvendi (Partia DCR).

Kriza e pushtetit për shkak të mosmarrëveshjeve partiake, midis Kuvendit dhe Qeverisë, e po ashtu edhe brenda vetë Qeverisë, ka rezultuar me kërkesat për shkarkimin e të gjithë këtyre udhëheqësve në Mal të Zi.

Abazoviç kërkon shkarkimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Krivokapiç. Kryeministri Krivokapiç kërkon shkarkimin e Abazoviçit. Opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiç.

Parlamenti i Malit të Zi, Foto: KosovaPress

Propozimi për shkarkimin e Aleksa Beçiçit është nënshkruar nga 38 deputetë të partive opozitare, në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve.

Për shkarkimin e Beçiçit nevojiten 41 vota, që do të thotë se opozita, si e vetme, nuk ka vota të mjaftueshme për largimin. Është e pasigurt nëse URA do t’i japë mbështetje vendimtare opozitës për largimin e kryeparlamentarit dhe kreut të Demokratëve. Marrëdhëniet politike ndërmjet Lëvizjes URA dhe Demokratëve janë në një fazë konflikti të hapur, për shkak të synimit të Abazoviçit për të shkarkuar Qeverinë.

Partia e Abazoviçit, Lëvizja Qytetare URA, së bashku me parti të tjera, ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiçit. Për këtë mocion do të votohet në Kuvend më 4 shkurt.

Në përgjigje të mocionit, Krivokapiç i ka kërkuar Kuvendit që të mbajë seancë më 3 shkurt për shkarkimin e Abazoviçit nga posti i zëvendëskryeministrit, por edhe për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, që t’i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është një faktor i fuqishëm politik, e cila është rreshtuar përkrah kryeministrit dhe mbështet qeverinë e tij.

Abazoviç ka propozuar krijimin e një qeverie të pakicës. Ndërkaq mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Qeveria e Zdravko Krivokapiçit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e partisë pro-serbe Fronti Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura.

Më 17 janar, URA propozoi formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike disamujore. Memorandumi i nënshkruar më parë nga shtatë liderët e partive parlamentare, do të ishte pikënisja.

Në qeverinë e pakicës nuk do të kishte anëtarë të DPS-së apo Frontit Demokratik pro-serb (DF). Arsyet për këtë janë mungesa së kapaciteteve dhe vullnetit demokratik nga ana e DPS-së për të luftuar korrupsionin dhe krimin, gjë që mungoi gjatë qeverisjes së saj 30-vjeçare, si dhe mungesa e një orientimi të qartë euroatlantik e DF-së.

Nuk dihet se sa deputetë do të votojnë për shkarkimin e Abazoviçit. Tash për tash, vetëm Fronti Demokratik pro-serb ka njoftuar për mbështetje të qartë për shkarkimin.

Votimi nuk ka peshë politike, sepse një ditë më vonë do të votohet për shkarkimin e Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe Abazoviç.

Në qoftë se Qeveria e Krivokapiçit shkarkohet ditën e nesërme, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së re një grupi politik, i cili është në gjendje që për propozimin e vetë të sigurojë 41 vota mbështetëse në Kuvend për propozimin e tij.

Nëse askush nuk mund ta sigurojë këtë kusht, do të pasojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×