Ivi Kaso, në një intervistë për Euronews Albania tregoi se identifikimi biometrik në këto zgjedhje është drejt fazës përfundimtare.
Sekretari për zgjedhjet në Partinë Demokratike tregoi se ky është një projekt pilot i cili është shumë para jo vetëm në fazën përgatitore por dhe sa i takon sigurisë.
“Jemi besimplotë që me pak vullnet të mirë, vullnet që për hir të së vërtetës nuk ka munguar në këtë projekt nga KQZ-ja, do të bëhet e mundur që identifikimi biometrik në zgjedhjet e ardhshme të shtrihet në 100% të qendrave të votimit,” – tha Kaso.
Vendosja e kamerave gjithashtu, është një tjetër projekt i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka një kosto të lartë financiare por sidoqoftë është në faza të avancuara.
Sipas tij, pavarësisht djegies së mandateve do të zbatohet çdo procedurë ligjore në mënyrë që PD-ja dhe opozita e bashkuar të jenë jo vetëm garuese në zgjedhjet e ardhshme por forca e cila do të prodhojë rotacionin.
Sa i takon pastërtisë së kandidatëve Ivi Kaso tregoi se janë të gjitha mundësitë dhe kushtet për ta vërtetuar këtë, ndërkohë nuk la pa përmendur se në këtë aspekt PD-ja është më e avantazhuar sepse çdo kandidat shqyrtohet fillimisht nga strukturat brenda partisë.
Vendimi për aleatët e mbetur pa marrëveshje do të bëhet me dije pas mbarimit të këtij procesi që siç tha dhe Kaso është në vijushmëri.
“Ajo që është e rëndësishme është t’i sigurojmë gjithë shqiptarëve frontin më të madh opozitar që kanë patur në këto 30 vite,” – theksoi Ivi Kaso.
Lexoni gjithashtu:
Regjistrimi në zgjedhje, PD-së dhe LSI-së u duhen 14 mijë firma për t’u regjistruar në KQZ