1600 ha tokë nën ujë, Buna dhe Drini në pikën kritike, dëmtohet ujësjellësi 

10 Janar 2021 | 15:35

Lumenjtë Buna dhe Drini, si dhe Liqeni i Shkodrës janë në pikën kritike të nivelit të ujit. Bashkia e Shkodrës njoftoi situatën në mëngjes, se në zonën e Dajçit, kuota e lumit është vetëm 2 centimetra larg pikës kritike. Liqeni i Shkodrës është 15 centimetra larg pikës kritike, ndërsa lumi Drin është 55 centimetër larg pikës kritike.

Ndërkohë që vazhdon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla rruga për në Obot dhe Oblikë, pasi niveli i ujit në rrugë është 80 centimetra. Si pasojë e përmbytjeve ka dalë jashtë funksionit edhe ujësjellësi dhe bashkia i ka furnizuar me ujë përmes autoboteve.

Në nivel qarku, deri sot në mëngjes rezulton se janë rreth 1,600 hektarë tokë nën ujë, pjesa më e madhe e të cilës është e mbjellë me bimë foragjere, dëmtimi i të cilave do të krijojë probleme me sigurimin e ushqimit për blegtorinë.

Pas katër ditësh me reshje të dendura shiu situata në qarkun e Shkodrës mbetet shqetësuese.

Bashkia njoftoi të dielën se 1,595 hektarë tokë mbeten të përmbytura – 1,102 hektarë tokë të kultivuara, pjesa më e madhe në njësinë administrative Ana Malit –  ndërkohë që në rrugën për në Obot (9 kilometra në jugperëndim të qytetit të Shkodrës) është e përmbytur me ujë që arrin kuotën deri në 80 centimetra.

Për shkak të përmbytjeve ujësjellësi Oblika 1 është nxjerrë jashtë funksioni, probleme domethënëse janë shkaktuar nga situata e reshjeve edhe në njësitë administrative Dajç, Guri Zi, Velipojë, apo Bërdicë.

Gazetari i Euronews Albania Teodor Gjerga raportoi nga Dajçi ku “hidrometri ka treguar se për vetëm 2 centimetra është rrezikuar dalja e lumit Buna nga shtrati”. Gjerga tha se prefektuara u ka siguruar disa banorëve automjete për të mundësuar lëvzijet për nevoja jetike.

Niveli i hidrometrave në pikën e Dajçit, Liqenin e Shkodrës dhe lumin e Drinit ka shkuar në 6.28 m (maksimalja 6.30m), 8.45m (maksimalja 8.7m), 6.95m (maksimalja 7.5m).

Ndërkohë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare njoftoi të dielën se pas reshjeve të dendura niveli i Kaskadës së Drinit me tre hidrocentralet e atjeshme është: Fierza 282.71m, Komani 172.82m, Vau i Dejës 75.02 m.

“Prodhimi vijon me kapacitet të plotë në hidrocentralet Koman dhe Vau i Dejës,” – tha KESH-i në një njoftim për shtyp, ndërsa “prurjet në kaskadë janë 1920 m3/s.

Për shkak të rritjes së prurjeve, Korporata vendosi të premten të hapte portat e dy hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe Komanit – me shkarkime 700m3/s dhe 200m3/s.

“Kjo sasi shkarkimesh nuk ka impakt në nivelin e ujërave në kanalin e shkarkimit si dhe në zonat e nën-Shkodrës,” – theksoi KESH-i, mirëpo sipas gazetarit Gjerga shkarkimet “kanë përkeqësuar disi situatën duke rritur me rreth 10 centimetra nivelin e liqenit dhe lumit Buna”.

Prej mesjavës Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu të cilat kanë vijuar pa pushim vetëm me luhatje të lehta të intensitetit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) pati lajmëruar më datë 6 janar se situata e reshjeve mund të shkaktojë përmbytje në ultësirat perëndimore.

Qeveria thirri të premten Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile ku garantoi gatishmëri dhe vlerësoi marrjen e masave për parandalimin e dëmeve në njerëz dhe gjë të gjallë. Mirëpo për ekspertë si Shemsi Prençi paralajmërimi i IGJEUM nuk u mor seriozisht nga qeveria, ndërkohë që Presidenti Ilir Meta ka bërë disa herë thirrje për angazhim maksimal nga autoritetet.

Fryrja e lumenjve të mëdhenj si Vjosa e Drini ka shkaktuar probleme si në jug ashtu edhe në verilindje. Disa rrugë si ajo e Borshit në Vlorë dhe Kreshtës në Lezhë pësuan rrëshqitje, dhjetëra familje janë shpërngulur nga zonat ku banonin, ndërkohë që deri më tani fatmirësisht nuk janë shënuar viktima.

Lexoni gjithashtu:

Situata e përmbytjeve, qeveria zotohet për gatishmëri dhe vlerëson masat e marra

Përmbytje dhe shembje rrugësh, Shemsi Prençi: Qeveria nuk e mori seriozisht alarmin që dha IGJEUM

Lezhë, shirat e rrëmbyer shembin rrugën e Kreshtës

Dëmtohet rruga në Borsh, u rikonstruktua një vit më parë, reshjet e shiut shkaktuan rrëshqitjen

Dëmtimi i infrastrukturës nga përmbytjet, Bejtja: Nuk ka kush të mbajë përgjegjësi, është fatkeqësi natyrore

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026