Skandali Epstein, Starmer detyrohet të shkarkojë ambasadorin britanik në SHBA

11 Shtator 2025 | 16:08

Kryeministri britanik Keir Starmer ka shkarkuar Peter Mandelson nga detyra e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, pas rritjes së presionit politik për shkak të miqësisë së tij me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.

Mandelson, 71 vjeç, ishte përballur me kritika të shtuara që nga e hëna, kur politikanë amerikanë publikuan një kopje të redaktuar të një “libri ditëlindjeje”, dhuruar Epsteinit në vitin 2003 për 50-vjetorin e tij.

Në faqet e librit ishte përfshirë një shënim me dorë nga diplomati britanik, ku Epstein përshkruhej si “shoku im më i mirë”.

Më pas, media britanike publikoi email-e të Mandelson drejtuar Epstein, ku tregohej se ai e mbështeste mikun e tij edhe pas arrestimit për akuza për abuzim seksual me të mitur. Në një email të dërguar në qershor 2008, Mandelson i shkruante: “Mendoj se bota jote dhe unë ndihemi të pashpresë dhe të tërbuar për atë që ka ndodhur. Lufto për lirim të parakohshëm.”

Këto zbulime shtynë opozitën të kërkonte shkarkimin e tij. Udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, e quajti pozicionin e Mandelson si “të pambështetshëm”.

Fillimisht, Starmer mbrojti Mandelsonin në parlament, duke theksuar se ai kishte “shprehur vazhdimisht keqardhjen e tij të thellë” për marrëdhënien me Epsteinin.

Por të enjten, Ministria e Jashtme britanike njoftoi se qëndrimi i kryeministrit kishte ndryshuar. “Në dritën e informacionit shtesë në email-et e zbuluara të Peter Mandelson, kryeministri i ka kërkuar sekretarit të jashtëm ta tërheqë atë nga detyra e ambasadorit,” thuhej në deklaratë. “Emailet tregojnë se thellësia dhe natyra e marrëdhënies së Mandelson me Epstein është ndryshe nga ajo që dihej në kohën e emërimit.”

Shkarkimi ka ngritur pikëpyetje mbi gjykimin politik të Starmer, pasi lidhjet e Mandelson me Epstein kanë qenë të njohura prej vitesh.

Mandelson ka pranuar se ka qëndruar mik me Epsteinin, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për trafikim seksual, “për shumë më gjatë sesa duhej”.

Largimi i tij vjen në një moment të vështirë për qeverinë britanike, vetëm disa ditë pasi zëvendëskryeministrja Angela Rayner dha dorëheqjen pas një skandali tatimor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kryeministri britanik paralajmëron Trumpin: Interesi kombëtar vjen i pari

Kryeministri i ri britanik Andy Burnham deklaroi se është i gatshëm ta kritikojë Donald Trumpin, nëse këtë e kërkojnë interesat kombëtare të Britanisë. Ai shmangu...
16:44 | 26/07/2026

Irani dënon sulmet e Ukrainës në Detin Kaspik

Irani ka dënuar sulmin e Ukrainës ndaj një anijeje iraniane në Detin Kaspik, rruga për pjesën më të madhe të tregtisë së vendit me Rusinë. Tre anëtarë...
16:31 | 26/07/2026

1,354 të vdekur nga shpërthimi i Ebolës në Kongo, rritet edhe numri i personave të infektuar

Numri i rasteve të konfirmuara me virusin Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka arritur në 3,075 që kur epidemia shpërtheu më 15 maj. Ebola sipas një raporti...
15:40 | 26/07/2026