Suedia synon të dërgojë të dënuar në burgje jashtë vendit, s’ka më kapacitete
Suedia mund të dërgojë kriminelë për të vuajtur dënimet e tyre në burgjet jashtë vendit, tha një komision i emëruar nga Qeveria më 29 janar.
Ky shtet po përballet me vështirësi në menaxhimin e kapaciteteve në burgje, për shkak të rritjes së numrit të të burgosurve të rinj, rritje që lidhet me një valë të krimeve të bandave.
“Ka nevojë të punohet për gjetjen e zgjidhjeve të reja brenda Shërbimit të Burgjeve”, tha ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, gjatë një konference për media.
Strommer tha se Suedia veçse është në bisedime me shtetet e tjera për marrjen me qira të burgjeve të tyre, pa përmendur emrat e shteteve.
Nga shtetet evropiane, edhe Danimarka, duke dashur të lehtësojë situatën me mbipopullimin e burgjeve të saj, ka arritur marrëveshje me Kosovën për të marrë me qira 300 qeli në burgun në Gjilan. Megjithatë, kjo marrëveshje 10-vjeçare, nga e cila Kosova do të përfitojë rreth 200 milionë euro, ende nuk ka nisur së zbatuari.
Ndryshe, Suedia po përballet me rritje të krimeve të bandave, krime që janë rritur në dy dekadat e fundit. Ky shtet është në mesin e shteteve me numrin më të lartë për kokë banori të dhunës me armë në Evropë.
Me miratimin e ligjeve të reja dhe rritjen e personelit dhe buxhetit, policia suedeze ka korrur sukses në luftën kundër bandave dhe në dy vjetët e fundit ka pasur më pak të shtëna vdekjeprurëse e më shumë dënime.
Përderisa ky sukses është mirëpritur, sistemi i burgjeve të shtetit është mbingarkuar. Sipas të dhënave të fundit, që i përkasin vitit 2023, gjykatat suedeze kanë dënuar persona në një total prej pothuajse 200.000 muajsh burgim, që paraqet një rritje prej 25 për qind me vitin paraprak dhe dyfishim krahasuar me dënimet e shqiptuara më 2014.
Burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Suedi janë në kapacitete të plota dhe Shërbimi i Burgjeve ka thënë se i duhen rreth 27.000 shtretër të rinj deri më 2033.
Mattias Wahlstedt, kreu i komisionit, tha se nuk ka pengesa ligjore që Suedia të marrë me qira qeli jashtë vendit, por propozimi për një gjë të tillë duhet fillimisht të miratohet nga Parlamenti.
LEXONI GJITHASHTU:
Video prekëse: Burri i moshuar mban gruan e tij për ta qetësuar gjatë tërmetit, brenda apartamentit të tyre
Republikanët në Senat hedhin poshtë rezolutën mbi fuqitë e luftës të Donald Trump
Arakchi: Irani dhe Omani do të zhvillojnë bisedime për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit
- 20:42 Video prekëse: Burri i moshuar mban gruan e tij për ta qetësuar gjatë tërmetit, brenda apartamentit të tyre
- 20:35 Republikanët në Senat hedhin poshtë rezolutën mbi fuqitë e luftës të Donald Trump
- 20:33 Arakchi: Irani dhe Omani do të zhvillojnë bisedime për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit
- 20:28 Një zjarr shpërthen në Greqinë qendrore, avionë, helikopterë dhe 105 zjarrfikës janë në terren
- 20:23 Rubio e përmbyll turneun në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese për aleatët rajonalë
- 20:04 Rritet ndjeshëm trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, niveli më i lartë pas luftës SHBA-Iran