Sulm me dron nga Jemeni në Izrael, plagosen 20 persona

24 Shtator 2025 | 19:45

Shpëtimtarët thonë se 20 persona janë plagosur në jug të Izraelit pasi ushtria izraelite njoftoi se një dron ishte lëshuar nga Jemeni.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se droni goditi qytetin turistik Eilat, në bregun e Detit të Kuq, dhe se ishin bërë përpjekje për ta kapur atë në ajër.

Shërbimi emergjent mjekësor Magen David Adom tha se 20 persona u dërguan në Spitalin Yoseftal – dy prej tyre me dëmtime të rënda në gjymtyrë.

Mediet izraelite e përshkruan sulmin si një goditje e Houthive, por grupi jemenas nuk e ka marrë ende zyrtarisht përgjegjësinë.

Stacionet televizive izraelite transmetuan pamje direkte të momentit të sulmit dhe zonës së goditur, ku shihej tym i dendur që ngrihej nga vendi i shpërthimit.

Pamje të postuara në rrjetet sociale – të verifikuara nga BBC – tregojnë një dron në ajër që zhduket pas disa ndërtesave. Pak çaste më vonë, zogjtë shpërndahen në ajër të trembur nga shpërthimi.

“Forcat e IDF-së, së bashku me Policinë e Izraelit, u dërguan në zonën e Eilat pasi morën një raport për një sulm me UAV (dron),” thuhej në deklaratën e IDF-së.

Më tej thuhej se trupat dhe policia ndihmuan në evakuimin e zonës dhe se një helikopter ishte dislokuar për të evakuuar të plagosurit nga vendi i ngjarjes.

Ushtria u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë në zona të mbrojtura për 10 minuta, në rast se marrin një alarm.

Më herët, në qytet u dëgjuan sirena alarmi për sulme ajrore.

Nëse sulmi konfirmohet si i kryer nga Houthit, do të ishte një nga më të rëndët e tyre deri më tani për nga numri i të plagosurve.

Në korrik 2024, një person u vra dhe 10 të tjerë u plagosën nga një sulm me dron të Houthive në Tel Aviv, kur një dron goditi një ndërtesë banimi pranë zyrës së degës së ambasadës amerikane.

Eilati, i njohur si destinacion turistik, ka qenë cak i disa sulmeve të tjera me dron kohët e fundit njëra prej të cilave goditi zonën e hoteleve javën e kaluar, sipas autoriteteve izraelite, por pa shkaktuar viktima.

Në fillim të shtatorit, një person u plagos kur një dron i Houthive goditi Aeroportin Ramon, në veri të Eilat.

Grupi rebel Houthi ka nisur raketa dhe dronë drejt Izraelit, duke i përshkruar këto si akte solidariteti me palestinezët në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Houthit gjithashtu kanë sulmuar anije në Detin e Kuq që nga fillimi i luftës në Gaza.

Grupi rebel, i mbështetur nga Irani dhe që e konsideron Izraelin armik, kontrollon kryeqytetin Sana’a dhe veriperëndimin e Jemenit, por nuk është qeveria e njohur ndërkombëtarisht e vendit.

Izraeli ka reaguar duke bombarduar zona të kontrolluara nga Houthit në Jemen, përfshirë portin e Detit të Kuq, Hudaydah.

Në fillim të shtatorit, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Houthit njoftoi se 35 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Sana’a dhe provincën al-Jawf.

Ndërsa në gusht, grupi deklaroi se Kryeministri i vetëshpallur, Ahmed Ghaleb Nasser al-Rahawi, u vra nga një sulm ajror izraelit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA mobilizon ndihma për Venezuelën pas tërmeteve vdekjeprurëse

Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM) njoftoi se po bashkëpunon me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë për të mbështetur operacionet e ndihmës...
18:53 | 25/06/2026

Numri i personave të raportuar të zhdukur pas tërmeteve shkatërrues në Venezuelë i kalon 25 mijë

Më shumë se 25,000 persona janë raportuar të zhdukur në Venezuelë pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin, sipas një faqeje interneti për raportimin e personave...
18:24 | 25/06/2026

Portugalia gati të dërgojë 50 ekipe shpëtimi në Venezuelë pas tërmetit të fuqishëm vdekjeprurës

Portugalia është gati të dërgojë një mision ndihme emergjente prej 50 shpëtimtarësh në Venezuelë, njoftoi sot Ministri i Jashtëm Paulo Rangel, pas tërmetit të fuqishëm vdekjeprurës që goditi vendin e Amerikës Latine. “Ekziston një...
17:58 | 25/06/2026