Sulmet izraelite në Liban lëkundin armëpushimin SHBA-Iran

9 Prill 2026 | 16:50

Mospajtimet në mes të Uashingtonit dhe Teheranit nëse armëpushimi i përkohshëm – për të cilin është arritur pajtueshmëri këtë javë – përfshin edhe Libanin, janë duke shkundur themelet e gjithë paktit, teksa Izraeli zotohet se do të vazhdojë të godasë Hezbollahun “kudo që kërkohet”.

Hezbollahu është grup i përkrahur nga Irani, ndërsa konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Negociatorët iranianë pritet të takohen me një delegacion amerikan, të udhëhequr nga nënpresidenti JD Vance, më vonë gjatë javës, për t’i zhvilluar bisedimet e para për paqe.

Mirëpo një armëpushim i bërë publik më herët gjatë javës, për të mundësuar nisjen e bisedimeve, ka krijuar një atmosferë të tendosur, pasi nuk ka shenja se Irani e ka hequr plotësisht bllokadën në Ngushticën e Hormuzit, e cila ka rezultuar me ndalesën më të rëndë të furnizimit global me energji.

Teherani ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje, për aq kohë sa Izraeli e godet Libanin.

“Kushdo që vepron kundër civilëve izraelitë, do të goditet. Ne do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun, kudo që kërkohet, derisa të rikthejmë sigurinë e plotë të banorëve në veri të Izraelit”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu përmes një postimi në 9 prill.

Disa orë më vonë, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf ka thënë përmes një postimi se Libani “është pjesë e pandashme e armëpushimit”. Sipas tij, “shkeljet bartin kosto të qarta dhe përgjigje të forta”.

Qalibaf pritet të udhëheqë delegacionin e Teheranit, bashkë me ministrin e Jashtëm, Abbas Araqchi, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Pakistani në Islamabad.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Libani nuk është pjesë e armëpushimit, derisa shumë shtete tjera janë shprehur të shqetësuara në këtë drejtim, duke thënë se diçka e tillë po rrezikon marrëveshjen, e cila i ka pezulluar luftimet pas pesë javësh.

“Veprimet izraelite janë duke rrezikuar sërish armëpushimin SHBA-Iran. Armëpushimi në Iran duhet të vlejë edhe për Libanin”, ka thënë kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas më 9 prill.

“Hezbollahu e ka shtyrë Libanin në luftë, mirëpo e drejta e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nuk e arsyeton ndonjë shkatërrim masiv”, ka thënë ajo.

Më 9 prill, edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot ka thënë se sulmet e Izraelit “minojnë” marrëveshjen amerikano-iraniane, derisa ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper ka bërë thirrje që armëpushimi të zgjerohet edhe në Liban.

Izraeli e ka nisur sulmin më të madh ndaj Libanit – prej nisjes së konfliktit – më 8 prill, pak pasi është zyrtarizuar armëpushimi.

Gjatë një vizite në Hungari, Vance ka thënë se beson që ka “keqkuptime legjitime” për kushtet e marrëveshjes së arritur.

“Më duket se iranianët kanë menduar që armëpushimi përfshin Libanin, dhe nuk është ashtu”, ka thënë ai, duke shtuar se “as ne dhe as izraelitët nuk kanë thënë se diçka e tillë do të jetë pjesë e armëpushimit”.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se forcat amerikane do të vazhdojnë të jenë “në dhe rreth Iranit” derisa të arrihet “marrëveshja e vërtetë”.

Pavarësisht arritjes së marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit – njëra prej arterieve më vitale në botë për transportim të naftës dhe gazit – vazhdon të jetë e paralizuar pothuajse tërësisht./REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Ka njerëz gjallë atje”, dëshmitë rrëqethëse nga zonat e goditura nga tërmeti në Venezuelë

Shumë banorë e kaluan natën në rrugë ose duke kërkuar familjarët e tyre në Catia La Mar, në shtetin La Guaira, një nga zonat që...
16:14 | 25/06/2026

“Mendova se do të vdisja’ – Venezuelianët përshkruajnë panikun e tërmetit, familjet ende kërkojnë të mbijetuarit

Mbi 160 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën në mbrëmje, duke...
16:04 | 25/06/2026

Rusia sërish kundër Evropës, Zakharova: Vendet evropiane po pengojnë arritjen e paqes në Ukrainë

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se vendet evropiane po kontribuojnë në vazhdimin e konfliktit në Ukrainë përmes ndihmës së tyre...
15:50 | 25/06/2026