​Thaçi pas takimit me Lajçak: Të mos bisedohet për çështje që i kemi ridiskutuar 

14 Tetor 2020 | 13:05

Pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se ka ardhur momenti që në tavolinën e bisedimeve të diskutohet për njohje reciproke dhe jo të vazhdohet me çështje teknike që janë diskutuar më parë.

Thaçi u shpreh se me emisarin e BE-së ka diskutuar për njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, temë kjo për të cilën ai tha se ka diskutuar edhe në takimet e fundit në Uashington, Bruksel e Paris. Sipas Thaçit, vetëm njohja reciproke është mundësi e mirë për të garantuar stabilitet në rajon.

 “Besoj fuqishëm se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian, nga ajo që shoh dhe është aktualisht unik në mbështetje të zotit Lajçak, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke, sepse duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes, pastaj çështje të tjera vijnë më lehtë dhe jo të fillohet apo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e 10 vite në Bruksel. Sido që të jetë, unë dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet, mund të jetë mundësi e mirë, është edhe mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon”, tha ai, raporton Kosova Press. 

Presidenti i Kosovës foli mbi takimet e fundit që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bruksel dhe Paris, ndërsa tha se ka parë një koordinim më të mirë në mes të kryeqendrave.

“Edhe në takimin që kam zhvilluar ditë më parë me Lajçak në Bruksel, kanë qenë po temat e njëjta të diskutimit, gjithashtu në Uashington në takimet që kam zhvilluar me autoritet e larta të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në takime jo formale, e gjithashtu edhe në Paris pardje, shoh një koordinim më të mirë dhe nivel më të lartë edhe të Bashkimit Evropian, të kryeqendrave pra, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ky është një mesazh i qartë, i mirë, dhe inkurajues edhe për ne në Kosovë që të jemi sa më unik, sa më të bashkuar në këtë proces të dialogut përballë Serbisë, në mënyrë që të finalizohet ky proces sa më shpejt, sa më mirë, me njohjen reciproke të Kosovës me Serbinë”, tha ai.

Në konferencën e mbajtur pas takimit me diplomatin sllovak, Thaçi tha se diskutimi me të ka qenë në drejtim të gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë që sipas Thaçit do të nënkuptonte njohjen reciproke.

Ndër të tjera, Presidenti i Kosovës theksoi se Bashkimi Evropian duhet të lëvizë më shpejtë në çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, që siç theksoi ai, po u bëhet padrejtësi e madhe.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026