Trump vë sërish në pikëpyetje përkushtimin e SHBA për mbrojtjen e NATO

25 Qershor 2025 | 13:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka vënë në pikëpyetje sërish të mërkurën përkushtimin e vendit të tij për t’i mbrojtur aleatët e vet në rast se ata sulmohen.

Trump po merr pjesë në një samit të NATO-s, i cili është duke u mbajtur të mërkurën në Holandë.

Ashtu siç bëri edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump la të kuptohej se mbështetja e tij do të varet nga ajo nëse aleatët e SHBA-së shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Ai ka kërkuar që aleatët evropianë dhe Kanadaja t’i shpenzojnë 5 për qind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

Në prag të takimit në Hagë, Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One se përkushtimi i tij ndaj Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s – garancia për siguri kolektive e organizatës – “varet nga përkufizimi juaj”.

“Ka shumë përkufizime të Nenit 5. E dini këtë, apo jo?” tha Trump. “Por unë jam i përkushtuar të jem mik i tyre”.

Ai tha se do të japë një përkufizim më të saktë për atë se çfarë do të thotë Neni 5 për të, sapo të jetë në samit.

Si kandidat në vitin 2016, Trump kishte thënë se si president nuk do ta zbatonte patjetër garancinë e mbrojtjes së ndërsjellë të aleancës. Në mars të këtij viti, ai shprehu pasiguri nëse NATO-ja do t’i mbronte Shtetet e Bashkuara nëse do të ishte e nevojshme.

Çfarë thotë Neni 5?

Neni 5 është themeli mbi të cilin është ndërtuar Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut me 32 anëtarë. Ai përcakton se çfarëdo sulmi i armatosur kundër njërit ose më shumë anëtarëve do të konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Ai gjithashtu thotë se, në rast të një sulmi të tillë, secili anëtar do të ndërmarrë, individualisht dhe në bashkëpunim me të tjerët, “veprime që i konsideron të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rikthyer dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut”.

Kjo garanci sigurie është arsyeja pse Finlanda dhe Suedia, më parë vende neutrale, kërkuan të anëtarësohen në NATO pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – dhe gjithashtu pse Ukraina dhe vende të tjera evropiane kërkojnë anëtarësimin.

Kur është aktivizuar Neni 5?

Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke hapur rrugën për operacionin më të madh të NATO-s ndonjëherë, pra në Afganistan.

Por, aleatët e NATO-s kanë ndërmarrë gjithashtu masa të mbrojtjes kolektive, duke përfshirë bashkimin me SHBA-në për të luftuar grupin Shteti Islamik (IS) në Siri, Irak dhe Afganistan, si dhe për të ndihmuar në ruajtjen e paqes në Ballkan.

Premtimi i ngjashëm me atë të “Tre Musketerëve” – të gjithë për një, një për të gjithë – është në thelb të efektit parandalues të NATO-s. Vënia në dyshim e kësaj garancie mund ta nxisë ndonjë kundërshtar ta testojë. Zyrtarë evropianë kanë deklaruar se Rusia po planifikon pikërisht këtë gjë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026