Trump shpall tarifat ndëshkuese deri në 41% për 68 shtete dhe BE-në

1 Gusht 2025 | 07:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa nga 10% deri në 41% për importet nga dhjetëra partnerë tregtarë, në përpjekjen e tij më të fundit për të riformësuar ekonominë globale.

Megjithatë, në një zbutje të lehtë që lë hapësirë për negociata të mëtejshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi se masat do të hyjnë në fuqi brenda një jave – jo të premten, siç ishte paralajmëruar më herët nga Trump.

Normat e reja, që Trump i konsideron të dobishme për eksportuesit amerikanë, kanë sjellë pasiguri të reja për dhjetëra vende, përfshirë aleatë të ngushtë të SHBA-së. Ato gjithashtu kanë shtuar frikën për rritje të inflacionit në SHBA.

Tarifat janë vendosur në 25% për eksportet nga India, 20% për Tajvanin dhe 30% për Afrikën e Jugut. Zvicra përballet me një normë prej 39%. Ndërkohë, afati për arritjen e një marrëveshjeje tarifore me Meksikën është zgjatur me 90 ditë të tjera.

Brazili kishte fillimisht një normë prej 10%, por një urdhër i mëparshëm i nënshkruar nga Trump vendosi tarifa prej 40% për disa mallra braziliane, në shenjë ndëshkimi për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve dhe nxitjen e mbështetësve të tij për të sulmuar institucionet qeveritare.

Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër që rrit tarifat për mallrat kanadeze nga 25% në 35%. Sipas urdhrit, Kanadaja “nuk kishte bashkëpunuar” për ndalimin e fluksit të fentanilit në SHBA. Trump kishte paralajmëruar se njohja e një shteti palestinez nga ana e Otavës do ta bënte “shumë të vështirë” arritjen e një marrëveshjeje tregtare.

Disa nga vendet më të varfra dhe të shkatërruara nga lufta janë goditur me tarifa ndëshkuese: Siria me 41%, Laosi dhe Mianmari me 40%, Libia me 30%, Iraku me 35% dhe Sri Lanka me 20%. Lesoto, një vend i vogël afrikan, do të përballet me një normë të rishikuar prej 15%, pasi më parë ishte kërcënuar me tarifë 50% – më e larta ndaj ndonjë partner tregtar të SHBA-së.

Njoftimi fillestar për tarifat, tre muaj më parë, shkaktoi rënie në tregjet financiare. Kësaj here, reagimi ishte më i qetë: aksionet dhe kontratat me afat ranë lehtë në tregtinë e së premtes në mëngjes në Azi. Tarifat për 68 vende dhe Bashkimin Evropian me 27 anëtarë do të hyjnë në fuqi brenda shtatë ditëve, jo më 1 gusht siç ishte parashikuar fillimisht. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, shtyrja lidhet me nevojën për më shumë kohë për harmonizimin e tarifave.

Trump deklaroi se tarifat e reja “po shkojnë shumë mirë, shumë lehtë”. Në një intervistë për NBC News, ai shtoi se është “tepër vonë” që vendet e përfshira në urdhër të shmangin tarifat, por la të hapur mundësinë për marrëveshje:

“Kjo nuk do të thotë që dikush nuk vjen pas katër javësh dhe thotë se mund të arrijmë një lloj marrëveshjeje.”

Vendimi për vendosjen e tarifave po përballet me sfida ligjore. Gjykata e Apelit dëgjoi argumentet e palëve të enjten pas vendimit të një gjykate më të ulët që vlerësoi se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij duke përdorur fuqitë ekonomike emergjente.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se vendet që nuk kanë marrë një letër paraprake nga Trump ose që nuk kanë negociuar një kuadër tregtar do të njoftohen për normat tarifore, përmes një letre ose urdhri ekzekutiv.

Disa shtete kishin arritur marrëveshje për uljen e tarifave – për shembull, Pakistani përballet me tarifa 19%, ndërsa të tjera nuk patën mundësi të negocionin. Shtetet që nuk figurojnë në urdhër do të përballen me një tarifë bazë prej 10%.

Kina ka një afat të veçantë për vendosjen e tarifave, më 12 gusht, si pjesë e një armëpushimi të arritur në parim, por ende të pamiratuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, e quajti tarifën “të përkohshme” dhe tha se ekziston mundësia e uljes nëse arrihet një marrëveshje. Ai shkroi në Facebook se qeveria do të “përpiqet për një normë të arsyeshme tarifore”.

Ndërkohë, Tajlanda e përshëndeti tarifën 19% si “një sukses të madh”. Zëdhënësi i qeverisë, Jirayu Huangsab, deklaroi se kjo qasje “fitim-fituese” synon ruajtjen e eksporteve tajlandeze dhe stabilitetin ekonomik afatgjatë.

Trump tha se kishte vendosur të shtynte tarifat për Meksikën për shkak të kompleksitetit të marrëdhënieve tregtare. Ai shkroi në rrjetet sociale:

“Do të flasim me Meksikën gjatë 90 ditëve të ardhshme me qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare brenda kësaj periudhe, ose më gjatë.”

Kjo zgjatje shmangu një tarifë 30% për mallrat jo-automobilistike dhe jo-metalike të Meksikës, sipas Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada. Vendimi u mor pas një telefonate të enjten në mëngjes mes Trump dhe presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum.

“Sheinbaum shkroi në rrjetin X se telefonata ishte ‘shumë e mirë’ dhe konfirmoi se “e shmangëm rritjen e tarifave të njoftuara për nesër.” Tarifa për Meksikën do të mbetet 25% për 90 ditë të tjera.

Rreth dy javë më parë, Trump kishte kërcënuar me tarifa 30% ndaj BE-së dhe Meksikës, por të dielën arriti një marrëveshje me Brukselin me normë bazë 15% duke filluar nga 1 gushti.

Zgjatja për Meksikën mund të ngjallë kritika se Trump shpesh i shmang afatet që vetë vendos, por tarifat e vendosura ndaj ekonomive kryesore si BE dhe Japonia sugjerojnë se strategjia e tij kërcënuese po jep rezultat.

Një zyrtar amerikan tha se marrëveshje të tjera ende nuk janë shpallur:

“Kemi disa marrëveshje,” u shpreh ai. “Por nuk dua t’i paraprij presidentit në njoftimin e tyre.”

Në shpalljen e tij më 2 prill, që e quajti “Dita e Çlirimit”, Trump premtoi tarifa “reciproke” ndaj partnerëve tregtarë, si hakmarrje për atë që ai e përshkroi si vite shfrytëzimi dhe dëmtimi të SHBA-së.

Deri më 31 korrik, vetëm tetë vende ose blloqe kishin arritur marrëveshje zyrtare me Shtëpinë e Bardhë: Mbretëria e Bashkuar, Vietnami, Indonezia, Filipinet, Koreja e Jugut, Japonia, Pakistani dhe BE-ja.

Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, deklaroi se Shtëpia e Bardhë kishte konfirmuar se asnjë vend nuk kishte tarifë më të ulët sesa Australia – duke nënkuptuar se tarifa bazë prej 10% për mallrat australiane mbetet e pandryshuar.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026