Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën për arrestimin e një sanitareje të spitalit “Shefqet Ndroqi”, e cila hiqej kinse infermiere dhe në një rast në muajin dhjetor i kishte marrë familjares së një pacienti ryshfet.
Rasti, i denoncuar në media dhe i shoqëruar me reagime të shumta nga opinioni publik, ka lidhje me një kallëzim të bërë në muajin dhjetor. Një vajzë 30-vjeçare me inicialet E.S ka paditur sanitaren me inicialet T.A (58 vjeçe), se në kohën kur e ëma e saj ishte e shtruar në spital, sanitarja e ka mashtruar duke i marrë rregullisht para – 5 deri në 6 mijë lekë, – duke iu shfaqur si infermiere.
Policia tha se kjo çështje po vijohet të hetohet pas denoncimit edhe në emisionet televizive të gazetarisë hulumtuese.
Ministrja e Shëndetësisë reagoi mbrëmjen e së martës duke dënuar publikisht rastin. Ministrja Ogerta Manastirliu tha se për veprimin e paligjshëm dhe korruptiv i ka kërkuar drejtorisë së spitalit shkarkimin nga detyra.
Manastirliu këmbënguli duke thënë se “akti është i izoluar” dhe se “një punonjëse nuk mundet kurrsesi të njollosë punën e jashtëzakonshme të mjekëve.
Po gjatë së mërkurës, policia tha se kishte arrestuar edhe 7 persona të tjerë, një të riu që kishte përndjekur dhe dhunuar ish-të dashurën, dy persona për vjedhje dhe katër të tjerë për drejtim të makinës në gjendje të dehur.