Uashingtoni dhe Kievi: Progres në bisedime, por paqja varet nga Rusia

6 Dhjetor 2025 | 13:36

Negociatorët ukrainas dhe ata amerikanë i kanë bërë bashkërisht thirrje Rusisë që të tregojë një angazhim serioz për një paqe afatgjatë, pasi bisedimet e zhvilluara më herët gjatë javës në Moskë nuk prodhuan një rezultat.

I dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe Rustem Umerov, sekretar i Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Ukrainës, e bënë apelin e tyre pas dy ditë “dialogu konstruktiv” të zhvilluar në Florida.

Dy zyrtarët thanë në një deklaratë se shanset për t’i dhënë fund luftës varen nga gatishmëria e Rusisë për të bërë hapa përpara drejt shtensionimit të situatës dhe ndalimit të vrasjeve.

“Fundi i luftës dhe hapat e duhur drejt armëpushimit dhe shtensionimit janë të nevojshëm për të parandaluar përsëritjen e agresionit”, thuhet në deklaratë.

Bisedimet në Florida kanë pasur si synim informimin e palës ukrainase për bisedimet mes përfaqësuesve të Trump dhe presidentit Putin të zhvilluara ditën e martë.

Witkoff dhe dhëndri i presidentit Jared Kushner kaluan thuajse 5 orë në Moskë dhe në fund të takimit Kremlini deklaroi se asnjë kompromis nuk ishte arritur mbi draftin e Shteteve të Bashkuara për paqen.

Kremlini deklaroi se Putin ishte gati të vijonte takimet me palën amerikane për sa kohë të jetë e nevojshme, por Ukraina dhe aleatët e saj në Evropë kanë vënë në dyshim angazhimin e liderit rus për t’i dhënë fund luftës.

Të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se dëshironte të kishte informacion të plotë mbi atë që ishte diskutuar në Moskë dhe mbi pretekstet me të cilat Putin ka dalë për të vazhduar luftën.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ish-presidenti Biden, libër biografik pas zgjedhjeve të mesmandatit

Ish-presidenti amerikan Joe Biden do të publikojë vjeshtën e ardhshme një libër biografik, ka njoftuar shtëpia botuese e kontraktuar. ““Promise Me, America” do të trajtojë...
21:53 | 15/07/2026

14-vjeçari akuzohet për planifikim të një sulmi terrorist ndaj dy xhamive në Londër

Një djalë 14-vjeçar është akuzuar për përgatitje të akteve terroriste, pasi dyshohet se planifikonte të sulmonte dy xhami në jug të Londrës, njoftoi të mërkurën...
21:35 | 15/07/2026

Deputetët francezë miratojnë ligjin për vdekjen e asistuar pas vitesh debate

Asambleja Kombëtare e Francës ka votuar këtë të mërkurë për të krijuar të drejtën për vdekje të asistuar. Deputetët votuan me 291 vota pro dhe...
20:43 | 15/07/2026