Vdekjet e dyshimta në Klinikën Infektive, kërkohet dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë
Katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm të së dielës në Klinikën Infektive në Kosovë, ndërkaq edhe pesë viktima të tjera nga korona virusi janë shënuar gjatë ditës. Për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet, pas dyshimeve se ka pasur defekt në furnizim me oksigjen. Madje, me vendim të prokurorit, trupave të pajetë do t’u bëhet autopsia.
Për këtë rast, anëtarë opozitarë të Komisionit për Shëndetësi po kërkojnë dorëheqjen e ministrit Armend Zemaj, raporton KosovaPress.
Ndërsa, gjatë ditës bordi i SHSKUK-së e ka shkarkuar të drejtorin e përgjithshëm, Basri Sejdiun. Dy ditët e fundit kanë qenë të vështira për Kosovën sa i përket situatës me COVID-19. Pas rrethimit të Infektives nga Policia e Kosovës, mëngjesin e së dielës, as në konferencën e kryeministrit Avdullah Hoti nuk u dhanë informacione për këtë rast, por u mjaftua me një komunikatë nga Ministria e Shëndetësisë, ku u theksua se duhet të shikohet natyra e vdekjeve të këtyre personave.
Madje, nuk pati as informacione se sa persona vdiqën. Ndërkohë, të hënën Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke u hetuar vdekja e gjashtë personave në Klinikën Infektive.
“Raportohet se në Klinikën Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona, që të gjithë kosovarë. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Për numrin e personave të cilëve do t’u bëhet obduksioni, KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, por ky i fundit nuk ka qenë i disponueshëm. Veç tjerash, KosovaPress mëson se prokurore e rastit është Javorka Prlinçeviq.
Ministria e Shëndetësisë nuk kishte dhënë detaje rreth rrethanave të vdekjes së këtyre personave. Përmes një reagimi për media, MSH-ja kishte bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.
Në anën tjetër, IKSHP mbrëmë kishte njoftuar për gjithsej 75 raste të vdekjes, që nënkuptonin nëntë viktima gjatë ditës. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti bëri të ditur se katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm, ndërsa pesë të tjerë gjatë së dielës.
“Numri i përgjithshëm i të raportuarve si të vdekur është 75… Të dhënat është shumë e thjeshtë që nxirren në orët e hershme të mëngjesit ka pasur 4, dhe gjatë ditës kanë ‘dalë’ edhe pesë pacientë të tjerë dhe është ai numër që ka prezantuar raporti Instituti i Shëndetit Publik, pra janë nëntë pacientë”, deklaroi z. Hoti.
Ndryshe nga herët e kaluara, nuk ishte raportuar as për moshën e personave që vdiqën dje. Një gjë të tillë zëdhënësi Hoti e arsyen me faktin se koha e mbledhjes së informacionit ka qenë e shkurtër.
“Është krejt ndryshe të raportohet një rast individual, e krejt ndryshe të raportohet në raste më të mëdha në numra. E keni parë edhe në shtetet tjera kur ka raste më shumë, atëherë edhe koha e mbledhjes së informacionit është më e shkurt dhe raportohen si numra të përgjithshëm”, shtoi z. Hoti. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të tjera që të jenë të përmbajtur në deklarata, për çka thotë se njerëzit kompetentë të QKUK-së i kanë versionet e tyre.
Anëtari opozitar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fitim Uka kërkon që prokuroria të kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur. Ai për KosovaPress thotë se ministri Zemaj duhet të japë dorëheqjen. Madje, sipas tij një vendim i tillë është nderi më i madh që do të mund t’i bënte vendit.
“Unë personalisht mendoj që personi që duhet të japë dorëheqjen nuk është vetëm ministri ilegal, Armend Zemaj por duhet të jep dorëheqje edhe kryeministri, edhe kjo qeveri. Sepse këta kanë dështuar totalisht në menaxhimin e pandemisë, prej një vendi model që është parë në këtë mënyrë nga Johns Hopksins universiteti, apo institucionet tjera kredibile në menaxhimin e pandemisë, ne jemi kthyer në një vatër të rrezikshme. Kemi vdekje të përditshme, kemi numër të madh të personave të infektuar nga Covid-19, dhe kemi mungesë të reagimit institucional. Pastaj kemi edhe kundërthënie të jashtëzakonshme të këtij kryeministri dhe ministrit të Shëndetësisë. Njëri thotë që të kthehen masat, tjetri thotë nuk kthehen”, tha Uka.
Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj ka thënë për KosovaPress se gjatë javës do të mbahet një mbledhje virtuale për të diskutuar për këtë situatë. Bordi i SHSKUK-së sot gjatë ditës e ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm, Basri Sejdiu, pas vdekjeve të dyshimta. Në vend të Sejdiut, është raportuar se Valbon Krasniqi do të jetë ushtrues detyre.
Pas rritjes së numrit të të vdekurve nga coronavirusi në vend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në rrjetin social Facebook duke thënë se kjo është dëshmi se rreziku nga COVID-19 është ende i lartë.
Deri më tani janë konfirmuar 3508 raste me coronavirus, prej tyre 1902 janë shëruar, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme janë shënuar nëntë raste të viktimave nga kjo sëmundje.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta