Të shihje aktivitet sportive pa tifozë, të festoje suksese të shumëpritura, por në mënyrë virtuale ose duke respektuar masat anti-COVID, ishin situata të paimagjinueshme, por gjithçka ndryshoi dhe e vuri botën e sportit para shumë sfidash të mëdha që u pasuan nga ngjarje të panumërta, emocionuese, kulminante, por dhe sa të rëndësishme dhe të çuditshme.
Në fillimin e muajit mars, kur shkallët e stadiumeve nisën të populloheshin akoma dhe më shumë për shkak të rivalitetit që krijuan skuadrat e Kategorisë Superiore, befas gjithçka ndaloi, duke krijuar një situatë të çuditshme dhe të pazakontë e duke i vënë të gjithë në vështirësi mjaft të mëdha. Pavarësisht gjithçkaje bota e sporti gjeti forcën që të përfundonte çdo aktivitet që kishte nisur, ndonëse në mënyra të çuditshme dhe me sfida jo të zakonta”.
Ndërprerja e kampionatit, solli një periudhë të pazakontë, që i detyroi të gjithë aktorët e sportit, të përballeshin me një sprovë të madhe, ku mes pasigurisë për të ardhmen, duhej menduar për të shpëtuar punën e së tashmes.
Titulli kampion i Tiranës, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2020, pasi ishte një trofe shumë i lakmuar. Tirana ndryshoi tre trajnerë në edicionin 2019-2020, pasi e nisën sezonin me Ardian Memën, më pas i besuan ekipin Julian Ahmatajt, për të bekuar në fund nigerianin Emanuel Egbos, i cili ndonëse e nisi si provizor aventurën tek kryeqytetasit, mori besimin e presidentit Halili që të tentonte të bënte realitet ëndrrën e tij dhe të shumë tifozëve bardheblu.
[
cite_header=Ëndrra ime ka qenë që ta fitoj dhe një herë titullin kampion me Tiranën si trajner i saj. Ëndrrën e përmbushën dhe e çuam deri në fund. Ishte një kënaqësi e madhe dhe arritje madhështore e historike jo vetëm me fitoren e kampionatit por dhe me mënyrën si e fituam. Fitorja me Partizanin pas 6-1 dhe 16 ndeshje pa humbje. Shumë gjëra që na dhanë një emocion të paparë
cite_author=Emanuel Egbo
cite_description=Ish-trajner i Tiranës
]
Egbo hyri në historinë e futbollit, pasi u bë i pari afrikan, i cili arriti të fitonte titullin në një kampionat elitar në Evropë. Diçka e veçantë dhe për 47-vjeçarin, i cili e pranon se nuk e kishte ditur se do të hynte në histori nga ky fakt.
“Të them të drejtën nuk e kisha mendjen të jem i pari trajner që kam fituar titullin në një vend evropian. Unë isha i fokusuar për të arritur titullin. Nuk e kisha në mendje që do jem afrikani i parë që do kem këtë sukses. E kam marrë vesh pasi kam dalë kampion. Ishte një ndjesi e veçantë pasi nuk e shpjegoja dot me fjalë. Kam ngelur në histori jo vetëm këtu por dhe në kontinentin tim. Natyrisht jam krenar për atë që kam bërë. Çdo gjë mund të arrihet me punë dhe sakrificë,” – tha Egbo.
Barazimi 0-0 i Kukësit në Loro Boriçi ndaj Vllazisë bëri që me 19 korrik, Tirana të festonte titullin e 25-të në histori.
Kaq mjaftoi që tifozët bardheblu, të harronin masat kundër pandemisë e të vërshonin në sheshet kryesore, për të festuar një sukses mjaft të vuajtur.
Për orë të tëra tifozët, tashmë 25 herë kampion veshën me ngjyrat bardh e blu kryeqytetin, duke kurorëzuar një sezon që zgjati më shumë se zakonisht.
Nëse trofeu më i rëndësishëm në vend shkoi në duart e Tiranës, Teuta ishte skuadra që mori Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, pikërisht ndaj kampionëve bardheblu. “Djemtë e detit” ishin ata që gjatë një sezoni të gjatë mundën që të merrnin dy medalje.
Për herë të parë, katër skuadra të Kategorisë Superiore arritën që të kalonin një tur në arenën ndërkombëtare. Një sinjal pozitiv që futbolli në vend vijon të rritet. Jo vetëm katër skuadrat shqiptare, por dhe Shkëndija, Renova e Drita arritën që të mos ndalen vetëm në turin e parë apo atë para eliminator, duke bërë që në Kupat e Evropës të flitet shqip në shumë vende.
Nëse faktorët natyror detyruan skuadrat shqiptare që për afro 3 muaj të mos zbrisnin në fushë, fillimi i sezonit të ri u shty, kjo nga një lëvizje e papritur e presidentëve, që me Ligën Profesioniste, kërkuan në datën 5 gusht përmirësimin e disa kushteve nga qeveria, ose në të kundërt kampionati nuk do të fillonte.
Klubet kishin katër kërkesa, që i konsideronin si të domosdoshme për fatin e futbollit dhe të sportit në tërësi. Liga profesioniste kërkoi miratimin e një Ligji të ri Sponsorizimi, uljen e TVSH-së në 6 %, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale, si dhe zerimin e tatimit mbi pagën për 10 vite e jo për dy.
Për javë të tëra, futbolli ndaloi në Shqipëri, me presidentët e klubeve dhe presidentin e Ligës Profesioniste që me ngulm kërkonin nga qeveria të hidhte sytë dhe nga sporti. Masa ekstreme e marrë u konsiderua si e nevojshme, pavarësisht se pakkush do e mendonte se qëndrimi i ekipeve të Superiore do të zgjaste për gati 2 muaj.
[
cite_header=Ekipet e futbollit të Superiores ishin në vështirësi reale financiare me diçka të trashëguar që prioritet me paketën e re ligjore të kishte dhe kushte më të mira për të shkuar para. Në këtë situat duke diskutuar dhe duke kërkuar e parë që nuk po realizohej ashtu siç ishte premtuar u detyruam që të marrim atë masë ekstreme që ishte bojkoti. Kjo gjë pati dhe pasoja për vetë futbollin
cite_author=Edvin Libohova
cite_description=President i Ligës Profesioniste të Futbollit
]
Pika më e rëndësishme e kërkesave ishte Ligji i Sponsorizimit, që do krijonte shumë hapësira për biznesmenët që të investonin në sport, por do i lehtësonte dhe drejtuesit aktual që të mos stepeshin për të investuar.
Qeveria shqiptare ngarkoi Fidel Yllin për të negociuar me Ligën Profesioniste dhe rikthimin e futbollit. Deputeti i Partisë Socialiste u bë ndërmjetësi i krerëve të klubeve dhe ministrisë së financave.
[
cite_header=Të dyja raportet që janë bërë nga Liga dhe Qeveria janë të njëjta por Liga thotë tatimi pas fitimit ndërsa Qeveria thotë tatimi para fitimit. Po ta shikosh në tërësinë e saj duke bërë disa kalkulime propozimi i qeverisë ka një shumë totale më të madhe se e Ligës por Liga kërkon një farë garancie për tatimin mbi fitimin.
cite_author=Fidel Ylli
cite_description=Deputet i Partisë Socialiste
]
Pas një pritje më shumë se një muaj e gjysmë, topi nisi të rrotullohej sërish, me një konsensus që pritet të marrë jetë, për të kënaqur botën e futbollit dhe mbarë sportit.
[
cite_header=Bojkoti e ka realizuar në një farë mënyre qëllimin e tij pasi e ka sjellë çështjen në vëmendje për tu diskutuar. Jemi në rrugën e mbarë për t’i përmirësuar gjërat ashtu siç duhet.
cite_author=Armand Duka
cite_description=President i Federatës Shqiptare të Futbollit
]
Rikthimi i aktivitetit pas një periudhe relativisht të gjatë, ndryshoi dhe formatin e Kupës së Shqipërisë, që edicionin e vitit 2021 do ta zhvillojë me vetëm një takim, kjo, për të rikuperuar javët e humbura nga bojkoti.
Kombëtarja shqiptare arriti që të zinte vendin e parë në grupin 3 të ligës së Kombeve, çka ishte një sukses shumë i rëndësishëm, pasi edicionin e ardhshëm kuqezinjtë duhet të masin forcat me kundërshtarë akoma dhe më të fortë.
Ecuria e kuqezinjve pati jo pak luhatje, pavarësisht se takimet e muajit nëntor u mbyllën me tre fitore. E ardhmja duket se premton shumë, aq më tepër kur e thotë dhe ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, i cili në një intervistë për Euronews Albania analizoi skuadrën e trajnerit Reja.
[
cite_header=Siguria e vendit të parë tregon se ekipi kombëtar ka një rritje cilësie që e ka dëshmuar. Duke bërë një analizë ndeshje pas ndeshje dhe ecurisë që kemi mund të themi se kemi një rrugëtim të gjatë për të bërë. Duhet të konsolidohemi me djemtë e rinj që kanë ardhur e ata që kanë arritur pjekurinë duhet të marrin përsipër të jenë lider në skuadër. Jemi shumë të kënaqur me vendin e parë por kemi një punë të gjatë para.
cite_author=Lorik Cana
cite_description=Ish-kapiten i Kombëtares së Shqipërisë
]
Nëse Shqipëria u mjaftua me vendin e parë në Ligën e Kombeve, Maqedonia e Veriut arriti që të siguronte pjesëmarrjen në kampionatin Evropian, duke shfrytëzuar maksimalisht formatin e Ligës së Kombeve. Në Euro 2021 do të flitet shqip, pasi pjesë e përfaqësueses ballkanase ka dhe lojtarë me origjinë shqiptare.
[
cite_header=Duke marrë parasysh që është pritur 30 vite për këtë rezultat që u arrit shihet që ka një interesim shumë të madh. Mendoj se është një sukses huamë i madh. Më gëzon fakti që të gjithë luajnë si një pavarësisht kombësisë që kanë. Më gëzon që luftojnë bashkë dhe janë profesionistë.
cite_author=Muhamed Sejdini
cite_description=President i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut
]
Suksesi i Maqedonisë së Veriut është një tregues që dëshmon se futbolli në Ballkan po rritet, kjo dhe për faktin se Maqedonia e Veriut gjatë rrugës eliminoi Kosovën, që nuk mundi të shkojë më larg se gjysmëfinalet e Ligës D.
Nëse bota e futbollit arriti që ti çonte aktivitet e saj deri në fund, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për aktivitet sportive në sallat e mbyllura. Me vendim të qeverisë, që nga muaji mars, të gjitha sportet që zhvilloheshin në sallat e mbyllura, u konsideruan me rrezik për përhapjen e pandemisë. Një vendim i tillë, solli shumë probleme për sportistët.
[
cite_header=Pandemia është diçka e jashtëzakonshme që ka gllabëruar gjithë botën por ne e përjetuam më keq pasi të gjithë rifilluan ndërsa shteti shqiptar nuk i lejoi sportet e sallës. Kjo ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm. Pjesëmarrja jonë në arenën ndërkombëtare ka qenë e pamundur për femrat dhe me shumë sakrificë për meshkuj. Dëmi është i pallogaritshëm
cite_author=Korab Llazani
cite_description=Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit
]
“Nëse e ndërpret një ditë duhet një javë për të rikuperuar, nëse e lë një javë duhet një muaj, nëse e lë një muaj duhet një vit, ndërsa nëse e lë një vit, kam frikë se mund të duhen 5 deri në 10 vite për ta rikuperuar,” – shtoi ai.
Futbolli mund të jetë sporti më i dashur, megjithatë në Shqipëri numri i individëve që ushtrojnë sportet e tjera është i madh, por janë të detyruar që prej muajsh të mos ushtrojnë profesionin ose thjeshtë pasionin e tyre. Edhe pse aktiviteti mungoi, federata shqiptare dhe ajo e Kosovës krijuan ligën e përbashkët, duke realizuar një projekt që ishte ideuar prej kohësh. Në 10 shtator u krijua liga “unike”.
Në një vit i ngarkuar, që do të mbahet mend për vështirësitë dhe çudirat e krijuara nga faktorë të pazakontë, natyror dhe njerëzor. Pavarësisht gjithçkaje, sporti mbetet një formë argëtimi, me të mirat dhe të këqijat e tij.