Votohet qeveria e re në Kosovë, kabineti i Kurtit merr 67 vota pro

22 Mars 2021 | 14:41

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota pro, 30 kundër qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti. Të pranishëm në sallë ishin 107 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Në fjalën e tij pas votimit të qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se pritjet për qeverinë e tij janë të mëdha dhe ndaj përgjegjësia është po aq e madhe. Ai u bëri thirrje zyrtarëve të rinj se janë në shërbim të qytetarëve dhe jo të privilegjuar.

“Ne na zgjedhin dhe na shkarkojnë qytetarët, këtë mos e harroni kurrë. Unë do të udhëheq mbi bazën e vullnetit të popullit, qeveria dhe institucioneve janë të qytetarëve, ata punojnë për ta dhe në emër të tyre. Këtë duhet ta ketë parasysh secili zyrtar që ka marrë pozitë drejtues sot. Në pozitë jeni për të shërbyer”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Ai kërkoi konsensus për dialogun me Serbinë dhe qëndrimet për politikën e jashtme. Konsensus kërkoi edhe për reformën në arsim. Kurti tha se Kosova është shtet i vogël, por popull i lashtë. “Asgjë nuk na është falur, gjithçka që kemi, e kemi paguar shtrenjtë”, deklaroi ai.

Kurti: Raportet me Serbinë do t’i avancojmë nëpërmjet reciprocitetit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 52 deputetëve të Kosovës, ku pritet të votohet Qeveria Kurti 2.

Në fjalën e tij përpara kuvendit, kandidati për kryeministër, Albin Kurti teksa prezantoi ekspozenë e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se pandemia COVID-19 do të jetë prioriteti numër një i qeverisë së tij, më pas drejtësia, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe reformimi në arsim.

“Pandemia sfida kryesore, pa humbur kohë do të dalim me plan për masa të reja dhe do të synojmë vaksinimin e 60 për qind të popullsisë. Do të vazhdojmë vetingun për të vendosur drejtësi. Edhe arsimi do të riformohet”, tha Kurti.

Albin Kurti deklaroi ndër të tjera se pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe në mes të dy shteteve.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i VV, tha se me Serbinë, Kosova ka çështje të hapura që duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, megjithatë shtoi se asnjë progres nuk mund të bëhet nëse nuk ka progres në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë.

Kurti shtoi se raportet tona fqinjësore do t’i avancojmë nëpërmjet reciprocitetit.

Sipas tij, rruga drejt integrimit në BE, mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë.

Paraprakisht, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë se nuk e votojnë Qeverinë Kurti, pasi Albin Kurti është i dënuar dhe dënimi i tij akoma nuk ka kaluar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit nëse zgjidhet si kryeministër Albin Kurti, pasi që ai është i dënuar për vepër penale në tri vjetët e fundit sipas aktgjykimit të Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

18:15 Abdixhiku: Tani presim zgjidhje për problemet

Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur një fjalim të moderuar në seancën e jashtëzakonshme të votimit të qeverisë së re.

Kreu i LDK nga ana tjetër foli për pushtet absolut të VV-së, ndërsa përmendi si sfida kryesore punësimin, liberalizimin e vizave, integritetin territorial, etj.

“Tani presim zgjidhjen e problemeve, jo menjëherë por zgjidhjet e nevojshme. Presim zgjidhje për të gjitha rezolutat që keni ngritur”, iu drejtua Abdixhiku, Albin Kurtit.

18:25 Hoxhaj: Nuk dëgjova asgjë për Marrëveshjen e Uashingtonit

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike të Kosovës. Enver Hoxhaj u shpreh më kritik duke thënë se nuk sheh plane korrekte nga qeveria e re.

Ai tha se nuk pa sigurimin e vaksinave si sfidë, arsimin dhe politikën e jashtme si një orientim strategjik. Gjithashtu i kujtoi z. Kurti tema të rëndësishme për të cilat nuk dëgjoi qëndrim prej tij.

“Presja gjithashtu që ne nuk do të vazhdojmë dialogun pa kërkuar falje Serbia dhe pa u gjet I pagjeturi I fundit. Prisja që të thoshte diçka për asosacionin. Nuk dëgjova asgjë për Marrëveshjen e Uashingtonit. Nuk dëgjova asgjë për minischengen”, deklaroi Hoxhaj.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026