Vuçiç: Rafineria e NIS-it ndalon punën për 4 ditë pas sanksioneve të SHBA-së
Një rafineri nafte në Serbi, me shumicë pronësie ruse, do të mbyllet brenda katër ditësh nëse SHBA-të nuk heqin sanksionet e tyre, ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Uashingtoni fillimisht shënjestroi vendndodhjen e Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, në janar, por i dha Beogradit përjashtime deri në hyrjen në fuqi të kufizimeve ekonomike muajin e kaluar. Si rezultat, bankat ndaluan përpunimin e pagesave të NIS dhe nafta bruto ndaloi së furnizuari objektin përmes tubacionit JANAF të Kroacisë.
Vuçiç tha se vendi ka karburant me afat të shkurtër, por po përballet me “probleme të mëdha”.
“Nuk është mbyllur ende, por tashmë po funksionon në një nivel më të ulët krahasuar me normalin. Kur vendos sanksione kundër Rusisë dhe kompanive të saj, ato përfundojnë duke e goditur vendin tonë”, tha Vuçiç.
Ai tha se me ndërprerjen e punës së rafinerisë do të “vihej në rrezik funksionimi i sistemit shëndetësor, ndihmës së shpejtë”, si dhe furnizimi i zinxhirëve tregtarë dhe funksionimi i sistemit të transportit.
Vuçiç tha gjithashtu se Banka Popullore e Serbisë ka marrë paralajmërime, ashtu si edhe bankat komerciale në Serbi, për sanksione dytësore për shkak të bashkëpunimit me NIS-in.
“Po i vëmë në rrezik edhe bankat komerciale edhe Bankën Popullore. Unë personalisht kam marr garanci verbale nga amerikanët se nuk do të ketë sanksione të tilla për bankat”, tha ai.
Vuçiç kishte deklaruar më herët gjatë nëntorit se pronarët rusë po negociojnë për shitjen e aksioneve të tyre në NIS me tre partnerë, por nuk kishte treguar se për kë bëhej fjalë.
Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor, si përpjekje e administratës amerikane për t’i vështirësuar Rusisë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.
Shteti i Serbisë në vitin 2008 ia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft për 400 milionë euro, pa tender.
NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe prodhimin e gazit natyror.
Ndërkohë, Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.
LEXONI GJITHASHTU:
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 589
Departamenti i Thesarit i SHBA-së heq përkohësisht disa sanksione ndaj Venezuelës pas tërmetit
Një tërmet i fuqishëm godet Japoninë, sa ishte magnituda
- 17:09 Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 589
- 17:01 Volkswagen planifikon të shkurtojë deri në 100,000 vende pune dhe ndoshta të mbyllë fabrikat
- 16:47 Departamenti i Thesarit i SHBA-së heq përkohësisht disa sanksione ndaj Venezuelës pas tërmetit
- 16:45 Një tërmet i fuqishëm godet Japoninë, sa ishte magnituda
- 16:42 Tërmete të reja të forta në Japoni dhe Filipine
- 16:39 Plazhet publike me pagesë, Ministri Gonxhja: Disa janë tarifuar 1 mijë lekë të reja, lidhet me kostot e larta të mirëmbajtjes