Zaev ul TVSH e energjisë për të mbrojtur qytetarët në RMV nga rritja e çmimit

5 Tetor 2021 | 15:46

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë kanë nisur reagimet lidhur me një shtrenjtim të energjisë elektrike që nuk do të ishte i përballueshëm. Ish-anëtari i bordit të Elektranave të Maqedonisë së Veriut dhe drejtor aktual i kompanisë shtetërore “Mepso”, që është përgjegjëse për përçimin e energjisë elektrike dhe menaxhimin me sistemin përçues të energjisë elektrike, Kushtrim Ramadani shprehet se një krizë që kalon kufijtë evropianë, do të ndikojë të çmimi.

“Skenarët sa i përket zhvillimit të mëtutjeshëm energjetik unë do t’i quaj shumë pesimistë. Ne kemi diku 70 për qind prodhim vendor, por kohëve të fundit kemi prodhim të zvogëluar, edhe pse kapaciteti prodhues i instaluar është 70 për qind. Kapaciteti më i madh prodhues është në Manastir, i cili mbulon gjysmën e prodhimit vendor, mirëpo viteve të fundit gati e ka përgjysmuar prodhimin. Vitin e kaluar kishte edhe keqmenaxhim të resurseve ujore. Prandaj tani për tani mund të them se nuk ka vend që është më keq se sa Maqedonia e Veriut pasi kemi ngelur me diku 10 për qind të resurseve ujore”, u shpreh për Euronews Albania Kushtrim Ramadani, drejtor i MEPSO-së.

Por qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi ata janë pjesë e një tregu të rregulluar nga shteti dhe atyre u shpërndahet energji elektrike me çmimin para rritjes në bursë, pra dallimin në çmim e amortizon shteti.

“Tani kemi krizë në tregun e lirë për furnizim me energji elektrike dhe ajo krizë në Evropë po ndikon edhe në shtetin tonë, pasi tregtuesit për furnizim me energji elektrike e marrin energjinë elektrike nga bursat evropiane, ku tashmë ka nisur rritja drastike e çmimit. Prandaj, sikurse në bursë edhe në tregun e lirë në shtetin tonë është rritur çmimi në mënyrë drastike. Ka kompani që po i shkëpusin marrëveshjet me kompanitë në Maqedoninë e Veriut dhe po ofrojnë energji elektrike të shtrenjtuar. Pritjet tona janë se kur të stabilizohet trendi i rritjes në Evropë, do të stabilizohet gjendja edhe tek ne”, thotë Marko Bislimovski, kryetar i KRRE.

Lidhur me krizën energjetike shprehet edhe Kryeministri Zoran Zaev, i cili deklaroi se një prej masave për zbutjen e goditjes nga rritja e çmimit të energjisë elektrike është ulja e TVSH-së nga 18 në 5 për qind, që tashmë është në fuqi dhe ndihma për të amortizuar faturat e energjisë për institucionet shtetërore dhe publike.

“Ne bëjmë edhe subvencionim, në dy mënyra. I ndihmojmë Elektranave të Maqedonisë së Veriut duke e mbuluar harxhimet e rritura të prodhimit nga buxheti. Subvencionojmë edhe çmimin me të cilin blihet energjia elektrike në tregun e lirë, në mënyrë që kjo mos t’i prekë qytetarët, dhe kështu do të vazhdojmë”, shprehet kryeministri Zaev.

Por për kompanitë ende nuk ka një masë që do t’i ndihmonte për ta tejkaluar këtë shtrenjtim gati të pesëfishtë. Shumë kompani shpërndarëse, të cilat blejnë energji elektrike në tregun e lirë dhe ua shesin kompanive vendore, po i shkëpusin kontratat me çmimin e vjetër dhe po ofrojnë energji elektrike me çmimin e lartë, gjë që është e ndaluar me ligj, pasi ata duhej të kishin rezerva të blera me çmimin e vjetër.

 

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026