Zelensky: Bisedimet për garancitë e sigurisë duhet të përfshijnë presidentin Trump
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u shpreh sot se është jetike që dialogu për garancitë e sigurisë për vendin e tij të kalojë menjëherë në nivelin më të lartë të udhëheqjes shtetërore, duke përfshirë edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një prononcim për mediat, Zelensky tha se Ukraina, së bashku me aleatët e saj, do të presë deri më 1 shtator një afat i përcaktuar më parë nga vetë presidenti Trump për të parë nëse Federata Ruse është e gatshme të angazhohet në një takim dypalësh që synon t’i japë fund agresionit ushtarak.
“Është koha që bisedimet për sigurinë të zhvillohen drejtpërdrejt mes liderëve. Duhet të përfshihet edhe presidenti Trump,” theksoi ai.
Zelensky njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të vijojë kontaktet me udhëheqësit evropianë, për të forcuar angazhimet që ai i vlerëson si të ngjashme me standardet e NATO-s.
“Na duhet një strukturë e qartë sigurie për të gjithë. Kjo nuk është vetëm për Ukrainën,” shtoi ai, duke bërë të ditur se dëshiron të realizojë një takim të drejtpërdrejtë me presidentin Trump, për t’i paraqitur atij pozicionin e qeverisë ukrainase.
Zelensky gjithashtu iu bëri thirrje vendeve partnere që çdo marrëveshje për garanci sigurie të miratohet zyrtarisht nga parlamentet kombëtare përkatëse, në mënyrë që të kenë vlefshmëri juridike.
“Nuk kërkojmë premtime të vagëta apo deklarata politike. Na nevojiten garanci ligjërisht të detyrueshme. Nuk duam të përsëritet rasti i Memorandumit të Budapestit,” tha ai, duke kujtuar marrëveshjen e vitit 1994, në të cilën Ukraina heq dorë nga armët bërthamore në këmbim të sigurisë që nuk u respektua.
Sipas tij, afati i 1 shtatorit mbetet momenti kyç për të kuptuar nëse Rusia ka ndonjë gatishmëri reale për bisedime. “Nëse nuk marrim asnjë përgjigje nga Moska, presim që aleatët tanë të japin një qëndrim të prerë,” u shpreh Zelensky.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për një vullnet të sinqertë nga pala ruse për të ulur tensionet. Në të kundërt, sipas tij, do të jetë e domosdoshme një reagim serioz nga partnerët perëndimorë.
Në fund të deklaratës, presidenti ukrainas ngriti shqetësimin për përqendrimin e trupave ruse pranë qytetit Pokrovsk në lindje të vendit, duke thënë se rreth 100,000 ushtarë janë pozicionuar në këtë zonë, e cila konsiderohet strategjike. “Situata në Pokrovsk është ndër më të rrezikshmet për momentin,” paralajmëroi ai, duke shtuar se forcat ruse “po përgatiten për ofensiva të qarta.”
Mbi 900 viktima nga vala e të nxehtit në Holandë
Netanyahu rikthehet në gjykatë, vijon gjyqi për korrupsion
Starmer ndërpret rrugëtimin si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar: Ky është fundi i udhëtimit tim politik
- 17:37 Raporti: Punëtorët e huaj që largohen nga Greqia përkeqësojnë krizën e tregut të punës
- 17:33 Mbi 900 viktima nga vala e të nxehtit në Holandë
- 17:23 Netanyahu rikthehet në gjykatë, vijon gjyqi për korrupsion
- 17:17 Zbulohet kandidati përballë Flamur Nokës si Sekretar i Përgjitshëm për PD-në, Samir Korreshi pjesë e garës
- 17:12 Starmer ndërpret rrugëtimin si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar: Ky është fundi i udhëtimit tim politik
- 17:11 Meloni merr goditje tjetër pas referendumit, rrëzohet propozimi i saj për Reformën Zgjedhore