Zelensky ofron shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut

13 Janar 2025 | 10:04

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është i gatshëm t’i dorëzojë Phenjanit dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut, në këmbim të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi.

“Për ata ushtarë të Koresë së Veriut që nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion”, shkroi Zelensky në X.

Atyre që duan “ta sjellin paqen më afër, duke përhapur të vërtetën për këtë luftë në koreanisht, do t’u jepet mundësia”, shtoi ai.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se njëri nga dy ushtarët u tha zyrtarëve se mendonte se do të shkonte në Rusi për “stërvitje” dhe jo në luftë.

Atij iu gjet një kartë identiteti ushtarake ruse, e lëshuar në emër të një personi tjetër.

Ushtari tjetër nuk kishte dokumente.

SBU-ja tha se dy burrat, të cilët u kapën më 9 janar, janë në Kiev dhe nën kujdes mjekësor.

Ata flasin vetëm koreanisht dhe janë duke u marrë në pyetje me ndihmën e Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut, tha SBU-ja.

Rusia nuk e ka mohuar se shfrytëzon trupat e Koresë së Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës.

Presidenti Vladimir Putin tha në tetor se është “vendim sovran” i vendit të tij nëse do të dislokojë ose jo forca të tilla.

Zyra e Zelenskyt tha në një deklaratë të shtunën se rusët “po përpiqen ta fshehin faktin se këta janë ushtarë nga Koreja e Veriut, duke u dhënë atyre dokumente që i paraqesin nga Tuva ose territore të tjera nën kontrollin e Moskës”.

Shërbimi ukrainas i inteligjencës raportoi se ushtari që mbante kartë identiteti, tha se kishte lindur në vitin 2005 dhe se i kishte shërbyer Koresë së Veriut që nga viti 2021.

I burgosuri i dytë raportohet t’i ketë dhënë disa nga përgjigjet e tij me shkrim, për shkak të lëndimeve në nofull.

Sipas SBU-së, ai besohet se ka lindur në vitin 1999 dhe se i ka shërbyer Koresë së Veriut që nga viti 2016.

Ukraina dhe Koreja e Jugut raportuan në fund të vitit të kaluar se Koreja e Veriut ka dërguar së paku 10.000 trupa në Rusi.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut tha të hënën se më shumë se 300 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë gjatë luftimeve për Rusinë dhe se të paktën 2.700 të tjerë janë plagosur.

Zelensky tha të dielën se “nuk ka dyshim se ushtria ruse është e varur nga ndihma ushtarake nga Koreja e Veriut”.

LEXONI GJTHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
14:41 | 15/07/2026

Vrasja e dy emigrantëve në Teksas dhe Maine, Trump: Agjentët e ICE nuk do t’i ndalojnë kontrollet e automjeteve

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se agjentët federalë të emigracionit, ICE nuk do t’i japin fund ndalimeve dhe kontrolleve të automjeteve, një ditë...
14:16 | 15/07/2026