Zgjedhja e presidentit në Kosovë, palët të ndara, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme

26 Nëntor 2020 | 08:32

Të ndarë në qëndrimet e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, partitë politike po e çojnë vendin me siguri në zgjedhje të parakohshme.

 “Ose javën tjetër ose pak më vonë të ulemi të organizojmë një tryezë të përbashkët me subjektet politike parlamentare me ata që janë të gatshëm të marrin pjesë që edhe të bëjmë përpjekje ta gjejmë zgjidhje e cila sipas opinionit tonë është më mirë të gjendet tani sesa të shkojmë në zgjedhje”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Por marrëveshja duket vështirë e arritshme. Kjo pasi ambicien që të bëhet president ka katër muaj që e ka shfaqur publikisht kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Madje së fundmi deklaroi se për pak nuk arriti marrëveshje me Thaçin e Veselin.

 “Në ditën që udhëtoi Kadri Veseli në Hagë, kishim lënë një takim, por që nuk u realizua. Edhe partnerët qeveritarë nuk e kanë të vështirë të më japin votën për president. Çështja është se si të arrihet një marrëveshje me PDK-në”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Marrëveshje me PDK-në nuk pritet të ketë. Të paktën kështu tha Enver Hoxhaj, i cili në mungesë të Kadri Veselit, kryen funksionet e kryetarit në këtë parti.

“Kemi ardhur në përfundim që nëse dikush kërkon votë nga ne, do të duhej të llogarisë për propozimin për president. Do të ishte absurde që ne të votojmë një kandidat të partnerëve të koalicionit, ku njëherë e kemi bërë Ramush Haradinajn kryeministër, njëherë Isa Mustafën, dhe në vitin 2021 ne ta votojmë një kandidat që do të vijë nga ta”, u shpreh Enver Hoxhaj.

Për analistët politikë në Prishtinë, dalja nga kjo situatë ka vetëm dy mundësi. 

“Opsioni i parë nëse do të arrihet një marrëveshje politike që ta zgjedhin një kandidat për President. Nëse ky opsion nuk arrihet, gjë që po shihet se është vështirë për faktin se qoftë LDK qoftë PDK nuk e mbështesin z. Haradinaj së paku publikisht, atëherë opsioni që mbetet është shkuarja në zgjedhje. Mendoj se ndoshta ky do të ishte opsioni më i mirë sepse do t’i ikej këtyre pazareve politike që janë bërë të zakonshme në vendin tonë”, sqaroi  Ardian Çollaku.

Aktualisht, Vjosa Osmani, ushtron detyrën e presidentes, pas dorëheqjes dhe akuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Me politikanë që nuk pajtohen për emrin e një presidenti të ri, me ushtruesen e detyrës së presidentit që këtë detyrë sipas Kushtetutes mund ta ushtrojë vetëm edhe pesë muaj, e me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që së shpejti pritet të vendosë mbi procesin e ligjshmërisë së krijimit të Qeverisë Hoti, Kosova pritet ta ketë një dimër të nxehtë politik”, tha korrespondenti i Euronews Albania, Jeton Musliu.

Në situatë të ngjashme sa i përket presidentit, Kosova ishte edhe në vitin 2011, pas rrëzimit nga Kushtetuesja të ish-Presidentit Behgjet Pacolli. Ishte ndërhyrja e ambasadës amerikane në atë kohë që bëri të mundur zgjedhjen e Atifete Jahjagës në këtë post.

Lexoni gjithashtu:

PDK kërkon presidentin, Hoxhaj: Nuk do ta votojmë Ramush Haradinajn

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026