Zyrtarët e drejtësisë japin propozime për strategjinë e reformës 2021-2025

23 Korrik 2021 | 13:52

Zyrtarët e lartë të drejtësisë diskutuan sot në një tryezë të përbashkët draft-propozimin mbi strategjinë 2021-2025 të reformës në sistem.

Ristrukturimi i gjykatave, plotësimi i vendeve bosh, digjitalizimi i çështjeve hetimore, zgjatja e mandateve të prokurorëve të posaçëm, shtimi i këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë ishin disa nga nevojat që sipas zyrtarëve të drejtësisë ka sistemi.

Reforma nisi më 22 korrik 2016 kur u miratuan unanimisht në Kuvend ndryshimet kushtetuese që parashikonin ngritjen e institucioneve të reja.

Sot 5 vite më pas, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj vlerësoi se ka pasur rezultate – diçka më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve i janë nënshtruar procesit të vetingut ku një pjesë janë shkarkuar.

Megjithatë Gjonaj kërkoi që procesi i vetingut “të vijojë me ritme më të shpejta” ndërsa Shkolla e Magjistraturës të rrisë numrin e pranimeve me synim që vendet bosh në sistem të plotësohen me prurje të reja.

Por aktualisht nga sistemi kërkohen rezultate të mëtejshme. Këtë e theksoi edhe Drejtuesi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani. Ai tha se me ngritjen e institucioneve të reja tashmë opinioni publik kërkon rezultate pasi prej vitit 2016 reformës i është dhënë besim dhe “ky besim duhet justifikuar”.

Struktura e re e ngritur nga reforma u konsiderua nga Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi, “komplekse, por inteligjente”. Për këtë ai tha se nevojitet që në strategjinë për vitet e ardhshme të ketë një koordinim më të mirë mes institucioneve pasi kështu do të arrihen më tepër rezultate.

Një nga ndryshimet që bëri reforma në drejtësi ishte mënyra e përzgjedhjes dhe emërimeve të zyrtarëve të lartë. Këtë e vlerësoi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Sidoqoftë ajo tha se Gjykata Kushtetuese mbetet ende me tre vende bosh – nga 9 anëtarë që duhet të kishte – dhe kjo konsiderohet si parësore – 3 anëtarë mbeten të përzgjidhen nga Gjykata e Lartë. Tusha tha se Gjykata Kushtetuese ka nevojë për hapësira dhe për këtë cilësoi si pozitive parashikimin e qeverisë për një godinë të re.

Largimet e gjyqtarëve në disa gjykata krijoi vitet e shkuara dyndje çështjesh pa vendime përfundimtare. Mirëpo sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, situata është lehtësuar dhe kjo do të vijojë më tej në vitet e ardhshme.

Sadushi tha se deri më tani janë nxjerrë dy vendime unifikuese për praktikat që duhen ndjekur. Më parë Gjykata e Lartë kishte 39 mijë çështje të mbetura në pritje, por siç u shpreh Sadushi me nxjerrjen edhe të një vendimi të tretë situata pritet të lehtësohet më tej duke iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve për drejtësi.

Për të lehtësuar punën e sistemit të drejtësisë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është propozuar një ristrukturim i gjykatave – kjo duke pasur parasysh se një numër i tyre nuk ka anëtarët e nevojshëm. I këtij mendimi ishte edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, edhe pse ai tha se nuk ishte dakord që ristrukturimi të bëhej me shkurtim nga 34 gjykata në 15 gjykata – me vetëm një Gjykatë Apeli.

Çela e përshkroi si të vështirë situatën e prokurorive pasi vakancat kanë rënduar punën. Ai propozoi që të ndryshohet ligji i magjistraturës dhe kohëzgjatjes së mësimeve ku viti i tretë të kthehet në vit punë – siç ka qenë më parë. Krahas kësaj Çela kërkoi që në strategjinë për drejtësinë të shikohet me prioritet edhe digjitalizimi i çështjeve hetimore pasi kështu “rritet eficenca dhe ulen kostot”.

Vëmendje të veçantë në diskutim pati edhe për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), strukturë kjo e ngritur në punë dy vitet e fundit.

Por kryetari i saj, Arben Kraja, tha se SPAK ka nevojë për zyra, sidomos për Byronë Kombëtare të Hetimeve dhe se “mandati 9-vjeçar pa të drejtë ri-zgjedhjeje” për prokurorët e posaçëm “është i kufizuar”.

Draft-strategjia për reformën në drejtësi 2021-2025 është përpiluar nga ministria e Drejtësisë në dhjetëra dëgjesa dhe konsultime me mbi 200 ekspertë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026