Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka thënë se në Preshevë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë me 58 mijë e 845 banorë.
Ndërkohë në Bujanoc, sipas tij, deri tani janë regjistruar mbi 54 mijë qytetarë dhe mbeten edhe diku rreth 90 shtëpi të regjistrohen, e në Medvegjë janë regjistruar tetëmijë.
Për rastin ka reaguar dhe Albin Kurti i cili tha se nuk bëhet fjalë vetëm për një proces normal, por një veprim kombëtar e historik.
“Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë,” – shkroi Kurti në Facebook.
Ai falënderoi politikën shqiptare, OJQ-të, klerikëve fetarë dhe secilit person që u angazhua për t’u regjistruar.
“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare,” – u shpreh Kurti.
LEXONI GJITHASHTU:
- Tensione për targat në Kosovë? Analisti: Nuk dihet porosia e amerikanëve ndaj Kurtit
- Rreth 100 mijë shqiptarë të regjistruar deri tani në Serbi