7 të vrarë, përfshirë fëmijë, në sulmin e madh rus në Ukrainë
Rusia ka kryer sulme të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke vrarë të paktën 7 persona, përfshirë 2 fëmijë, thanë autoritetet të mërkurën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për shtimin e trysnisë ndaj Kremlinit gjatë udhëtimit të tij drejt Suedisë, ku pritet të kërkojë më shumë armë mbrojtëse mes përpjekjeve të ngecura për paqe.
Zelensky i cilësoi si “të liga” sulmet ruse dhe tha se ato goditën infrastrukturën energjetike dhe civile në të paktën dhjetë rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.
“Një tjetër natë që dëshmon se Rusia ende nuk ndien mjaftueshëm trysni për zvarritjen e luftës… Fjalët e Rusisë për diplomacinë nuk kanë asnjë kuptim përderisa udhëheqja ruse nuk i ndien problemet kritike”, shkroi ai në X.
Zelensky, i cili po shkon në Suedi për të biseduar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtës mes dy vendeve, përsëriti pretendimin se armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës gati katërvjeçare.
Më herët, Ukraina kishte lënë të kuptohet se vendimi i administratës amerikane për të mos miratuar dërgimin e raketave Tomahawk për Kievin, e kishte dobësuar pozicionin e saj diplomatik.
Teksa presidenti ukrainas po largohej nga Kievi herët në mëngjes, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se tre njerëz, përfshirë dy fëmijë, u vranë në këtë rajon.
Infrastrukturë energjetike dhe civile në shënjestër të sulmeve
Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se të paktën 21 banorë u plagosën gjatë sulmeve.
Kryebashkiaku Vitaliy Klitschko shtoi se një fëmijë dyvjeçar ishte në mesin e plagosurve.
Klitschko shtoi se copëzat e dronëve dhe raketave të shkatërruara shkaktuan zjarr në distriktet Dnipro, Peçersk dhe Darnitsia të Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe objekte industriale.
Sulmet filluan natën mes të martës dhe mërkurës, ndërsa dëshmitarët raportuan shpërthime dhe aktivizim të forcave të mbrojtjes ajrore.
Edhe autoritetet në Ukrainën juglindore raportuan për sulme. Dronët rusë goditën qytetin Zaporizhja, duke shkaktuar zjarr në disa ndërtesa banimi, tha guvernatori rajonal Ivan Fedorov në Telegram.
“Për shkak të një sulmi nga armiku gjatë natës, rreth 2.000 njerëz janë pa energji elektrike. Punimet e rikuperimit do të fillojnë sapo situata të jetë e sigurt”, raportoi ai.
Fabrika kimike ruse goditet nga raketat Storm Shadow
Një sulm ukrainas ndaj një fabrike kimike ndodhi më herët në rajonin jugor Briansk të Rusisë. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi më 21 tetor se gjatë sulmit forcat ukrainase përdorën raketa Storm Shadow të prodhimit franko-britanik.
Shtabi i Përgjithshëm shtoi se fabrika kimike ishte komponent i rëndësishëm i kompleksit ushtarako-industrial rus, që prodhonte barut, eksplozivë, përbërës për karburant raketor dhe “për municione e raketa që ushtria ruse përdor për të bombarduar territorin e Ukrainës”.
Forcat ajrore kryen sulmin në bashkëpunim me forcat tokësore, marinën dhe komponentë të tjerë të mbrojtjes ukrainase.
LEXONI GJITHASHTU:
Ish-presidenti Biden, libër biografik pas zgjedhjeve të mesmandatit
14-vjeçari akuzohet për planifikim të një sulmi terrorist ndaj dy xhamive në Londër
Deputetët francezë miratojnë ligjin për vdekjen e asistuar pas vitesh debate
- 22:28 Një i paraburgosur mbërrin pa shenja jete në spitalin e Vlorës
- 22:26 Anthony Gordon shënon ndaj Argjentinës, Anglia kalon në avantazh në gjysmëfinalen e Kupës së Botës
- 22:08 “Pres më shumë nga Shqipëria”, Ministri Sveçla i ashpër me Tiranën zyrtare për qëndrimin ndaj
- 22:07 “Do bënte spastrim etnik në Kosovë”, Sveçla: Daçiç dhe Vuçiç pasardhës të Millosheviçit
- 21:56 Debati Gjiknuri-Manja në Komisionin e Ligjeve, Klosi komenton në Euronews Albania nëse ka një “krisje” në PS
- 21:53 Ish-presidenti Biden, libër biografik pas zgjedhjeve të mesmandatit