Presidenti i “Intesa San Paolo” për Euronews Albania: Kredi 50 milionë euro me interes 2% në dispozicion të kompanive
Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, Silvio Pedrazzi, President i “Intesa San Paolo” Në Shqipëri shpjegoi mekanizmin që ofron garanci shtetërore për kompanitë që të marrim këste tremujore në mënyrë që të jenë në gjendje të paguajnë të gjithë punëtorët e tyre në tre muajt e ardhshëm.
Z. Pedrazzi shpjegoi se kriteri i vetëm për të përfituar nga ky mekanizëm është ai i meritokracisë, ndërsa shtoi se “Intesa San Paolo”, ka vendosur që të shtrijë periudhën e moratoriumit deri në fund të korrikut, jo deri në fund të majit, siç e kishte vendosur qeveria, në mënyrë që t’iu linte më shumë kohë klientëve të kuptojnë situatën dhe të kenë kohën për të komunikuar me bankën në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përkohshme.
Gjithashtu, ai zbuloi ekskluzivisht për Euronews Albania, nismën e “Intesa San Paolo” për të vënë në dispozicion 50 milionë euro për financime deri në 18 muaj, ndër to 6 muaj nga periudha ‘gri’, duke parashikuar norma të interesit shumë të përshtatshme, duke nisur nga 2% në euro,
Intervista e plotë
Ilva Tare: Silvio Pedrazzi, President i “Intesa San Paolo Banka” në Shqipëri. Shumë faleminderit për këtë intervistë.
Silvio Pedrazzi: Mirëmbrëma dhe faleminderit juve.
Ilva Tare: Juve jeni po ashtu president i këshillit administrativ të shoqërisë së bankave shqiptare. Kështu që ju mund të më shpjegoni më në detaje se si po e përjeton këtë krizë të vështirë sistemi bankar.
Silvio Pedrazzi: Po, ky është një moment tejet i vështirë për të gjithë, sepse nuk ekzistojnë eksperienca të ngjashme më parë. Do të thosha që përgjegjësia e parë, shqetësimi i parë, mendimi i parë i bankave në përgjithësi, dhe i “Intesa Sao Paolo” në veçanti, ishte marrja e masave të menjëhershme për të mbrojtur klientët tanë. Dhe mund të them se në ditët e para të vendosjes së sitemit në ‘lock’, bankat kanë treguar një forcë të madhe reaguese. Duke aplikuar të gjitha masat e mundshme të sigurisë, disa të vendosura edhe përpara masave të ndërmarra nga qeveria, të cilat u miratuan më vonë.
Fillimisht kemi dhënë detergjente dhe kemi aplikuar distancën sociale, me klientë dhe kolegët. Me maskat, ka pasur një problem të përgjithshëm për t’i siguruar, ato. Kjo ka qenë masa e parë e marrë nga sistemi bankar dhe dua të them se sistemi ka reaguar shumë, shumë mirë. Shumica e bankave kanë arritur t’i mbajnë të hapura të gjitha filialet e tyre. Gjëja që më bën vërtetë krenar është se kjo na jep mundësinë të eksperimentojmë me “Smart working”, një metodë që ne ishim parapërgatitur paraprakisht dhe mund të them se të gjithë punonjësit e qendrës punojnë nga shtëpia, duke përdorur kompjuterët e tyre, kanë akses të plotë në të dhënat e bankës dhe mund të ofrojnë të gjithë shërbimin e kërkuar nga klientela. Në filiale kemi ndjekur të ashtuquajturën turne të personelit, kemi ndarë stafin në dy grupe të ndryshme, njëri grup punon një javë dhe grupi tjetër javën tjetër, për të zvogëluar mundësinë e infektimit. Në filialet e vogla kemi pasur reduktim të stafit në maksimum. Dua të them se rezultati ka qenë tejet i mirë. Mund të them se i gjithë territori shqiptar merr të gjithë shërbimin e përshtatshëm bankar. Ishte një provë e madhe për rezistencë.
Ilva Tare: Me të vërtetë kanë qenë ditë shumë të vështira për t’u përshtatur me këtë realitet të ri. Që duket sikur jetojmë në të ardhmen, në të tanishme. Cilat janë kushtet për firmat që duan të përfitojnë nga programi i ndihmës, i miratuar nga qeveria shqiptare? Sa është mundësia e kompanive për të përfituar nga ky instrument?
Silvio Pedrazzi: Po, është një instrument tejet i rëndësishëm që ka marrë pak më shumë kohë, sepse qeveria donte t’iu jepte kohë bankave të përgatiten për këtë situatë. Problem i vërtetë është se kjo gjendje vë në rrezik, si në të gjitha vendet e tjera të Evropës, të gjithë zinxhirin prodhues. Ne duhet të mbrojmë me patjetër prodhimin industrial dhe të gjitha gjërat e lidhura me të. Sepse kjo situatë do të përfundojë herët ose vonë dhe ne duhet të sigurojmë vazhdueshmërinë e situatës. Kjo nënkupton vazhdueshmërinë e dhënies së rrogave për punëtorët, e cila është vërtet e domosdoshme, qoftë për motive ekonomike apo sociale. Në këtë pikë dua të them që kjo garanci e ofruar nga qeveria mund të ndihmojë jashtë mase shumë si për klientët, edhe bankat. Si funksionon ky mekanizëm? Ky është një mekanizëm që ofron garanci shtetërore për kompanitë të marrim këste tremujore. Kështu që kompanitë do të jenë në gjendje të paguajnë të gjithë punëtorët e tyre në tre muajt e ardhshëm. Dhe bankat duhet të sigurohen se paratë e marra do të shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë e të varurve nga kompania, punëtorëve, në rrogat mujore të tyre.
Ilva Tare: A ka kritere të tjera mbi të cilat bazohen bankat kur japin këtë ndihmë për kompanitë?
Silvio Pedrazzi: E kemi kërkuar dhe diskutuar me ministritë e interesuara; është kriteri i meritokracisë. Pra, nëse klienti e meriton këtë ndihmë në aspektin bankar, do të veprohet me të njëlloj sikur të jemi në gjendje normale dhe situata e COVID-19 nuk do të kishte ekzistuar. Cilido klient i cili do të kishte qenë i aftë ta merrte ndihmën para krizës, do të jetë në gjendje ta marrë edhe sot. Kështu që banka nuk duhet të mendojnë se cilat janë impakten e mundshme të krizës. Ka sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare që mund të goditen më rëndë se të tjerët dhe nëse do të ndjekim logjiken tradicionale të bankave, do të duhet të thotë ‘ti më parë ishe i mirë, por tanimë nuk je më, sepse je pjesë e një sektori të goditur rëndë nga kriza’. Kjo është pengesa që në një farë forme do të duhet ta tejkalojmë dhe do ta bëjmë për të vënë në jetë këtë instrument ndihme. Fillimisht do të mbrojmë ato kompani që ishin të forta dhe nuk do të marrim në konsideratë implikimet që mund të sjellë në gjendjen e tyre kjo krizë botërore. Cili është limiti i këtij instrumenti? Në fakt, nuk ekziston një i tillë, nuk ka një limit për kompanitë. Kufizimi i vetëm është aplikimi për këstet tremujore. Në këtë pikë i inkurajoj të gjitha kompanitë të aplikojnë, sepse kanë një limit prej 50 milionë eurosh.
Ilva Tare: A janë marrë masat e nevojshme për shtyrjen e kësteve, siç ishte vendosur nga Banka Qendrore.
Silvio Pedrazzi: Absolutisht. Edhe kjo nga pikëpamja organizative është një operacion sfidues, sepse përfshin jo vetëm mbledhjen e kërkesave nga klientët, por edhe të futësh në sistemin e bankës pozicionet e veçanta. Këtu duhet bërë një sqarim. Moratorium do të thotë pezullim. Pezullim i kësteve mbi bazën e urdhrit të kryeministrit dhe të guvernatorit të Bankës Qendrore deri në 31 maj. Në këtë periudhë, personat e interesuar në shtyrjen e afatit për moratoriumin duhet të komunikojnë me bankat për të gjetur zgjidhje më konkrete. Unë jam i mendimit se sot është shumë e vështirë që të gjendet zgjidhja, sepse varet sa do të zgjasë kjo krizë. Sipas këtij këndvështrimi, ne të bankës “Intesa San Paolo”, së bashku kemi vendosur që të shtrimë periudhën e moratoriumit deri në fund të korrikut, sepse në këtë mënyrë i japim më shumë kohë klienteve të kuptojnë situatën dhe të kenë kohën për të komunikuar me bankën në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përkohshme.
Ilva Tare: Pra, do të zgjasë jo 3 muaj, por 5 muaj?
Silvio Pedrazzi: Po, kemi vendosur për 5 muaj, sepse kjo është një nismë e jona, por varet sesa do të zgjasë kriza, sepse periudha e moratoriumit mund të shkojë dhe 3 ose 6 muaj të tjera. Personalisht jam i bindur se edhe institucionet, banka qendrore apo qeveria do kenë gjithë kohën e mundshme për të vendosur nëse do të konfirmojnë versionin e 31 majit që u vendos fillimisht apo do ta zgjasin atë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse situatat variojnë nga një klient tek tjetri. Mendoni ata të cilët punojnë në turizëm, do të marrin një vendim tepër të rëndësishëm, sepse periudha e verës mund të jetë në rrezik. Ndoshta nuk janë të mjaftueshme 3 muaj, do të ishte më mirë mbase që të negociojnë për zgjidhje që shkojnë deri vitin tjetër, kur të rinisë përsëri periudha e verës. Nga ana tjetër, ka biznese që sapo të fillojë e ashtuquajtura “faza e dytë”, do të rikuperojnë ekonominë në kohë të shkurtër. Ne si banka e “Intesa San Paolos” duam që të kemi në dispozicion këto 4 muaj ose më shumë, për të gjetur zgjidhje individuale që kënaqin çdo klient, sepse duhet të jemi të qartë: kjo krizë e shëndetësisë nga ana financiare dhe ekonomike do të ketë nevojë për kohë më të gjatë për ta zgjidhur dhe ne duhet të veprojmë në një kohë afatmesëm. Paralelisht, pikërisht sepse mendojmë që është e rëndësishme të përdorim gjithë fleksibilitetin e lejueshëm, bashkë me vendimin e qeverisë për garancinë sovrane ,kemi vendosur një shifër prej 50 milionë eurosh për projekte që do të marrin përsipër gjithë financat e një kompanie. Teksa vendimi i qeverisë është shënjestruar për pagesën e rrogave, ne do të ndërhymë dhe aty ku ka nevoja të tjera financiare për shkak të kësaj situate. Në të vërtetë, kemi vënë në dispozicion këto 50 milionë euro për financime deri në 18 muaj, ndër to 6 muaj nga periudha ‘gri’, duke parashikuar norma të interesit shumë të përshtatshme.
Ilva Tare: Dhe ato variojnë rreth? Sa shkojnë këto norma të interesit?
Silvio Pedrazzi: Ky financim specifik në euro do të bëjë të mundur taksa me vlerë të njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga klientët. Ajo do të jetë e barabartë me 2%, ndërsa ajo në lek do të jetë rreth 2,70%. Nuk duam të bëjmë spekulime apo të kemi fitime në këtë situate. Qëllimi është që të kontribuojmë konkretisht për të kaluar këtë periudhë kaq të vështirë.
Ilva Tare: Pra,këto 50 milionë euro do të vijnë nga banka juaj dhe do jua vini në dispozicion klientëve.
Silvio Pedrazzi: Pikërisht. Kjo është një nismë e “Intesa San Paolos”, që e kemi bërë me dije pikërisht këto orët e fundit.
IlvaTare: Mendoj se qytetarët do të jenë shumë të interesuar rreth kësaj nisme, sidomos ata të cilët po hasin më shumë vështirësi. Zoti Pedrazzi, folët pak për turizmin për të cilin të gjithë mendojmë se do të goditet keqazi nga kjo krizë. Ju, ku do të shkoni për pushime këtë verë?
Silvio Pedrazzi: Pyetje e bukur! Fillimisht dua t’ju them se jam në Tiranë që nga 2 shkurti dhe kam mbetur i bllokuar këtu. Kjo do të jetë festa ime e parë e Pashkës që do më duhet ta kaloj pa familjen time, sepse vajza ime jeton në Milano dhe bashkëshortja afër Bolognas. Mendoj se si gjithë të tjerët, tani do të festojmë nëpërmjet Skype. Duke mos e ditur ende se kur mund të kthehem, them se këto pushime, në hipotezën më të mirë nëse kthehem në Itali, do t’i kaloj aty. Nëse kjo nuk do jetë e mundur, do më duhet t’i kaloj në Shqipëri, që mund të më ofrojë shumë gjëra të bukura gjithashtu, por në vetmi.
Ilva Tare: Faleminderit për këtë intervistë z. Pedrazzi, dhe gëzuar Pashkën!
Silvio Pedrazzi: Faleminderit, gëzuar të gjithë dëgjuesve dhe një këshillë të fundit: kjo është një sfidë që fitohet vetëm duke qëndruar të gjithë bashkë, jemi në të njejtën rrugë. Bankat, klientët, qeveria, bizneset, institucionet duhet të jenë të bashkuar, vetëm në atë mënyrë mund të fitojmë.
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 23:25 Dosja “Ura”, BKH arreston Adi Çobën, i akuzuar si organizator i trafikut të heroinës dhe kokainës
- 22:37 Zgjidhet Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të PD-së, ja kush e zëvendëson Palokën
- 22:30 Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur
- 22:28 Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz
- 22:28 SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem
- 22:24 Irani: Çdo kërcënim do të marrë përgjigje të menjëhershme, Trump të frenojë aleatët e tij