Luigi Soreca në Ilva Now: Ndihma 4 mln euro e BE për coronavirusin pritet të mbërrijë në 2 javët e ardhshme, qeveria në kontakt për hua 100 mln euro
Ilva Tare: Ambasador, çfarë po bën BE-ja për ta ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër Koronavirusit? Janë njoftuar fonde prej 4 milionë eurosh për pajisje mjekësore dhe rreth 47 milionë euro për ndihmë social-ekonomike. Kur priten të jepen këto fonde dhe gjithashtu pse Shqipëria është vendi që ka përfituar më pak në Ballkan nga fondi prej 700 milionë eurosh?
Ambasadori: Po, 4 milionë tashmë janë kontraktuar. UNOPS me faktorin zbatues po i sjell artikujt në Shqipëri. Unë pres të mbërrijnë dy javët e ardhshme dhe këta janë artikuj shumë të rëndësishëm, si pajisje mbrojtjeje personale dhe ventilatorë që janë të domosdoshëm për Shqipërinë. 46.5 milionë eurot e tjera do të bëhen të disponueshme në gjysmën e dytë të vitit për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të biznesit, biznesit të vogël, por edhe të pjesës së brishtë të shoqërisë shqiptare, familje dhe dyqane të vogla. Këto kanë nevojë për mbështetje tani më shumë se kurrë. Këto janë rishpërndarje të fondeve ekzistuese, kështu që Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur që këto kuota parash që nuk ishin shpenzuar ende do të drejtohen për Koronavirusin. Më lejoni gjithashtu të them se një pjesë e parave që janë premtuar nga Bashkimi Evropian për tërmetin gjithashtu do të ndihmojnë sektorët. Prandaj është shumë e rëndësishme të kuptohet se nuk ka konkurrencë mes vendeve të rajonit. Bashkimi Evropian do të japë deri në 700 milionë euro në të gjithë rajonin për t’i ndihmuar partnerët tanë, anëtarët tanë të ardhshëm të familjes, që të përballen me një situatë shumë, shumë të vështirë.
Ilva Tare: Ambasador, a do të ketë paketa të tjera ndihme, fondesh, të dhëna për rajonin e Ballkanit lidhur me luftën kundër Koronavirusit?
Ambasadori: Po, qeveria shqiptare është në kontakt me Brukselin, përmes zyrës sonë, me qëllim që të marrë të ashtuquajturën asistencë makro-financiare. Në këtë rast, këto nuk janë donacione, por janë hua me një interes shumë të ulët në linjë me atë çka Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë ndërkaq për Shqipërinë. Jemi në pikën e arritjes së këtyre kontributeve shtesë si hua që do të mbulojnë mundësisht një shumë mbi 100 milionë dhe kjo do të jetë e disponueshme deri në korrik. Kështu që edhe nga ky këndvështrim Bashkimi Evropian është i gatshëm ta ndihmojë Shqipërinë muajt e ardhshëm.
Ilva Tare: BE-ja ka njoftuar më në fund përjashtimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit nga mekanizmi i autorizimit për eksporte, për pajisje mbrojtjeje personale jashtë Bashkimit Evropian. Kur hyn në fuqi dhe pse kaq vonë për këtë rajonin të cilit i nevojitej më së shumti?
Ambasadori: Reagimi i parë i Shteteve Anëtarë ishte të shihnin së brendshmi, situatën në vendet e tyre ku kishte mijëra e mijëra qytetarë të BE-së që po vdisnin për shkak të Koronavirusit, por është e qartë që partnerët drejt të cilëve patëm kujdes janë partnerët e Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të familjes, kështu që jam shumë i kënaqur që mbrëmë Komisioni Evropian vendosi të propozojë përjashtimin e të gjitha vendeve, përfshirë Shqipërinë, nga autorizimi i eksporteve. Kjo do të hyjë në fuqi më 26 prill. Shqipëria i është bashkuar tashmë Marrëveshjes së Prokurimit të Përbashkët me Bashkimin Evropian, ashtu si dhe vendet e tjera në rajon, dhe arritja e eksporteve të pajisjeve të mbrojtjes personale do të jetë e menjëhershme. Më lejoni të them se jam shumë i kënaqur që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të vetmet vende në botë që janë përjashtuar tani nga ky autorizim dhe kjo tregon edhe një herë solidaritetin dhe afërsinë, jo vetëm gjeografike, por edhe morale dhe politike që ky rajon ka me Bashkimin Evropian.
Ilva Tare: Vërtet, mendoj se solidariteti është një nga konceptet që duhet parë çfarë forme do të marrë pas asaj çka do të ndodhë me BE-në dhe Italinë dhe reagimin nga Brukseli. A ka momente reflektimi mes Shteteve Anëtare?
Ambasadori: Po, sigurisht, ju e dini që në dy javët e fundit Bashkimi Evropian ka identifikuar një paketë shumë të rëndësishme financiare prej 500 miliardë eurosh që do t’u jepet Shteteve Anëtare të BE-së në nevojë, por më lejoni gjithashtu të them se është e rëndësishme që Shtetet Anëtare të BE-së të dalin së bashku nga kriza dhe sot Komisioni Evropian po paraqet, teksa ne flasim, një udhërrëfyes të hapave të ndryshëm për të dalë nga kriza së bashku. Pasi të jemi në një zonë të përbashkët, në mënyrë që të trajtojmë problemin që lidhet me Koronavirusin, Bashkimi Evropian po propozon një numër hapash lidhur me testimin, lidhur me sektorët e brishtë të shoqërisë, lidhur me rihapjen e disa aktiviteteve, që do të bëhet hap pas hapi. Kjo po paraqitet sot dhe shpresojmë që Shtetet Anëtare do ta ndjekin. Mendoj se është një mësim i nxjerrë për Bashkimin Evropian dhe është shumë e rëndësishme të mësojmë nga kjo krizë në mënyrë që të mund të jemi në gjendje ta trajtojmë tjetrën edhe më mirë se tani.
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 19:56 Hezbollahu sulmon trupat izraelite në Libanin jugor
- 19:47 “Shqipëria e shqiptarëve”, pankartat e qytetarëve në protestë (FOTO)
- 19:39 Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec
- 19:28 Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit
- 19:25 Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin