Emisari britanik inkurajon dialogun Kosovë-Serbi
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë tema kryesore e takimit të Emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor me liderët e Kosovës.
Ai është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohjen reciproke dhe se ky proces duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë.
Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit Kurti, u tha se marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor “Emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti theksoi përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar duke vënë theksin tek diaspora, si urë lidhëse për të thelluar bashkëpunimin në sferën e investimeve po ashtu edhe në atë të bashkëpunimit kulturor e njerëzor.
“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, theksoi Kurti.
Vizita e Stuart Peach në Kosovë pason vizitat e tij në shtetet e rajonit.
Përfaqësuesi i Britanisë një ditë më parë ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me përfaqësues të lartë të Serbisë, me të cilët ka biseduar për dialogun dhe zhvillimet në rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës serbe, në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Peach ka deklaruar se bashkë me partnerët nga BE-ja dhe SHBA-ja do të punojë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai u ka thënë liderëve në Serbi se Britania e Madhe mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si të vetmen rrugë drejt BE-së.
“Emërimi im është një shenjë e përkushtimit tonë për një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë të këtij rajoni të rëndësishëm”, tha Peach përmes një videomesazhi në Twitter.
Ai potencoi se ka takuar liderët shtetërorë të shtetit të Serbisë gjatë vizitës në këtë vend me të cilët ka folur për rajonin dhe sfidat më të gjera të sigurisë ndërkombëtare.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Peach si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e rajonit.
Stuart Peach më herët ka qenë në detyrën e kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, të cilin e ka mbajtur prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, është thënë se Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
LEXONI GJITHASHTU:
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
- 08:22 Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut
- 08:17 Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
- 08:13 Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 07:56 Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur