Facebook do të luftojë keqinformimet rreth vaksinave, OBSH-ja e përshëndet
Organizata Botërore e Shëndetësisë mirëpriti këtë të enjte angazhimin e rrjetit social Facebook se do t’i drejtonte përdoruesit e tij, që kërkojnë informacione mbi vaksinat në këtë rrjet, në Instagram, apo grupe e forume të tjera, drejt fakteve reale dhe jo keqinformimeve.
Pas bisedimeve disamujore me OBSH-në, rrjeti i drejtuar nga Zuckerberg u zotua t’i drejtonte përdoruesit e tij drejt “informacioneve të sakta dhe të besueshme mbi vaksinat, në disa gjuhë” në faqen zyrtare të OBSH-së, për të “garantuar kësisoj se mesazhet jetike për shëndetin të shkojnë deri te lexuesit më në nevojë”, njoftoi agjencia e OKB-së përgjegjëse për shëndetësinë.
“Organizatat më të mëdha digjitale kanë përgjegjësi ndaj përdoruesve të tyre, që t’iu garantojnë atyre qasjen te faktet për vaksinat dhe shëndetin, – lexohet në deklaratën e OBSH-së. – Keqinformimi rreth vaksinave është një kërcënim madhor ndaj shëndetësisë globale dhe mund të përmbysë dekada progres të bërë sa i përket luftës ndaj sëmundjeve të parandalueshme”.
Sëmundjet infektive vdekjeprurëse si fruthi, difteria, hepatiti, poliomieliti, kolera dhe ethet e verdha (sëmundje tropikale e përhapur nga mushkonjat) mund të parandalohen përmes forcimit të imunitetit të njeriut.
OBSH-ja thekson më tej se vaksinat janë një prej risive më të fuqishme në historinë e shëndetit publik, teksa përllogaritet që ato të kenë shpëtuar të paktën dy milionë jetë njerëzish çdo vit, anembanë botës.
Imunizimi nënkupton gjithashtu se miliona fëmijë të tjerë i shpëtojnë infektimit nga sëmundje drobitëse, të cilat mund të rezultonin në kohë më të gjata shtrimi në spital apo mungesa më të gjata në shkolla.
Por, keqinformimi rreth vaksinave është përhapur tej mase nëpër rrjetet sociale, në shumë vende të botës gjatë viteve të fundit, përfshi këtu edhe gjatë fushatave më të rëndësishme të luftimit të poliomielitit në Pakistan apo imunizimi ndaj etheve të verdha në Amerikën e Jugut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehet më tej pas përgëzimit të Facebook për këtë hap se, sipërmarrje të tilla nga rrjetet sociale “duhen shoqëruar nga hapat konkrete të qeverive dhe sektorit të shëndetësisë” për të promovuar kështu besimin te vaksinimi dhe për t’iu përgjigjur nevojave dhe shqetësimeve të prindërve.
Inteligjenca artificiale kthehet në “asistent blerjesh” online
Studimi: Arti dhe kultura mund të ngadalësojnë plakjen biologjike
“Jam goca që thyen kockat”, akrobatja 17-vjeçare: Më thonë a ke hequr brinjët!
- 16:13 Tërmet në Portugalinë jugore, sa ishte magnituda
- 16:07 Arrestimi i serbëve në Gazimestan, reagon Lista Serbe: Dëshmi e represionit të regjimit në Prishtinë
- 16:02 Tërmeti në Venezuelë, UNICEF: 680,000 fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare
- 15:54 Turisti polak bllokohet në zonën e Gjirit të Gjipesë, ekipet e emergjencës po punojnë për shpëtimin e tij
- 15:41 Vuçiç: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi do të nisë në mars 2027
- 15:32 Ministri i Jashtëm i Iranit: Lufta duhet të përfundojë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin