Sulmi “iranian”, Shtetet e Bashkuara nisin trupa dhe pajisje në ndihmë të Arabisë

21 Shtator 2019 | 10:44

Presidenti amerikan Donald Trump dha miratimin e tij gjatë së premtes, për dërgimin e trupave amerikane në Arabinë Saudite, me mision kryesor ndihmën në fushën e mbrojtjes antiajrore dhe antiraketore, pas sulmit më të madh ndonjëherë ndaj platformave të naftës së Mbretërisë arabe, për të cilin Uashingtoni akuzon Iranin.

Pentagoni njoftoi më herët se ndihma do të përfshinte një numër të moderuar trupash, jo me mijëra, e do të kishte natyrë kryesisht mbrojtëse, ndërsa detajoi edhe planet për dërgimin e pajisjeve ushtarake për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë vendosjen për një kohë të papërcaktuar të një aeroplanmbajtëseje në rajon, sikurse dërgimin e baterive antiraketore, “drone”-ve dhe avionëve luftarakë.

“Me kërkesën e Mbretërisë arabe, Presidenti ka miratuar dërgimin e trupave amerikane, një sinjal mbështetjeje me natyrë mbrojtëse dhe që do të ketë në fokusin kryesor sistemet e mbrojtjes antiajrore dhe antiraketore”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, në një deklaratë për mediat. “Ne do të përshpejtojmë gjithashtu dërgimin e pajisjeve ushtarake për Arabinë dhe Emiratet, për të garantuar aftësitë dhe kapacitetet e tyre maksimale për vetëmbrojtje”.

Njoftimi i orëve të vona të së premtes nga Pentagoni u pa si një sinjal i përjashtimit të një vendimmarrjeje të mundshme për të ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake, në shenjë hakmarrjeje ndaj Iranit, pas sulmit që tronditi tregjet globale dhe ekspozoi boshllëqe në sistemin e mbrojtjes antiajrore të Arabisë.

“Ndonëse është gjëja më e lehtë që mund të bëj, të ndez dritën jeshile për të goditur 15 nga objektivat më të rëndësishme në Iran, nuk synoj ta bëj një gjë të tillë”, u tha Trump reporterëve të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, i cili kërkoi më herët rëndimin e sanksioneve ekonomike ndaj Republikës Islamike.

Megjithatë, hapi i ndërmarrë nga Pentagoni mund ta irritojë edhe më shumë Iranin, që i ka pritur me ankth edhe dërgesat e mëparshme të trupave amerikane në rajon. Teherani mohon të ketë përgjegjësi në sulmin ndaj Arabisë Saudite. Atë e kanë marrë përsipër rebelët “Houthi”, që luftojnë në Jemen kundër forcave të koalicioni ushtarak të udhëhequr nga sauditët.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përkeqësuar ndjeshëm, që kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe superfuqive botërore, si dhe rivendosi sanksionet ndaj eksporteve iraniane të naftës.

Me argumentin se, nëse Teheranit i bllokohen eksportet e naftës edhe vendet e tjera nuk do të lejohen të eksportojnë, zyrtarët iranianë kanë lëshuar kërcënime prej muajsh, madje duke sekuestruar edhe cisterna me flamuj të shteteve perëndimore që kalonin në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme të naftës në rang global.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026