Hetimet për 39 trupat e pajetë, policia britanike bastis dy shtëpi në Irlandën e Veriut

24 Tetor 2019 | 09:19

Policia britanike ka bastisur dy shtëpi në Irlandën e Veriut këtë të enjte, në vazhdën e hetimit për vdekjen e 39 personave, brenda kamionit të gjetur në një mol të lumit Tamiz, pranë Londrës.

Zbulimi i llahtarshëm u bë në orët e para të së mërkurës, pasi shërbimet e emergjencës u njoftuan për një kontejner në pjesën e prapme të kamionit të ndalur në një kompleks industrial në Grays, Essex, rreth 32 km në lindje të Londrës.

Drejtuesi 25-vjeçar i kamionit, Mo Robinson nga Irlanda e Veriut, u arrestua mbi dyshimet për vrasje. Viktimat, 38 të rritur dhe një adoleshent që të gjithë të kombësisë kineze, nuk janë identifikuar ende, ndërsa trajleri është zhvendosur në një mjedis të sigurt pasditen e së mërkurës për të mundësuar largimin e trupave të pajetë.

Në një përditësim për mediat, policia tha se trajleri kishte mbërritur në Purfleet pasi kishte udhëtuar përmes portit belg Zeebrugge. Kontejneri i kuq i kamionit besohet të ketë ardhur nga Irlanda e Veriut.

Kryeministri britanik, Boris Johnson u shpreh tejet i tronditur nga ky lajm. “E dimë që tregtia e qenieve njerëzore vijon ende, por trafikantë të tillë duhen ndjekur ngado që fshihen dhe të nxirren para drejtësisë”, u shpreh ai.

Tragjeditë me kamionë

Vetëm pak orë pas këtij lajmi të tmerrshëm, policia në Kent gjeti 9 persona në jetë në pjesën e pasme të një kamioni, në udhëtim e sipër në autostradën që lidh Londrën me qytetet portuale.

Prej vitesh, emigrantë të shumtë përpiqen të hyjnë në Britani përmes kësaj metode çnjerëzore, të fshehur në brendësi të trajlerave, duke preferuar më së shumti kalimin në ishull përmes kanalit të La Manshit.

Në atë që rezulton si tragjedia më e madhe e emigrantëve të paligjshëm në Britani, regjistruar në vitin 2000, zyrtarë doganorë gjetën trupat e 58 shtetasve kinezë të fshehur në një kamion domatesh në portin e Doverit. Udhëtimi, edhe asokohe kishte nisur nga Zeebrugge.

Ndërkohë, në vitin 2014, një emigrant afgan u gjet i pajetë në Tilbury Docks, në Essex, shumë pranë vendit ku u zbulua ngjarja e kobshme e së mërkurës. Ai ndodhej në një kontejner transporti, së bashku me 34 afganë të tjerë që arritën të mbijetonin.

Por, Anglia nuk është i vetmi vend i prekur nga të tilla tragjedi. Në vitin 2015, trupat e 71 personave të pajetë u gjetën në një kamion të braktisur në një autostradë të Austrisë.

Lidhja me Bullgarinë

Pas raportimit fillestar se kamioni ishte nisur nga Bullgaria, Ministria e Jashtme e këtij vendi reagoi duke thënë se mbajtësi i kontejnerëve të këtij kamioni ishte regjistruar në resortin bregdetar të Varnës, nga një kompani me pronare një shtetase irlandeze më 19 qershor 2017. Gjithsesi, ai kishte dalë nga Bullgaria ditën tjetër dhe nuk është rikthyer kurrë më atje.

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov tha se vendi i tij nuk kishte lidhje të tjera me vdekjet. Ai shtoi se Bullgaria po bashkëpunonte me autoritetet britanike në hetimin e tyre mbi këtë ngjarje.

“Kamioni është regjistruar në vitin 2017 në Bullgari nga një grua irlandeze. Më pas u largua nga vendi dhe nuk është rikthyer kurrë. Ndaj, nuk ka asnjë mundësi që ne të jemi të lidhur me këtë lajm tronditës, përveçse për targat e kamionit”, tha Borissov për “BTV”-në.

Udhëtimi nga Belgjika

Punonjësit e ambulancës, pasi u telefonuan rreth orës 1:40 pas mesnate, zbuluan trupat në Parkun industrial “Waterglade” në Grays. Ende mbetet mister se kush e telefonoi shërbimin e emergjencave. Të gjithë të fshehurit në kontejner u shpallën të vdekur në vendngjarje.

Policia shprehet se trajleri kishte udhëtuar nga Belgjika për në Purfleet, ku kishte hyrë gati 30 minuta pas mesnatës së të mërkurës, me orën lokale. Ai u largua më pas nga porti në orën 1:05, ndërsa në orën 1:40 mbërriti edhe telefonata për shërbimin e emergjencave.

Udhëtimi i kamionit nga Bullgaria nuk ishte i vetmi lajm kontradiktor i momenteve të para. Policia njoftoi më pas se ai kishte udhëtuar përmes Irlandës dhe më pas me traget për në Holyhead të Uellsit, por kjo teori ndryshoi pas informacioneve se ai ishte nisur nga Zeebrugge i Belgjikës. Kamioni mendohet të ketë udhëtuar nga Irlanda e Veriut për të ngarkuar trajlerin.

“Është absolutisht e rëndësishme të theksojmë se operacioni po zhvillohet me respektin maksimal ndaj 39 personave që humbën jetën. Ende nuk i kemi identifikuar ata, ndërkohë që këtë informacion të ndjeshëm do ta ndajmë me familjarët e tyre. Më duhet të theksoj se ky do të jetë një hetim i gjatë”, u shpreh Pippa Mills, zv.shefe e Policisë së Essexit, e cila tha se kamioni ishte zhvendosur në vend të sigurtë.

“Të dëshpëruar dhe në rrezik”

Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) në Britani njoftoi se specialistët e saj po punojnë për “identifikimin urgjent dhe marrjen e masave ndaj cilitdo grupi të organizuar kriminal, që ka pasur gisht në vdekjet e këtyre personave”. Gjatë muajit maj, NCA kishte paralajmëruar se numri i personave që po trafikoheshin përmes kamionëve në Britani ishte në rritje.

Jeremy Corbyn, kreu i Partisë Laburiste në opozitë, theksoi se viktimat e fundit përbënin një tragjedi njerëzore dhe kërkonin urgjentisht një shpjegim. “A mundet thjesht të mendojmë për një moment, sesi mund të ketë qenë për këta 39 persona, sigurisht të dëshpëruar dhe në situatë rreziku, fundi i jetës të asfiksuar brenda një kontejneri?”, pyeti ai.

Në Angli gjenden 39 trupa të vdekur në kontenierin e një kamioni

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sulmet me dronë ukrainasë goditën rafineritë jugore ruse dhe portin e Azovit

Kievi thotë se sulmet janë hakmarrje e drejtë për sulmet më shumë se katërvjeçare të Rusisë ndaj Ukrainës dhe se kjo është një përpjekje për...
19:37 | 10/07/2026

Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij

Një vajzë 17-vjeçare ka humbur jetën gjatë festimeve pas fitores së Francës ndaj Marokut, bëjnë me dije shërbimet e emergjencës franceze. Ngjarja ndodhi në Aulnoye-Aymeries,...
19:11 | 10/07/2026

Trump: Ja udhëzimi që kam lënë nëse Irani ndërmerr një sulm ndaj meje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka dhënë udhëzime të qarta për reagimin amerikan nëse Irani arrin të kryejë një komplot...
18:23 | 10/07/2026