‘Rilindja Urbane 2.0’ Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Nuk duam fasada, kërkojmë decentralizim real
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar kundër programit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, “Rilindja Urbane 2.0”, duke e cilësuar si një nismë që rrezikon të thellojë centralizimin e pushtetit vendor dhe të dobësojë autonominë e bashkive.
Në një deklaratë publike të publikuar këtë të premte, shoqata e drejtuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, deklaron se bashkitë shqiptare nuk kanë nevojë për programe të reja të hartuara nga qeveria qendrore, por për kompetenca reale, financim të qëndrueshëm dhe respektim të autonomisë vendore.
“Pushteti vendor nuk ka nevojë për një ‘Rilindje’ tjetër, por për vetëqeverisje dhe decentralizim të vërtetë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, shpallja e programit vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve vendore ngre pikëpyetje mbi qëllimin dhe mënyrën e zbatimit të tij. Ajo pretendon se iniciativa mund të kthehet në një instrument politik që rrit varësinë e bashkive nga vendimmarrja qendrore.
Shoqata shprehet se mbështet çdo investim publik që përmirëson jetën e qytetarëve, por kundërshton modele ku zhvillimi vendor përcaktohet nga programe të hartuara nga qendra.
“Bashkitë nuk kanë nevojë për ‘Rilindje 1.0’, ‘2.0’ apo versione të tjera të administrimit të centralizuar. Ato kanë nevojë për shtet ligjor, autonomi reale, decentralizim dhe financim të qëndrueshëm”, thuhet në reagim.
Në deklaratë ngrihen akuza se fondet e parashikuara për programin, që sipas shoqatës arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, rrezikojnë të përdoren për ndërhyrje të centralizuara dhe projekte fasade, ndërsa problemet bazë të qytetarëve vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Shoqata përmend si shqetësime kryesore furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizimet, pastrimin e qyteteve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sipas saj, “Rilindja Urbane 2.0” përbën një transformim urban të pakonsultuar me bashkitë dhe komunitetet lokale dhe mund të kufizojë më tej rolin e qeverive vendore në zhvillimin e territoreve të tyre.
“Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri që qeveris bashkitë. Shqipëria ka nevojë për bashki që qeverisin komunitetet e tyre”, deklaron shoqata.
Në reagim kritikohet edhe mënyra e shpërndarjes së fondeve të zhvillimit, duke u kërkuar më shumë autonomi fiskale, rikthim të kompetencave në planifikimin territorial dhe konsultim të detyrueshëm me përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Shoqata argumenton se decentralizimi është një kërkesë e lidhur edhe me standardet evropiane dhe se integrimi në Bashkimin Evropian nuk matet me numrin e programeve qeveritare, por me fuqinë dhe pavarësinë e institucioneve vendore.
Në përfundim të deklaratës, Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i kërkon qeverisë që pushteti vendor të trajtohet si një pushtet kushtetues dhe jo si një strukturë administrative në varësi të qeverisë qendrore.
“Bashkitë nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e Kushtetutës, besim dhe decentralizim”, përfundon deklarata e firmosur nga presidenti i shoqatës, Fisnik Qosja.
Protesta në Tiranë hyn në ditën e 41-të, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
Rama mesazh me foton e Flamingove për BE-në: Thanë se negociatat u bllokuan, puna e tyre janë llafet! Fjala jonë është puna
Berisha: Qeveria po përpiqet të kufizojë lirinë online, do kërkojmë komision hetimor
- 19:48 Protesta në Tiranë hyn në ditën e 41-të, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
- 19:39 Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BE
- 19:37 Sulmet me dronë ukrainasë goditën rafineritë jugore ruse dhe portin e Azovit
- 19:34 Shtetet baltike thërrasin të dërguarit rusë për pretendime të rreme për deportim
- 19:11 Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij
- 19:05 Vuçiç tregon kur do ta lërë presidencën: Mund të kandidoj për kryeministër