”Zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë që po shpërfillet nga administrata e Trump”

3 Shtator 2020 | 15:58

Ish-zëvendës kryetari i misionit të OSBE-së në Kosovë, Eduard P.Joseph, sot profesor te Shkolla e John Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, në një shkrim për “Foreign Policy” ka analizuar takimin e kryeministrit kosovar me presidentin serb në Shtëpinë e Bardhë.

Joseph mendon se edhe pse takimi është parë si një mundësi për arritje të mëdha, rezultatet kanë gjasa që të jenë zhgënjyese, pasi sado që administrata e presidentit Trump do të përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për investime dhe bashkëpunim ekonomik, normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve mbetet në dorë të BE-së.

Sipas tij, bisedimet do të synojnë të “kompensojnë” Serbinë për humbjen e Kosovës, një koncept që çoi edhe në idenë për këmbim territoresh, që Joseph e sheh si destabilizuese. Fatmirësisht, thotë ai, kjo ide është zëvendësuar nga një tjetër qasje, e frymëzuar nga marrëveshja e fundit e Izraelit me Arabinë Saudite.

“Në të gjitha rastet, kërcënimi i përbashkët (Irani në Lindjen e Mesme, Rusia, Kina dhe Turqia në Europë), mund të kthehet në pengesë”, thotë Joseph, teksa vë në dukje se Rusia ka shkelur sovranitetin e shumë vendeve me veprimet e saj, që nga ngjarjet në vendet baltike, në Ukrainë e madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Fitorja e partive pro-ruse në Mal të Zi, në një vend të NATO-s, i ka dhënë më në fund mundësinë Moskës që të shtojë ndikimin e vet në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit. Por dialogu i BE-së, SHBA-ve dhe NATO-s, i bazuar në sovranitet, integritet territorial dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut, mund të sjellë kushtet e duhura për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e NATO-s e të BE-së, duke krijuar mundësinë që Kosova t’i bashkohet NATO-s e të anashkalojë kështu veton e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurisë të OKB.

Joseph e sheh me dyshim planin e administratës Trump, e cila do të bazohet vetëm në  bashkëpunimin ekonomik dhe në asgjë tjetër, madje me një besim të plotë që kjo do të jetë zgjidhja. Sipas tij, Kosova dhe Serbia nuk janë si Arabia Saudite dhe Izraeli, dy ekonomi të fuqishme që kanë interes të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Kosova është një treg shumë i vogël para Serbisë, dhe shtimi i tregtisë me Serbinë pa ekuilibruar konkurrencën mund të dalë më keq për Kosovën, e cila ka deficitin më të madh tregtar në rajon. Në fund, Serbia do të mbetej e kënaqur me përfshirjen në projektet ekonomike të Kosovës, dhe do të vazhdonte të tejzgjaste bisedimet.

Ai nuk e sheh më premtimin e largët për anëtarësim në BE si një element bindës për Serbinë, e madje autokracia e Vuçiçit duket se po e çon në tjetër drejtim. Serbia ka plotësuar vetëm 2 nga 35 kushtet e negociatave të cilat u hapën në vitin 2013, dhe këtë vit ka kaluar për herë të parë 6 muaj pa hapur asnjë kapitull të ri të negociatave. Veç kësaj, Vuçiç e ka deklaruar që vetëm bashkimi në BE, oferta e madhe që ka Europa për të zgjidhur situatën, nuk do të mjaftonte që Serbia të njihte Kosovën.

Kjo vjen edhe për faktin se Kina dhe Rusia janë treguar partnerë më bindës ndaj Beogradit se perëndimi. Serbia është kthyer në nyjën strategjike të Pekinit për ambicie më të gjera ekonomike në Ballkan dhe Europë. Bashkëpunimi i tyre është shtrirë që nga sektorët ekonomikë, e deri në mbrojtja e siguria, kryesisht me huadhënie nga Kina. Po ashtu, Rusia e ka theksuar herë pas here se Rusia nuk do të ndërmarrë asnjë hap në lidhje me Kosovën që të mos ketë miratimin e Serbisë. Në fakt, Serbia ka një arsye të vetme që i tejzgjat bisedimet me Kosovën: mbështetjen e pandalshme që po merr nga Rusia dhe Kina.

 Gjëja më e rëndësishme për Kosovën do të ishte futja në NATO, e cila do të krijonte stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar. Por kjo do të bllokohej nga vendet e NATO-s të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë: Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia (Qipro nuk është në NATO). Për këtë arsye, BE dhe SHBA duhet të krijojë një kuadër të ri negociatash që t’i japë mundësi Serbisë të mos ia mohojë më Kosovës pjesëmarrjen në sistemin ndërkombëtar, në këmbim të mundësisë për të mbrojtur interesat e saj në Kosovë. Dhe si këmbim, Prishtina duhet të ketë nxitjen e mjaftueshme që të bëjë lëshime simbolike dhe praktike. Dhe për momentin kjo do të ishte hyrja në NATO.

Kjo do të nervozonte Putinin, por duke qenë se Kosova është larg kufijve të Rusisë, Moska vetëm sa do të shtonte armatimet në Serbi, ndërsa Pekini do të kërkonte gjithashtu të niste një bashkëpunim më të thellë ushtarak me Beogradin. Vuçiç do të vihej në një mëdyshje të madhe, pasi fuqizimi ushtarak nga Rusia e Kina nuk do ta ndalonte dot legjitimizmin e Kosovës në fushën ndërkombëtare, gjëja të cilës Serbia i druhet më shumë. Por nëse Serbia do të shkëputej nga varësia politike me Moskën e Pekinin, SHBA do të shtonte bashkëpunimin e saj ushtarak me Beogradin. Kështu, ushtria serbe do të merrte standardet cilësore të NATO-s, sidomos te baza më e madhe, te  Lugina e Preshevës, ku jetojnë rreth 50 mijë shqiptarë.

Pas kësaj, Beogradi mund të reklamonte edhe kthimin e serbëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë hartuar që tani plane të detajuara, të mbështetura nga BE, që presin vetëm marrëveshjen midis dy vendeve. Me pak fjalë, konflikti në Ballkan do të zgjidhej shumë shpejt sikur katër vendet e BE-së dhe NATO-s ta njihnin Kosovën. Sigurisht, as Uashingtoni s’do të donte përpjekje të ngjashme pavarësie të katalanasve në Spanjë, të hungarezëve në Rumani, Sllovaki e madje dhe në Serbi, të cila do të fillonin të nxiteshin menjëherë nga Viktor Orbani, një mbështetës i politikave të Moskës.

“Dialogu i BE, SHBA dhe NATO-s, i bazuar në mbrojtje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të drejtave të njeriut, do të prodhonte një dokument zyrtar që do të përcaktonte parimet bazë dhe hapat praktikë që  do të promovonin angazhimin e përbashkët për rend shtetëror, si dhe shprehjen e vetëvendosjes brenda tij, duke e lënë ndarjen territoriale vetëm për raste ekstreme’, thotë Joseph në analizën e tij.

Kjo do të pajtohej edhe me pavarësinë e Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë nuk shkelte ligjet ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Gjykata theksoi se ky vendim nuk i adresohej çështjes së vetëvendosjes, duke sinjalizuar që ky rast nuk mund të përdorej si precedent.

Kosova ka dhjetëra elemente që e veçojnë nga vendet e tjera në Europë ku ka lëvizje për pavarësi, duke nisur që nga shtypja shtetërore që ka pasur nga Serbia, e deri te mohimi i të drejtave të njeriut. Katalunja është krejt e kundërta. Ajo madje luajti një rol kyç për krijimin e qeverisë spanjolle këtë vit, por Kosovës nuk i është ofruar kurrë përfaqësim në parlamentin e Serbisë. Ministri i Jashtëm i BE-së, Borrell, tha se Katalonja nuk është koloni, nuk është e pushtuar dhe nuk është si Kosova.

Po ashtu, pavarësia e Kosovës u mbështet nga BE dhe SHBA me kusht që të garantonte të drejta të forta për serbët në Kosovë. Ndërsa për Krimenë nuk ka asgjë të ngjashme nga BE-ja, edhe pse Putini e përsërit shpesh si krahasim.

Rreshtimi botëror në një linjë të vetme, kundër kërkesave për të bërë ndarje territoresh bazuar në etni, do të shoqërohej nga gjeste politike. Për shembull, Uashingtoni mund ta ndihmojë Athinën të arrijë marrëveshjen e detit me Shqipërinë, ndërsa Rumania mund të marrë ndihmë nga SHBA dhe BE për të mbajtur nën kontroll përpjekjet e etnisë hungareze për të krijuar lëvizje paraushtarake si dhe për të parandaluar sulme të vogla terroriste, që thuhet se janë mbështetur nga Moska dhe Budapesti.

Me pak fjalë, katër vendet e NATO-s mund ta izolojnë rastin e Kosovës nga të qenit precedent duke vënë në dukje dallimet e thella dhe duke punuar me aleatët që të forcohet ideja e integritetit territorial. Kështu dhe BE do të lehtësohej nga barra që ka krijuar fakti se si Ministri i Jashtëm i BE-së, (Borrell) ashtu dhe i Dërguari i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, (Lajçak) vijnë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026