Ndryshimi i koalicioneve dhe listave, Nesturi, Kola dhe Shabani diskutojnë ndasitë mes palëve

1 Tetor 2020 | 17:55

Analistët politikë Plator Nesturi e Vehap Kola dhe aktivisti i Nismës Thurje, Endri Shabani, diskutuan në Ilva Now zhvillimet e fundit për sa i përket reformës zgjedhore, e cila mbetet ende e pazgjidhur pasi palët nuk po gjejnë konsensus për sa i përket koalicioneve parazgjedhore dhe hapjes së listave të kandidatëve.

Sipas Plator Nesturit, Partia Demokratike nuk është ende gati për fushatë. Ai e argumentoi këtë me faktin, sipas tij, se ende figura publike të saj nuk janë bërë pjesë e debatit publik për çështje që i shqetësojnë qytetarët.

Nesturi tha se PD-ja nuk mbajti një qëndrim të hapur për çështjen e koalicioneve. Mirëpo interpretimi se puna e opozitës në Këshillin Politik nuk ishte e qartë për sa i përket koalicioneve sipas analistit Vehap Kola është propagandë qeveritare.

“Këshilli Politik është në ngërç nga fakti se mazhoranca ka shkelur një nga shtyllat e marrëveshjes së 14 janarit, nuk pranon t’i zgjidhë çështjet me konsensus ose duke shkuar te ODIHR-i, dhe këtu nuk ka më problem opozita,” – u shpreh Kola.

“Janë 200 ditë përpara fushatës, ka një vit e gjysmë që kanë dalë nga parlamenti, kanë bojkotuar zgjedhjet vendore dhe do të ishte normale që ata të ishin në terren, të nxisnin debatin publik, por këtë ne nuk e shohim,” – shpjegoi më tej qëndrimin e tij Nesturi.

Mirëpo Kola replikoi duke thënë se “të folurit dhe të vlerësuarit nga një karrige është e thjeshtë” ndërsa “realiteti është ndryshe”.

Gazetarja Ilva Tare kërkoi që më tej aktivisti politik Endri Shabani të jepte opinionin e tij, duke qenë edhe jurist.

Shabani theksoi se “është e pandershme t’ia kërkojmë fajin opozitës kur e gjithë përgjegjësia, i gjithë pushteti është në dorën e Ramës”.

“A është përgatitur Basha apo Rama për zgjedhje, këto janë problemet e tyre, problemi ynë është a kemi mundësi të zgjedhim dhe a mund të kemi mundësi për garë të drejtë, sepse Rama po përpiqet t’ua imponojë rregullat e partisë së vetë partive të tjera,” – argumentoi Shabani duke e konsideruar “non-sens” konsensusin e kërkuar në Këshillin Politik.

Pyetjes nëse mund të ketë apo jo koalicione parazgjedhore me Kushtetutën e ndryshuar, Shabani theksoi se me këto ndryshime “ato pengohen”.

“Kushtetuta u ndryshua qëllimisht për të penguar koalicionet, të mos bëjmë sikur nuk e dimë këtë pjesë, nëse mundet apo jo kjo ha interpretim, por palët kanë zgjedhur një arbitër dhe arbitri do të jepte përgjigje por një nga palët po ndryshon rregullat e lojës dhe po përjashton edhe arbitrin,” – tha Shabani, i cili ishte i qëndrimit se kryetari i opozitës Basha “ia ka lënë fushën e lirë” kryeministrit Rama.

Për sa i përket hapjes së listave të kandidatëve, Vehap Kola tha se ato “nuk do të sjellin ndryshim të madh cilësor”, kjo duke pasur parasysh kriminalitetin dhe ndërfutjen e krimit thellë në shoqëri.

Nesturi e cilësoi “teknikalitet” çështjen e listave dhe tha se “debati që po bëhet për to janë pjesëza anësore nga qëllimi kryesor që partitë futen në zgjedhje”, mirëpo Shabani theksoi të kundërtën, pasi “mos-hapja e listave i bën deputetët të mos kenë përgjegjësi ndaj qytetarëve, pasi marrëdhëniet nuk do t’i kenë me ata që i zgjedhin, por me kryetarin që i kandidon”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021