Profesori grek Armakolas: Haga zgjidhja e duhur për detin, keqardhje për frymën e mosbesimit Shqipëri-Greqi

28 Tetor 2020 | 18:48

Profesori dhe hulumtuesi grek, Ioannis Armakolas vlerësoi deklaratat mes Shqipërisë dhe Greqisë se çështja e kufirit detar do të marrë zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

“Mendoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv që dy vendet janë dakorduar për të gjetur një rrugë paqësore, gjyqësore për të zgjidhur problemin. Dhe besoj se ky ndoshta do të jetë fillimi i një procesi të gjatë që do të çojë në zgjidhjet e të gjitha problemeve dhe konflikteve të mbetura mes vendeve, ndërkohë që Shqipëria, me shpresë do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitet në vijim,” u shpreh profesori Armakolas në një intervistë me Ilva Taren, në Euroneës Albania.

Sipas profesorit,  është mirë për të dyja vendet që do të ketë një palë të tretë, një trupë gjyqësore zyrtarë të OKB-së që do të zgjidhë përgjithnjë konfliktin mes vendeve.

Z. Armakolas nuk dha një afat kohor se kur mund të ketë një vendim përfundimtar nga Haga, por tha se kjo do të varet nga sa shpejt palët do të dakordësohen për marrëveshjen e arbitrazhit, në dokumentin që ata do të dorëzojnë në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Dyshoj se palët do të arrijnë dakordësinë për këtë marrëveshje përpara zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoj se do të duhen disa muaj për të negociuar për dokumentin përfundimtar që do të dorëzohet. Dhe pasi të dorëzohet dokumenti, mendoj se do të duhen ndoshta disa vite përpara se gjykata të japë vendimin, por mbetet për t’u parë,” deklaroi profesori grek.

Pyetur lidhur me fjalimin e kryeministrit Mitsotakis në parlamentin grek,  se Greqia ka zgjeruar kufirin detar me 12 milje dhe nëse kjo po e vendos Shqipërinë në vështirësi, profesori tha se kjo nuk ka pse të ndodhë pasi Shqipëria pranon, sipas ligjit ndërkombëtar, të drejtën e çdo vendi për të zgjeruar ujërat territoriale me 12 milje, ashtu siç Shqipëria ka 12 milje ujëra territorial.

“Fakti që na duhet kohë për t’i zgjidhur këto probleme është gjithashtu për shkak të besimit të ulët mes dy vendeve, mes dy qeverive, por gjithashtu mes dy shoqërive. Dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq. Greqia dhe Shqipëria ndajnë shumë në aspektin kulturor, historik dhe politik. Dhe në 30 vitet e fundit pas rënies së komunizmit, ne kemi pasur mundësinë të ndërtonim marrëdhënie solide partneriteti dhe besimi. Kjo nuk ndodhi,” deklaroi profesori.

“Por mendoj se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që Greqia e mbështet plotësisht, është një periudhë dhe një proces që do të na ndihmojë jo vetëm të zgjidhim mosmarrëveshjet, por gjithashtu të ndërtojmë ura besimi mes dy shoqërive,” përfundoi ai.

Profesori tha se duhet të punohet për të hequr paragjykimet nga të dyja palët.

Ioannis Armakolas është gjithashtu drejtues i programit jug-lindor të fondacionit helenik për politikën evropiane dhe të jashtme, asistent profesor në departamentin e studimeve ballkanike, sllavike dhe orientale në Universitetin e Maqedonisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka zbuliar arkitektin i cili është kontaktuar lidhur me ndërtimin në Zvërnec. Rama shkruan se arkiteti Dong...
16:48 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një deklaratë për mediat nga Korça ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi...
16:22 | 04/06/2026

I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit

Nëna e autorit të vrasjes së policit Enea Mekolli dhe plagosjes së policit Edison Adri është shoqëruar nga forcat e policisë në ambjentet e drejtorisë...
15:39 | 04/06/2026